Drejtësia

Shkarkimi i Luan Dacit hap shtegun e kundërshtimit të vendimeve të KPA-së

Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që shkarkoi ish-anëtarin e vet, Luan Daci mund t’u hapë rrugë një sërë procesesh zinxhir ligjore që mund të kontestojnë disa vendime të bujshme shkarkimi nga KPA në kuadër të procesit të vettingut.

Emrat që janë shkarkuar nga KPA edhe me firmën e Luan Dacit nuk janë të paktë. Mes tyre janë ish-prokurorët Besnik Cani, Antoneta Sevdari, Elsion Sadiku dhe ish-gjyqtari i Apelit të Tiranës, Ervin Metalla.

Të gjithë këta emra kanë dorëzuar padi në Prokurorinë e Posaçme ndaj Luan Dacit me akuzën e falsifikimit të dokumentave. Episodi lidhet me një vendim shkarkimi të vitit 1997 të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në atë kohë, që sipas akuzave, Luan Daci e ka falsifikuar duke e paraqitur si dorëheqje gjatë aplikimit për të fituar vendin e anëtarit në KPA.

Antoneta Sevdari është ndër emrat më të zëshëm publikisht në kundërshtimin e vendimit të KPA-së që e shkarkoi në fund të shkurtit të 2019-s, në një kohë që mbante edhe postin e anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë si e zgjedhur nga radhët e Prokurorisë së Përgjithshme.

Përmes një letre drejtuar Presidentit, Kryeministrit dhe ndërkombëtarëve ajo kërkoi që të hetohet i gjithë procesi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që çoi në shkarkimin e saj nga sistemi i drejtësisë.

Prokurorja tha në atë letër “se e ka bërë detyrën e saj, duke u shërbyer qytetarëve, por ngre dyshimet e saj përse mund të jetë marrë vendimi i shkarkimit. Ajo shprehej se mund të jetë mungesë profesionalizmi e trupës gjykuese të Kolegjit të Apelimit, por nuk përjashton mundësinë e një shkarkimi të urdhëruar.

“Gjatë këtyre ditëve jam përpjekur të kuptoj një vendim të pakuptueshëm. Në analizën time të fakteve dhe ngjarjeve kam arritur në konkluzionin se shkarkimi im u bë për një nga këto dy arsye: Ose si rezultat i profesionalizmit të dobët në gjykim nga anëtarët e trupës së Kolegjit të Apelimit, që votuan për shkarkimin; Ose (dhe ky rast është edhe më flagrant, sa i përket të ardhmes së drejtësisë shqiptare) ai ishte një shkarkim i urdhëruar, në shërbim të interesave, me të cilat unë në punën time si prokurore jam përballur ndër vite”, deklaronte Sevdari.

Sevdari, së bashku me Besnik Canin dhe Ervin Metallën ishin tre emrat që dëshmuan në SPAK në procesin ndaj Luan Dacit. Vetë Daci kundërshton si gjetjet e Prokurorisë së Posaçme, ashtu edhe vendimin e fundit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që e shkarkoi nga detyra. Ai thotë se në rastin e tij është shkelur Kushtetuta dhe paralajmëron se do t’i drejtohet Strasburgut.

Por, vendimi i KPA-s duket se u jep më shumë arsye emrave që janë shkarkuar nga Luan Daci për të kundërshtuar këto vendime, se sa vetë Luan Dacit. Prokurorë e gjyqtarë që janë larguar nga sistemi i drejtësisë në rastet kur pjesë e trupës gjykuese të KPA-së ka qenë edhe Luan Daci mund të ngrenë pretendimin e pavlefshmërisë së këtyre vendimeve.

Parimisht, pretendimi se dënimi i Luan Dacit cenon vendimmarrjet e KPA-së të paktën në rastet ku ai ka qenë anëtar i trupës vendimmarrëse është ngritur tashmë. Por, si pjesë e Gjykatës Kushtetuese, vendimet e KPA-së gëzojnë statusin e vendimeve përfundimtare dhe të pakundërshtueshme brenda vendit. Një opsion që mund të ndiqet mund të jetë Gjykata e Strasburgut.

Precedenti në Strasburg është krijuar, me rastin e ish-gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj. Xhoxhaj ngriti pretendimet se gjatë procesit të saj të vettingut ishin shkelur disa parime themelore të Konventës së të Drejtave të Njeriut. Strasburgu e rrëzoi këtë kërkesë. Megjithatë, nën dritën e zhvillimeve të reja, pra të dënimit dhe shkarkimit të Luan Dacit, pretendime të reja mund të ngrihen po në Strasburg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë