Gazeta Si – Autori i dyshuar i vrasjes së një 27-vjeçari shqiptar dhe plagosjes së tre të tjerëve në Itali, është identifikuar si Mikea Zaka.
Mediat lokale raportojnë se 23-vjeçari që jeton në “Casermone” (një kompleks i madh banesash publike), akuzohet për vrasje, vrasje në tentativë të trefishtë dhe armëmbajtje pa leje.
Pamjet bënë të mundur rindërtimin e asaj që ndodhi dhe rruga e ndjekur nga hetuesit që në minutën e parë po merr formë.
Bëhet fjalë për një përplasje për kontrollin e shesheve të shpërndarjes së trafikut të drogës dhe prostitucionit në Frozinone, të goditur javët e fundit nga një sërë operacionesh policore, të cilat kanë çmontuar rrjetin e mëparshëm të trafikantëve.
Por sipas rrëfimit të vrasësit në polici, sherri mes tij dhe dy vëllezërve (njëri vdiq, tjetri i plagosur rëndë), dyshohet të ketë nisur më herët për një vajzë.
Dinamika
Është pothuajse ora 19:30 kur 4 shqiptarë dalin nga një makinë tip “Lancia Y 10” e marrë me qira disa ditë më parë dhe i afrohen një tavoline jashtë “Shake Bar”, zemra e jetës së natës dhe pikëtakimi për të rinjtë në Frozinone, në qendrën “Via Aldo Moro”.
Në tavolinë janë pesë bashkatdhetarë, me të cilët diskutimi degjeneron shpejt. Në rrezik është dominimi mbi tregun e drogës dhe prostitucionit.
Menjëherë, nga fjalët kalojnë në vepra, derisa njëri nga të pestët, që ishte ulur në tavolinë, nxjerr armën dhe qëllon në drejtim të katër bashkatdhetarëve që mbërritën me makinë.
Një i vdekur dhe tre të plagosur
Njëri mbetet në tokë dhe vdes pas rreth njëzet minutash: ai ishte 27 vjeç. Të plagosurit e tjerë janë dërguar në spitalin e Frozinones.
Njëri prej tyre, në gjendje shumë të rëndë (i cili fillimisht u raportua i vdekur) u transferua në San Camillo të Romës gjatë natës, ku ndodhet në terapi intensive pas një plumbi që e goditi në gjoks. Kushtet e dy të tjerëve, të goditur në këmbë, megjithatë nuk janë shqetësuese.
Rrëfimi
Vrasësi Mikea Zaka, i ndjekur me sa duket nga policia, ka telefonuar avokatin e tij, Marco Maietta, i cili e ka shoqëruar në komisariat për t’u dorëzuar.
Dhe këtu ai ka rrëfyer. Nga ana tjetër, pamjet e video survejimit nga Bashkia e Frozinones ishin aq të qarta, saqë mund të konfirmonin vetëm atë që kishte konstatuar tashmë policia.
Dhe gjatë natës, i i pyetur nga hetuesit italianë, Zaka iu përgjigj të gjitha pyetjeve duke rindërtuar atë që ndodhi.
“Isha në bar me miqtë e mi kur u afrua një ‘Y10’. Menjëherë pashë Ervinin dhe vëllain e tij, Kasen që po vinte drejt meje në mënyrë kërcënuese”.
Mikea merr frymë, flet herë pas here, teksa i kujton ato momente dhe i rrethuar nga avokati Maietta shton: “Me Kasen kam pasur një mosmarrëveshje të vjetër për arsye sentimentale për shkak të një vajze”.
Vetëmbrojtje
Me sa duket, shkaku për një vajzë dyshohet si motivi i ngjarjes, për të cilën (specifikon policia) ka edhe arsye për hegjemoninë në territor për shkak të tregut të prostitucionit dhe shpërndarjes së drogës. Sa i takon pjesës tjetër, konflikti mes shqiptarëve ka lidhje me kodin shqiptar të nderit, Kanunin.
“Kur të katërt iu afruan tavolinës sonë, – vazhdoi i arrestuari, – menjëherë na sulmuan me fjalë dhe filloi një sherr. Në atë moment mora armën dhe qëllova. Por për të mbrojtur veten”.
Dhe Ervini, 27 vjeç, mbeti në tokë dhe vdiq pas njëzet minutash agonie. Më pas ai shtoi se armën e ka hedhur nga ura në “Via Verdi”, ku policia po përpiqet ta rikuperojë.
Rreth orës 03:00 Mikea Zaka (i cili nuk ka precedentë penalë, por është i njohur në komisariat) u dërgua në burg, por, para se të largohej nga komisariati, ai tha se ishte shumë i penduar për atë që kishte bërë.
Pozicioni i shqiptarëve të tjerë (si ata që ishin ulur me të, ashtu edhe ata që erdhën me “Y 10”) po shqyrtohet tashmë nga organet e drejtësisë që po vlerësojnë hipotezat e tjera të krimit, duke filluar nga sherri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.