Art dhe Kulture

Shfaqja “Tre Dimrat”, Yllka Mujo: Simbolizon një shoqëri të tërë, edhe Shqipërinë

Gazeta Si – Në qendër të skenës së Teatrit Metropol shfaqet Roza, personazhi luftarak që interpretohet nga aktorja Elia Zaharia, me fëmijën në krah, (Mashën) dhe duket sikur vuan pasojat e Luftës së Dytë Botërore. Pas viteve ’45, me ardhjen e komunistëve në pushtet, një çelës shtëpie do t’i japë drejtësinë e munguar. Personazhi Roza zgjedh çelësin e shtëpisë, nga e cila është dëbuar foshnje, bashkë me mamanë e saj një natë të ftohtë dimri. Ajo zgjedh e udhëhequr nga hakmarrja, pa e ditur që po shkon drejt rrënjëve të gjakut të saj.

E gjithë shfaqja është fokusuar vetëm në një shtëpi ku do të nisin të jetojnë breza të ndryshëm. Në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të, forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që formësuan Europën moderne.

Personazhet e “Tre Dimrave” si Roza, e ëma e saj, Monika, vajzat e saj Masha dhe Dunja, vajzat e Mashës (Alisa dhe Luçia), Vllado bashkëshorti i Mashës, sillen rreth së vetmes tavolinë që fsheh mbishkrimet e familjeve që e kanë jetuar shtëpinë, shtëpi e vendosur në Zagreb të Kroacisë.

Regjisorja Rozi Kostani i ka fokusuar ngjarjet në tri dimra, në tri pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në.

Por pema familjare që ajo sjell në këto tri breza nuk i shikon këto epoka të ndara, por në një ndërlidhje brezash dhe personazhesh.

Kostani thotë se zbulimi i pemës së kësaj familje dhe sekretet e saj, janë të rëndësishme për të reflektuar mbi brezat. Sipas saj, kjo vepër trajton historinë e një familje eklektike, të mbajtur së bashku nga guximi për të mbijetuar.

“Nga mbetjet e monarkisë, përmes komunizmit, më pas demokracisë, luftës dhe pranimit eventual në një Europë më të gjerë, katër breza të grave të Kos, secila më e pavarur se tjera, të cilat duhet të përshtaten për të mbijetuar. E vetmja konstante është shtëpia: e ndërtuar nga aristokratët, e ndarë, e nacionalizuar, ajo është dëshmitare e brezave që kalojnë”, shprehet regjisorja Rozi Kostani për Gazetasi.al.

Shfaqja është sa një dramë që e bën publikun të qëndrojë në pritje, aq edhe me ngjyrime komike, që në momente të caktuara e gajas së qeshuri.

Aktorët Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Lljarja, Viktor Zhusti e të tjerë bëjnë kalime në periudha të ndryshme, sa në vitin ’45 e ’90 dhe pastaj në vitin 2011.  

Shohim Yllka Mujon, si Mashën, e cila përpiqet të forcojë unin e saj, e të dalë nga hija e dëshirave të familjarëve. Ndërsa bashkëshorti i saj, Vllado i interpretuar nga aktori Sokol Angjeli, përpiqet që familja të jetë në rrugën e drejtë.

Aktorja Yllka Mujo tregon për Gazetasi.al se shfaqja “Tre dimrat” nuk ka në fokus një personazh të veçantë, por reflekton një shoqëri të tërë.

“Këtu nuk flitet për personazhe të veçanta, ‘Tre dimrat’ simbolizojnë një shoqëri të tërë. Ka edhe një paralelizëm edhe me vendin tonë. Çështjet familjare që ndodhin në atë familje janë probleme të një shoqërie të tërë”, shprehet aktorja Mujo për Gazetasi.al. Ajo shton se për të “ishte eksperienca e parë me regjisoren Rozi Kostanin”. “Një regjisore me kërkesa mjaft profesionale dhe që e ka studiuar shumë mirë tekstin e autores kroate. Te Teatri Metropol ka një atmosferë model pune dhe dashurie”, thotë Mujo.

Sipas regjisores Kostani, problemet e shoqërisë në këtë shfaqje jepen nga këndvështrimi i grave, duke i nxjerrë ato në çdo moment superiore.

“Një ndër cilësitë që kanë femrat e familjes është superioriteti i tyre në marrëdhënie me partnerët, e lindur nga nevoja e lirisë. Janë femra të forta, që ia dalin pa partnerë. Zgjedhjet e partnerëve të këtyre femrave janë pothuajse të njëjta, shikojmë se si genet trashëgohen në cilësi karakteri”, shprehet Kostani.

Për Yllka Mujon shfaqja ka një ngjashmëri edhe me realitetet në Shqipëri dhe personazhet e shfaqjes i gjejmë edhe në ditët e sotme.

“Masha ekziston edhe në ditët e sotme, në fund ajo thotë një batutë: ‘bota ndoshta është e këtyre që e dinë se si vërtitet, sepse ne me ndershmëri dhe me parimet tona mezi ia dolëm. Ndoshta do të mbytemi fare’, shprehet Yllka Mujo, ndërsa shton se është një paralelizëm me realitetin sot pasi “njerëz që kanë punuar me ndershmëri dalin me një pension qesharak”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë