Lajme

Shkarkimi i Metës, të enjten 5 orë mocion-debati në Kuvend

Një ditë pasi presidenti Meta anuloi zgjedhjet e 30 qershorit dhe PS ndërmori nismën për shkarkimin e presidentit, kryeparlamentari Ruçi ka mbledhur sot Konferencën e Kryetarëve.
Në mbledhje është vendosur se në seancën e së enjtes do të ketë 5 orë debat për dekretin e Presidentit që anuloi zgjedhjet vendore të 30 qershorit.
Vendimi është marrë me dakordësi mes mazhorancës dhe opozitës së re parlamentare.
Dekreti i Presidentit do të jetë pika e parë e rendit të ditës dhe koha do të ndahet në mënyrë proporcionale.
Dje, vetëm një orë pasi presidenti Ilir Meta firmosi dekretin për anulimin e zgjedhjeve, PS vendosi në mbledhjen e Kryesisë se do të nisë menjëherë procedurat për shkarkimin e tij.
Ka qenë kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla që ka depozituar kërkesën për mocion me debat.
Dhe pikërisht Konferenca e Kryetarëve ka marrë në shqyrtim kërkesën e Ballës, që kërkon zhvillimin e një debati parlamentar për vendimin e presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve.
Në kërkesën e firmosur nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla theksohet se akti i presidentit është i pavlefshëm, i paprecedentë dhe në kundërshtim me Kushtetutën, pasi, sipas tij, synon të pengojë shqiptaret që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë