Rend dhe Ligj

Shiu përmbyt Durrësin! Prokuroria nis hetim për 3 vepra penale

Nga Gazeta Si- Prej tre ditësh, Durrësi vijon të jetë i përmbytur për shkak të reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Këtë të enjte është regjistruar edhe viktima e parë nga moti i keq. Një 54-vjeçar u gjet pa shenja jete në një kanal kullues në afërsi të Ish-repartit Ushtarak. Paraprakisht dyshohet se A. H. është marrë nga rrjedha e ujit pasi kishte dalë për verifikime.

Për përmbytjet në Durrës, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet.

Hetimet kanë nisur për 3 vepra penale, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

“Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme”, informoi Prokuroria e Durrësit.

Prokuroria thotë se gjendja e krijuar 2 ditë më parë nga përmbytjet, pengoi “zhvillimin normal i aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun” dhe se në këto kushte ka të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.

Gjithashtu, hetimet kanë nisur edhe pas vdekjes së punonjësit të komunales.

“Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend”, njofton Prokuroria e Durrësit.

Prokuroria e Durrësit thekson se do të jetë hetimi ai që do të përcaktojë nëse shkaqet e përmbytjes kanë qenë natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore.

Situata në qarkun e Durrësit mbetet kritike nga përmbytjet, sidomos në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytja erdhi edhe nga rritja e prurjeve të lumit Erzen, duke rënduar më tej situatën. Emergjencat civile urdhëruan evakuimin e detyrueshëm të banorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë