Lajme

“Rrethi” i Ina Gjonçit: Për dashurinë, seksin dhe vetminë

Intervistoi Suadela Balliu - Rrethi si një vijë përshkuese me dhjetë ndalesa. Dhjetë rrëfime mbi jetën, dashurinë, seksin,  përmbyllen aty ku kanë nisur. Në fund,  të gjithë jemi pjesë e një rrethi: vijmë nga asgjëja a gjithçkaja për të vajtur në asgjë a në gjithçka...Kështu e shpjegon aktorja Ina Gjonçi mesazhin që përcjell shfaqja “Rrethi”, e cila e pat premierën mbrëmjen e 14 shtatorit, në skenën e Teatrit “Migjeni”, në qytetin e Shkodrës.

Ishte udhëtimi i dy vjenezëve, i autorit Arthut Schnitzler - i cili në shqip ka ardhur për lexuesit me romanin “Ëndërr”, vepër të cilën regjisori i famshëm Stanley Kubrick e ekranizoi në filmin “Eyes Wide Shut” – dhe regjisorit Allois Galle, i cili zgjodhi Shqipërinë për të ngjitur në skenë një tekst, i cili  kish shkaktuar trazira dhe konflikte në sallat e teatrove të Vjenës dhe Berlinit, deri në ndalimin e plotë.

Por çfarë e çoi regjisorin të sillte një shfaqje më se njëqindvjeçare në provincën juglindore të Europës? “Alloisi e njihte Shqipërinë, njihte edhe Shkodrën, e jo pak herë rrëfente për vitet kur, kartolina me pamjen e këtij qyteti, shiteshin në mes të Vjenës.”, rrëfen aktorja, ndërsa shpjegon edhe sesi pranoi ftesën e drejtores së Teatrit të Shkodrës, Rita Gjeka për t’u bërë pjesë e këtij projekti. Shfaqja sillet rreth dhjetë dialogëve, dhjetë takimeve erotike mes dy partnerësh, ndërtuar sipas parimit të një valleje të vjetër orientale, që kërcehej në rreth.

“Akti seksual në këtë shfaqje, është nevojë absolute për të ekzistuar, për të qenë në jetë. Duket sikur personazhet thonë “Unë bëj seks, prandaj ekzistoj”. Por ja që kjo nuk mjafton.”

Skena e parë është ajo mes prostitutës e ushtarit, e përmbyllet me takimin e saj me kontin. Personazhet, interpretuar nga një kastë aktorësh si; Krist Lleshi, Sara Smaja, Julinda Emiri, Ina Gjonçi, Loredana Gjeçi, Nikolin Ferketa, Simon Shkreli, Pjerin Vlashi, Jozef Shiroka dhe Frederik Fistani, nuk kanë emra. Ata janë arketipa të karaktereve njerëzorë. Ata janë thjesht njerëz: një prostitutë, një ushtar, një shërbëtore, një zotëri i ri, një zonjë e re, një bashkëshort, një vajzë e ëmbël, një poet, një aktore, një kont.

Aktorja Ina Gjonçi në shfaqjen "Rrethi", në teatrin "Migjeni", 14 shtator 2018

“Akti seksual në këtë shfaqje, është nevojë absolute për të ekzistuar, për të qenë në jetë. Duket sikur personazhet thonë “Unë bëj seks, prandaj ekzistoj”. Por ja që kjo nuk mjafton.”, shpjegon Gjonçi, duke shtuar se Schnitzler e paraqet njeriun si një qenie e mjerë, në kërkim të dashurisë. “Kërkon dashurinë e gjen thjesht seksin, i pazot për të fituar mbi vetminë, as përmes tij. Njerëzit flasin, por nuk rrëfehen, llomotisin por nuk komunikojnë. E kjo i bën të mos jenë kurrë lakuriq apo të zhveshur prej vërteti.” Vetmia nuk është fati i tyre, por faji i tyre. Ajo bazohet në gënjeshtra dhe mashtrime, në lakmi dhe në jetë sipërfaqësore. Vdekja është një tjetër mendim, i cili nuk i ndahet personazheve të pjesës. Ajo nxit tundimin për të shijuar momentin.

Çdo takim shndërrohet në një tjetër zhgënjim, një tjetër dështim, ndërsa ndryshimi – ai i takimeve dhe partnerëve seksualë – është një kapërcim nga një zbrazëti në tjetrën, mendon aktorja. “E nga ky karusel i dëshpëruar instinktesh, kuptoj që për zotin autor, rëndësi ka veç ajo që ndodh para dhe pas. Pamundësia e njeriut përballë aktit seksual, duke e përdorur këtë të fundit gati si një mënyrë për t’u vetëshkatërruar.”Megjithëse është shkruar në fund të viteve 1800, “Rrethi” vazhdon të rrëfejë vetminë e njeriut në çdo kohë, moshë, shtresë sociale dhe pranon pamundësinë e llojit njerëzor për të dashuruar.

Edhe pas më shumë se njëqind e ca vitesh, kjo vepër shkakton debat, e ashtu siç rrëfen aktorja Gjonçi, jo pak është shkruar në portale duke e etiketuar këtë vepër si tejet erotike apo edhe pornografike. “Pse në një Shqipëri që po tkurret, ku njerëzit kanë frikë të riprodhohen e të jenë dy, çfarë na u dashka një vepër që flet për faktin se kërkojmë dashuri e nuk e gjejmë, se shpesh e ngatërrojmë me apo pa dashje me seksin, në fund të të cilit, për dreq, jemi sërish bosh; çfarë na duhet një vepër që rrëfen se nuk ka shtresë sociale që të shpëton nga vetmia e nga ajo e tmerrshmja, koha?! As poeti, as aktorja, pra as arti, si gënjeshtra më e vërtetë në botë, nuk ia dalkësh të shpëtojë njeriun nga vetja. Por ama, mund t’i ofrojë një pasqyrë ku të shihet”, mendon Gjonçi. E megjithatë, ka pasur nga ata, që edhe pse tinëz, e kanë pëlqyer dhe vlerësuar performancën e aktorëve shqiptarë,  nën regjinë e austriakut Galle. Pas tri netëve në teatrin “Migjeni”, a do të vijë kjo shfaqje edhe për publikun kryeqytetas? Gjonçi thotë se ende nuk është paracaktuar, por ajo është tashmë e angazhuar me një shfaqje të re...

Aktoret Ina Gjonçi (majtas) dhe Krist Lleshi

E keni shpjeguar edhe në një status të gjatë në Facebook se çfarë është kjo shfaqje. Po si ishte rruga juaj si pjesë e kastës së “Rrethi”?

Ishte një ftesë e drejtoreshës së Teatrit Migjeni, Rita Gjeka, mendoj e shtyrë edhe nga fakti që unë kam bashkëpunuar me këtë teatër edhe më parë, në një komedi të zezë të Stefan Çapalikut. Me pak fjalë, familjariteti me Shkodrën, për mua ishte një vlerë e shtuar mendoj. Nuk e mendova gjatë dhe vendosa të isha pozitive, në përgjigje, pasi në çdo projekt t’i jep diçka, e merr diçka.

Autori Arthur Schnitzler vjenez, regjisori Allois Galle gjithaq vjenez. Është rastësi që dy austriakët zgjodhën Shkodrën, që le të themi ka pak ndikim austro-hungarez?

Alloisi e njihte Shqipërinë, njihte edhe Shkodrën, e jo pak herë rrëfente për vitet kur, kartolina me pamjen e këtij qyteti, shiteshin në mes të Vjenës. Bashkëpunimi është bërë i mundur prej Ambasadës Austriake në Shqipëri, zotit Gjergj Leqejza, si dhe Bashkisë së Qytetit. Mendoj që, Rita ka një dëshirë aq të fortë që Teatri të sjellë projekte të reja, të ndryshme mes tyre, sa nuk ka droje për t’i thënë “po” një projekti me një regjisor të huaj që kërkon logjistikë të pagabueshme. Për teatrot e rretheve, është e vështirë, me buxhetet që kanë, ta kenë këtë logjistike, ndaj nga ky këndvështrim, kjo shfaqje, mendoj se është një arritje.

Këtij teksti më 1904-ën iu ndalua botimi në Austri, a vazhdon të jetë po aq polemik edhe në shekullin e XXI?

Përsa i përket polemikës, unë kam vendosur të kem një mburojë. Jo se dua të ‘shtirem” sikur vij nga një tjetër planet e sikur nuk e kuptoj problemin e qenies njerëzore në përgjithësi, kur i preket intimiteti apo seksualiteti, përkundrazi. Si një njeri që përpiqet çdo ditë, të vazhdojë të bëjë këtë profesion, duhet të jem shumë më e ndjeshme ndaj problemeve, kërkesave apo nevojave të publikut. Por nuk mendoj sinqerisht, se teksti ka tejkalime që fyejnë apo provokojnë shëmtuar spektatorin. Kam parë e kam lexuar shumë këto ditë, në portalet e qytetit më së shumti, shkrime të çuditshme që flasin për një shfaqje “erotike” gati “pornografike” , ndërkohë që Schnitzleri, nuk flet për asgjë të mbinatyrshme, që nuk është pjesë e qenies njerëzore. Por gjithsesi, në fund të ditës, detyra e teatrit mbetet të provokojë.

Dy partnerë, dhjetë rrëfime erotike, pse Rrethi? Çfarë simbolizon në këtë shfaqje?

Rrethi në këtë shfaqje është një itinerar, pasi dhjetë rrëfimet, përmbyllen aty ku kanë nisur. Personazhi që nis veprën, një prostitutë në kërkim të dashurisë, është edhe ajo që e përmbyll, vetëm se në skenën e fundit, janë të tjerët që tashme kërkojnë dashuri tek ajo. Përveç kësaj, në një kuptim, të gjithë jemi pjesë e një Rrethi: vijmë nga asgjëja (apo gjithçkaja) për të vajtur në asgjë (apo në gjithçka).

Akti seksual sublimohet në këtë vepër si fara e gjithçkaje, ajo që ngjiz universin, jetën, bashkon njerëz, riprodhon apo edhe fara e shkatërrimit të gjithçkaje ?

Akti seksual në këtë shfaqje, është nevojë absolute për të ekzistuar, për të qenë në jetë. Duket sikur personazhet thonë “Unë bëj seks, prandaj ekzistoj”. Por ja që kjo nuk mjafton. Schnitzleri e paraqet njeriun si një qenie e mjerë, në kërkim të dashurisë, ndërkohë që e vetmja gjë që arrin të fitojë në fund është një “grusht thërrimesh” : kërkon dashurinë e gjen thjesht seksin, i pazot për të fituar mbi vetminë, as përmes tij. Njerëzit flasin, por nuk rrëfehen, llomotisin por nuk komunikojnë. E kjo i bën të mos jenë kurrë lakuriq apo të zhveshur prej vërteti. As gjatë aktit të dashurisë, e për këtë arsye ky i fundit shndërrohet në një akt seksual. Madje në karikaturën e këtij të fundit, pasi personazhet e Schnitzlerit, nuk fitojnë as kënaqësinë fizike, e kjo është më e dhimbshmja. Por edhe e vërteta: egoizmi, guaska ku futemi, mjerimi i qenies njerëzore -për sa kohë e tillë-e pavërteta dhe gënjeshtra, sjellin veç vetmi e akoma më shumë, mjerim.

Përse personazhet nuk kanë emra të përveçëm? Çfarë mishërojnë të gjithë në fabulën e madhe të ekzistencës, filozofisë universale?

Personazhet e Schnitzler-it, janë stereotipa, përfaqësues të një shtrese të caktuar sociale, e ndonëse dallojnë nga kjo e fundit, ndonëse përgjatë dramës që nis me një prostitutë e përfundon me një kont, dialogët sofistikohen e gjuha bëhet më e zgjedhur, gjatë aktit seksual, të gjithë janë njëlloj. Nuk ka të parë e të fundit, gjatë intimitetit. Të gjithë gënjejnë njëlloj, zhgënjehen njëlloj, përpiqen të shpëtojnë njëlloj. Jo më kot, edhe konti plak dhe i pasur, e gjen veten duke lypur pak dashuri e vëmendje nga një prostitutë (jo dhe aq) e zakonshme.

Si shkuan tri ditët e shfaqjes në Shkodër? A do të vijë edhe në Tiranë ?

Nuk e di nëse polemika që unë e quajta të çuditshme, “infektoi” publikun e gjerë, por di të them që kishte njerëz të cilët tinëz, shprehnin interes apo pëlqim për shfaqjen. Përsa i përket ardhjes në Tiranë, nuk kemi ende asgjë të paracaktuar.

Cilat ishin përjetimet tuaja për këtë vepër dhe këtë shfaqje?

Unë jam kënaqur shumë e kam njohur njerëz e energji të reja, në Shkodër. Ndonjëherë shfaqjet të shërbejnë edhe në planin njerëzor apo jetësor, e mund të them që kam fituar mikesha të reja në Shkodër, veç atyre që kisha. Bashkëpunimi me Alloisin ishte diçka ndryshe, përsa i përket mënyrës së punës-direkt në skenë, pa punën paraprake në tavolinë, me të cilën ne jemi mësuar-e ndonëse unë mbetem “fanse” e “mënyrës klasike” mbase “demode” për dikë, mendoj që fitova këndvështrime të reja.

Pas kësaj shfaqjeje ku do të jeni e angazhuar në këtë sezon të ri, jo vetëm teatror por edhe televiziv?

Do jem së shpejti pjesë e një projekti në teatër, si aktore, me regjisorin Arben Kumbaro, në një projekt sfidues -shumë sfidues madje-po ashtu, si dhe me miken time Rudina Dembacajn do sjellim diçka për publikun në skenë, por kësaj here do jem pas kuintave, në pozicionin e regjisores-sado që e kam të vështirë ta shqiptoj si “titull” pasi mendoj se është tejet impenjativ. Regjisorë kudo që jeni, ndjesë!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë