Lajme

Shifrat për “Unazën e Re”, ARRSH i krahason me rrugët që ndërtuan demokratët

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro doli sot përpara mediave në një komunikim të posaçëm për të bërë transparencë mbi akuzat e h​edhura nga opozita për koston e projektit të rehabilitimit të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti Pallati me Shigjeta- Sheshi Shqiponja.

Pretendimit të liderit të opozitës Lulzim Basha se kostot e kësaj vepre janë të fryra disafish krahasuar dhe me segmentet e tjera të unazës, Qendro ju përgjigj duke sjellë në vëmendjen e opinionit publik tre shembuj konkret: atë të segmentit “Komuna e Parisit-Shkolla Teknologjike”; atë “Shkolla Teknologjike –Sheshi Shqiponja”; dhe krahasimin mes kostos së mbikalimit të Kamzës dhe atij të projektit të ri me Nyjen e Shqiponjës.

Për efekt krahasimi në kushte të barabarta, për shkak se segmenti “Komuna e Parisit – Shkolla Teknologjike” nuk ka një vepër të natyrës dhe madhësisë së Nyjes së Sheshit Shqiponja, kjo e fundit është ndarë më vete, jashtë projektit që krahasohet.

SHEMBULLI 1

Kosto e segmentit “Komuna e Parisit – Shkolla Teknologjike”. Projekt i hartuar dhe filluar zbatimin në qeverisjen e PD dhe Bashës kryebashkiak të Tiranës

  1. Projekti i hartuar në vitin 2012 (miratuar nga Këshilli Teknik i Bashkisë pa pjesëmarrjen e ARRSH)
  2. Kontraktorët (Albavia dhe Salillari)
  3. Parametrat: Gjatësia 2,05 km. (Rrugë kategoria A Urbane 2.05km + rrugë dytësore 3.88km)
  4. Veprat inxhinierike janë struktura të thjeshta inxhinierike: 4 mbikalime automjetesh; 1 nënkalim automjetesh
  5. Kosto totale e ndërtimit 28,95 milion Euro (pa TVSH)
  6. Kosto për kilometër 14,12 milion Euro

SHEMBULLI 2

Kosto e segmentit “Pallati me Shigjeta –Sheshi Shqiponja”. Projekti i cili po zbatohet aktualisht nga ARRSH.

  1. Projekti i hartuar në vitin 2018 (Miratuar nga Këshilli Teknik i ARRSH, me pjesëmarrjen e Bashkisë Tiranë +Oponencë Teknike nga Instituti i Ndërtimit)
  2. Projekti me Leje Zhvillimore dhe Leje Mjedisore.
  3. Kontaktorët (Victoria Invest, Salillari dhe DH Albania & Biba X)
  4. Parametrat: 2,34 km (Rrugë kateoria A Urbane 2.34km+ rrugë dytësore 6,63 km)
  5. Vepra inxhinierike struktura të komplikuara: 2 mbikalime auto+këmbësorë; 3 nënkalime auto+këmbësorë; 1 urë tek Lana.
  6. Kosto totale e ndërtimit 30,3 milion euro (Pa TVSH). (Nyja Shqiponjës trajtohet më vete)
  7. Kosto për kilometër 12,95 milion euro.

“Nga analiza e këtyre dy shembujve del konkretisht se kostoja për kilometër në projektin “Pallati me Shigjeta – Sheshi Shqiponja nuk ka ndryshime nga ato të ndërtuara në kohën e qeverisjes së Partisë Demokratike dhe kur Bashkinë e Tiranës e drejtonte Lulzim Basha. Fakti se rruga përshkon trupin e asaj ekzistuese në rastin e segmentit të ri bën që kosto për kilometër të jetë madje më e lirë. Ky efekt neutralizohet për shkak se manuali shtetëror i çmimeve të ndërtimit në Shqipëri krahasuar me vitin 2012, pra 6 vjet më parë është rritur me 30% dhe vepra që po zbatohet aktualisht ka një vepër inxhinierike më shumë e cila ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos totale të projektit. I gjithë procesi i ndjekur për projektin e Unazës së Tiranës është një proces etik, ligjor, transparent dhe efiçent” deklaroi Qendro

Krahasimi mes veprave, sa kushtoi mbikalimi i Kamzës dhe sa kushton Nyja e Shqiponjës

Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pasditen e së martës, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar tregoi për median edhe detajet për koston e nyjes së Sheshit Shqiponja. Për efekt krahasimi, Qendro krahasoi një investim në një vepër tjetër inxhinerike të kryer në afërsi të kësaj zone, konkretisht Mbikalimin e Kamzës.

Qendro tha se mbikalimi i Kamzës është përfunduar në vitin 2008 kur vendin e drejtonte Partia Demokratike e cila sot është në opozitë dhe akuzon për kosto të fryra. Vepra në fjalë është një mbikalim i thjeshtë dhe rrethrrotullim në nivel. Kostoja e kësaj vepre, të marrë në dorëzim me 17 defekte nga komisioni i ARRSH, rezulton se ka shkuar në 8.4 milion Euro.

Ndërkaq, nyja e Sheshit Shqiponja, e cila do të zbatohet si projekt më shumë se 10 vite më vonë kur çmimet e ndërtimit kanë pësuar rritje me 30%, ka një kosto thuajse të përafërt. Nyja e Shqiponjës përbën një vepër inxhinierike komplekse me tre nivele: mbikalim 430 m; rrethrrotullim në nivel dhe nënkalim 310m. Kosto totale e saj shkon në 9.7 milion euro.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë