Lajme

Shkarkohet kreu i Apelit për Krime të Rënda, s’justifikon pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra kreun e Apelit të Krimeve të Rënda, Fehmi Petku.
Komisioni ka gjetur shkelje në deklaratat e pasurisë, e cila nuk justifikohej, pasi gjyqtari nuk kishte burime të ligjshme financiare.
Nga hetimi, u konstatuan probleme me pasurinë e gjyqtarit, ku Komisioni ngriti dyshime për fshehje, deklarim të rremë dhe mosmbulim me të ardhura të ligjshme të pasurisë së tij. Përpos raportit negativ të ILDKPKI-së, relatorja tha se KPK-ja kishte kryer një hetim të thelluar për pasuritë e gjyqtarit Fehmi Petku.
Ai kishte deklaruar disa sipërfaqe të ndryshme trualli në Tiranë e në Kukës, mbi të cilat janë ndërtuar edhe banesa. Ai shpjegoi se këto prona janë trashëgimi e lënë nga babai.
Për ketë gjë, mësohet se KPK kreu hetim edhe mbi të ardhurat e babait të gjyqtarit.
Komisioni vuri në dukje se Fehmi Petku në vitin 1999 ka gjykuar një dosje për Vehbi Alimuçën, ish-kreun e firmës piramidale VEFA, kohë kur babai i tij kishte marrëdhënie interesi.
KPK deklaroi se ka mungesë të burimeve të ligjshme të pasurisë së babait të tij dhe po ashtu ka konflikt në gjykimin e Vehbi Alimuçës kur i ati i tij kishte marrëdhënie interesi. Po kështu sipas komisionit, ka mungesë dokumentacioni për justifikimin e një trualli prej 16 mijë m2.
I papërshtatshëm për të vijuar detyrën, gjyqtari u konsiderua edhe nga DSIK. Në raport thuhej se ka dyshime se gjyqtari Fehmi Petku është i përfshirë në korrupsion pasiv.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë