Art dhe Kulture

Shfaqja teatrore “Doktor Shuster”, në Festivalin e Teatrove të Ballkanit në Turqi

Shfaqja teatrore “Doktor Shuster”, një produksion i teatrit “A. Z. Çajupi” Korçë do të marrë pjesë në Festivalin e Teatrove të Ballkanit në Turqi.

Festivali garues, që bën bashkë trupa të ndryshme teatrore nis më 22 qershor dhe përfundon me datë 28 të këtij muaji.

Më 25 qershor shfaqja “Doktor Shuster” me regji nga Qëndrim Rijani, do të prezantojë teatrin e Korçës në festival.

Vepra e autorit Dushan Kovaçeviç, ka në role aktorët Sotiraq Bratko, Zamira Kita, Dritëro Ame, Blerta Belliu, Shkëlqim Jaupi, Niki Petriti, Flori Topra, Gloria Nure, Eni Malësia, Flavia Zere, Panajot Qorri.

Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, me anë të  një postimi në rrjetet sociale bën të ditur pjesëmarrjen në këtë festival. Mes të tjerave ajo shkruan se është një shfaqje e bërë me shumë pasion këtu e shtatë vite më parë. Një shfaqje fituese e tre çmimeve të mëdha “Kult” aktori Sotiraq Bratko, aktorja Zamira Kita dhe regjia Qëndrim Rijani, për vitin 2016.

Tre çmime të tjera në festivale të rëndësishme si çmimi i karrierës dy herë për aktorin Sotiraq Bratko dhe artistja e re, për këngëtaren Niki Petriti.

Përveç teatrit të Korçës vepra është rishfaqur në Teatrin Kombëtar Tiranë, amfiteatri i Durrësit, qyteti i Kërçovës, në Tetovë, Kumanovë, në Teatrin e Qytetit Ferizaj, Teatri i Manastirit dhe teatri “Zvezdara” Beograd.

Ngjarjet

“Doktor Shuster” e shkruar nga dramaturgu Dushan Kovaçeviç, vjen si një komedi e zezë, e cila tregoi edhe talentin e aktorëve.

Mesazhet që përcjell vepra e Dushan Kovaçeviç, janë komplekse, që nga respekti për të moshuarin, për të vdekurin, te marrëdhënia me Zotin. Në komedinë e zezë që erdhi në skenë nga regjisori Rijani, gjithçka rrotullohet rreth 7 karrocave invalidësh, të cilat metaforikisht trajtojnë handikapin e shoqërisë sonë mbi të vërtetat tronditëse si raporti baba-fëmijë, burrë-grua, motër-vëlla, vëlla-vëlla.

Komedia dramatike “Doktor Shuster” përmban brenda saj gjithë problematikën e rajonit të Ballkanit. Ndërsa elementi “karrocë” vjen si përkrahje ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, dhe keqardhja është ajo gjë për të cilën ata kanë sa më pak nevojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë