Art dhe Kulture

Shfaqet “Aladdini” dhe një rikthim në Teatër…

Spektatorëve të vegjël që prej shumë kohësh u ka munguar gjallëria e skenës së Teatrit, kanë gjetur mënyrën t’ju gjenden pranë 4 të rinj që janë pjesë e Teatrit Shëtitës me shfaqjen “Aladdin” në një skenë alternative si amfiteatri i Akademisë së Arteve.

Shfaqja për fëmijë, “Aladdin”, erdhi më 8 dhe 9 maj si shfaqje muzikal ku ndërthuret aq bukur fjala, kënga dhe kërcimi dhe spektatorët e vegjël ulur në ndenjëset e sallës në natyrë shijuan performancën e aktorëve në ambientet e Amfiteatrit.

Fëmijët e vegjël u kthyen vërtet në Teatër dhe u vendosën në mes të ngjarjeve; në mes të Agrabas, qytetit të shkretëtirës, nxehtësisë, intrigave, tapeteve fluturues, xhindeve dhe dashurisë.

Është Aladini personazhi kryesor, një djalë që vidhte për të mbijetuar, i cili takohet në qytet me vajzën më të bukur që kishte parë. Pasi vajza ikën ai kupton që ishte princeshë Jasminë. Por dashuria midis tyre ishte e pamundur për shkak të pozicioneve shoqërore. Në fund, dashuria dhe pastërtia e Aladinit dhe Jasminës mbizotëron mbi ligësinë e magjistarit Xhafar.

Kesina Lami, regjisorja e kësaj shfaqje, tregon për Gazetën “Si” se si lindi ideja për të sjellë shfaqjen “Aladdin”, në Teatrin Veror.

“Kur m’u propozua të vendosja shfaqje për fëmijë dhe të hapnin ‘Teatrin Shëtitës Çajupin’ kisha dy gjëra në mendje: 1- një shfaqje që fëmijët e duan 2- një shfaqje muzikal. Ishte Aladini një nga filmat e mi vizatimor më të dashur dhe edhe i fëmijëve në ditët e sotme. Muzika arabe ishte një nga shtysat e para”, shprehet Lami për Gazetën “Si”.  

Regjisorja Kesina Lami

Shfaqja erdhi nën interpretimin e 4 aktorëve, Anxhela Gaxhazi, Altea Alushi, Elios Shuli dhe Dario Zela, (interpreton Aladinin), të cilët për 50 minuta i apasionuan spektatorët e vegjël pas efekteve speciale, ngjyrave, dritës dhe mesazheve për ta. Duke qenë se shfaqja ishte muzikal, 38 minuta ishin këngë që u kënduan Live nga aktorët.

Duke e lidhur dhe me periudhën e vështirë të pandemisë dhe mungesën e aktiviteteve artistike, Lami thekson se kishte ardhur koha që fëmijët të ushqeheshin me art.

“Për shkak të pandemisë, fatkeqësisht në vendin tonë nuk janë hapur teatrot, bashkë me drejtorin e Teatrit,  profesorin Kiço Londo, menduam që Teatri Veror i Akademisë së Arteve ishte vendi perfekt ku ne mund të rifillonim t’i ushqenim me art fëmijët”, vijon më tej ajo.

Regjisorja Lami shprehet se ky komunikim i parë Live me fëmijët për këtë vit rezultoi i frytshëm, pasi kishte shumë shikueshmëri.

“Shikueshmëria ishte shumë më mirë nga se e kisha menduar unë. Mendoj që fëmijët dhe prindërit kishin nevojë për art”, thotë Lami.

Premiera më e re për spektatorët e vegjël “Aladdin” do të vazhdojë shfaqjet edhe në datat 14 dhe 15 maj ora 18:30 në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve.

“Shfaqjen do e japim çdo të premte dhe të shtunë në orën 18:30. Do jepen 25 shfaqje dhe do të jepet dhe në rrethe”, përfundon regjisorja.

Me ngrohjen e motit, Teatri Veror “priti” edhe komedinë brilante “Boeing Boeing”, e cila u ngrit në një fluturim spektakolar më 7, 8 dhe 9 maj.

E në një kohë që teatrot nuk i kanë hapur dyert fizikë, Teatri Veror do të vijojë të gjallërohet edhe me shfaqje të tjera.

“Në datat 20-21 dhe 22 do të jetë Teatri Metropol me shfaqjen “Këngëtarja tullace”. Gjithashtu do të ketë edhe me 1 qershor një aktivitet për fëmijë”, thotë përgjegjësi i sallave dhe shërbimeve mbështetëse në Akademinë e Arteve, Redi Shehu për Gazetën “Si”.

Edhe pse teatrot ende nuk gëzojnë lejimin e aktivitetit, duket se sheshet si skena alternative po nisin të minojnë vuajtjen e pasojave të gjata të pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë