Portofol

Shifrat rrëzojnë mitin e 20 mijë italianëve të punësuar në Shqipëri

Për të ilustruar këndvështrimin e mazhorancës se situata në Shqipëri nuk është ajo që pretendon opozita, por edhe për të kujtuar lidhjet e forta mes popullit shqiptar dhe atij italian, Kryeministri Edi Rama risolli në kujtesë për drejtuesin e emisionit, Bruno Vespan dhe për publikun e tij, shifrën prej 20 mijë italianësh të punësuar aktualisht në vendin tonë.

Ky numër hidhet shpesh për qarkullim mediatik në Shqipëri e Itali, sidomos sa herë që politikanëve shqiptarë u duhen për të paraqitur matanë Adriatikut një peizazh rozë të ekonomisë shqiptare dhe për të joshur investitorët e huaj. Por sa të vërteta janë këta numra? Për këtë na orientojnë, të paktën në një masë të madhe, shifrat e publikuara ndër vite nga autoritetet shqiptare.

Si fillim duhet thënë se në bazë të ligjit shqiptar “Për të huajt”, shtetasve të Bashkimit Europian dhe të vendeve të zonës Schengen nuk u nevojitet një leje pune për të punuar në Shqipëri. Por, atyre u duhet leja e qëndrimit që rinovohet në mënyrë periodike, kryesisht nga çdo tre muaj deri në 12 muaj. Me këtë logjikë, nëse 20 mijë italianë jetojnë e punojnë në Shqipëri, atëherë ata janë pajisur me lejen e qëndrimit, që lëshohet nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit.

Për vitin 2018, statistikat e shtetasve të huaj që kanë aplikuar për leje qëndrimi, apo leje punësimi në Shqipëri janë ende në përpunim, ndaj po u referohemi të dhënave të vitit 2017. Sipas këtyre të dhënave të publikuara nga INSTAT në gusht të vitit të kaluar në raportin “Të huajt dhe azilkërkuesit në Shqipëri, 2017”, shtetasit e huaj me leje qëndrimi në vendin tonë ishin 12.906 persona.

Kjo është shifra e të gjithë shtetasve të huaj në Shqipëri në 2017. Brenda kësaj shifre janë të punësuarit. Gjithmonë sipas INSTAT, të huajt që aplikuan për leje qëndrimi për punësim zënë 49,1 për qind të të huajve gjithsej, pra rreth 7334 persona kishin marrë leje qëndrimi për punësim në Shqipëri. Më pas ndiqnin aplikimet për bashkim familjar me 23,1 për qind, aplikimet për qëllime humanitare me 18,4 për qind, aplikimet për studime me 5,1 për qind dhe aplikime për arsye të tjera me 4,3 për qind.

Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2017 u rrit me 3,9 për qind, krahasuar me vitin 2016. Aplikimet më të shumta sipas vendit të origjinës janë nga Irani, Italia, Kosova dhe Turqia, të cilët së bashku përbëjnë 61,8 për qind të aplikimeve gjithsej në 2017.

Lejet e qëndrimit rinovohen periodikisht, kryesisht çdo 12 muaj. Irani ndodhet në krye të kësaj liste për shkak të muxhahedinëve që janë strehuar në vendin tonë. Në vend të dytë janë italianët, që në 2017 ishin 1779 persona.

Këto janë shifrat për 2017, që patën një rritje prej 3.9 për qind në krahasim me 2016. Nisur nga kjo rritje, mund të hamendësojmë se një rritje e përafërt ka ndodhur edhe për 2018. Por, edhe nëse shifrës prej rreth 12900 shtetasish të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri i shtojmë 4 për qind rritje, sërish shifra totale e tyre, pra jo vetëm e italianëve, është larg 20 mijë personave, e për më tepër, që po sipas të dhënave të INSTAT, thuajse gjysma e personave që aplikojnë për leje qëndrimi kanë arsye punësimi në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë