Drejtësia

Shkarkimi i Alfred Ballës, KLP zgjedh kreun e ri. Mirela Bogdani ishte kandidatja e vetme në garë

Gazeta Si- Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi këtë të premte Mirela Bogdanin, si drejtuesen e re të këtij institucioni të drejtësisë, pas largimit të Alfred Ballës, i cili u shkarkua.

Siç njoftoi edhe nënkryetari i KLP, Tartar Bazaj, Mirela Bogdani ishte kandidatja e vetme për të marrë drejtimin e këtij institucioni të drejtësisë.

Teksa prezantoi platformën para anëtarëve të KLP-së, Bogdani tregoi ambicien për të rritur kapacitetet logjistike, për të reformuar sistemin gjyqësor dhe rritur bashkëpunimin me ndërkombëtarët.

Pas rreth 1 ore mbledhje të Këshillit, në prezencë të anëtarëve të KLP-së, si dhe të ftuar përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria i Përgjithshëm dhe Programet EU4JUSTICE dhe OPDAT, anëtarët kanë vendosur me 10 vota pro zgjedhjen e Bogdanit në krye të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Pas votimit të anëtarëve të KLP-së, ky vendim ka hyrë në fuqi menjëherë ditën e sotme, 6 qershor 2024. Mirela Bogdani ishte kandidatja e vetme nga shoqëria civile, ndërsa mandati i saj në krye të KLP-së është 5-vjeçar.

Prej dy vitesh, Bogdani ishte anëtare e KLP-së, ndërsa gjatë karrierës profesionale, ka ushtruar detyrën e profesorit të së drejtës në Departamentin e së Drejtës Publike në lëndët ‘Institucionet politike dhe juridike’, ‘Shkrimi dhe Arsyetimi Ligjor, si dhe ‘Politika e Jashtme e BE’, në programet Bachelor, Master, programin e doktoraturës, dhe aktualisht në programin e integruar Master i Shkencave në Drejtësi dhe Master Ekzekutiv. Nga viti 2019-2022 ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Komisionit të Përhershëm për Dhënien e Gradës Shkencore ‘Doktor’ në Fakultetin e Drejtësisë, dhe nga viti 2020-2022 anëtare e Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës.

Më 27 maj, Këshilli i Lartë Prokurorisë miratoi me 9 vota pro mbarimin e mandatit të Alfred Ballës. Ai nuk mund të qëndrojë në funksionin e kryetarit të KLP-së, pas vendimit të dhënë nga KPA, për përjashtimin e tij nga sistemi për 15 vite.

Ballës i kishte përfunduar mandati i anëtarit të KLP-së prej disa muajsh, por vijonte të qëndronte në detyrë deri në momentin që do të zgjidheshin anëtarët e rinj, nga radhët e shoqërisë civile.

Kolegji i Pavarur i Apelimit shpalli se Balla ishte dorëhequr me dëshirën e tij nga kontrolli i 3-fishtë i Vettingut ndryshe nga pretendimi i tij që këmbëngul se nuk kishte statusin e magjistratit përderisa e kishin shkarkuar nga detyra si ndihmës ligjor në gjykatën e lartë dhe më pas në KLP mori një mandate si anëtar i shoqërisë civile.

Çështja e kryetarit të KLP u mbyll në shkallën e parë të vettingut pa një vendim përfundimtar , dhe për këtë arsye komisioneri publik apeloi në KPA.

Trupa gjyqësore e përbërë nga Ina Rama Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo e shfuqizoi shkallën e parë dhe vendosi të ndërpresë Vettingun për Ballën, një vendim marrje që do të thotë largim për 15 vjet nga sistemi i drejtësis.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë