Ekonomi

Shifrat e turizmit/ Numri i të huajve që vizituan Shqipërinë u rrit më pak në 2025-n

Nga Gazeta ‘SI’ – Muaji gusht raporton 3.36 mln hyrje në Shqipëri me rritje 8.4% nga gushti i vitit 2024.

Rreth 2.4 mln hyrje janë shtetas të huaj, thotë INSTAT, me rritje vjetore 9.9% dhe pjesa tjetër vendas, me rritje 5.1%. Europianët zënë 97% të hyrjeve të huaja, ku dominon Europa Jugore me 77% dhe Europa Perëndimore me 9%. Për 99% të rasteve, hyrjet në Shqipëri janë kryer me qëllime personale ose pushime.

Shifrat tregojnë se interesi i shqiptarëve për të dalë jashtë vendit është rritur me 10.3% përkthyer në 994 mijë dalje. Për të huajt regjistrohen 2.34 dalje.

Për të gjithë tetëmujorin janar-gusht 2025, në Shqipëri regjistrohen 14.6 mln hyrje, 5.9% më shumë se një vit më parë, por me një trend rritës më të ulët. Në të njëjtën periudhë të 2024-s, hyrjet në Shqipëri ishin rritur me 17.6%.

Një ngadalësim i dukshëm vërehet edhe tek vizitorët e huaj, që në periudhën janar-gusht 2025 u rritën me 5.2% ndërsa në 2024-n me 18.7%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë