Nga Gazeta 'Si'- Një postim në rrjetin social Snapchat mbrëmjen e të enjtes është bërë shkak për konfliktin që ka ndodhur mëngjesin e sotëm mes dy nxënësve në shkollën e mesme “Mustafa Hoxha” në Cakran të Fierit.
Sherri ka ndodhur në orën 08:30 në ambientet e oborrit të shkollës ku dy 17 vjeçarët janë konfliktuar fillimisht verbalisht dhe më pas 17 vjeçari B.D, ka goditur me thikë biçak në krah bashkëmoshatarin e tij Y.Xh. Ndërkohë B.D., është shoqëruar në polici për veprime të mëtejshme, teksai i është sekuestruar thika me të cilën goditi adoleshentin tjetër.
17 vjeçari ka marrë 4 plagë në trup dhe sipas drejtorit të qendrës shëndetësore, i mituri është paraqitur për ndihmë mjekësore i shoqëruar nga shokët dhe mësueset.
“E sollën këtu mësues dhe nxënësit, shokët e vet. Ishte me hemoragji nga krahu i majtë. Ishte goditur me mjete prerëse. Është jashtë rrezikut për jetën. Më pas u nis për mjekim të specializuar në spitalin e Fierit. Nxënësi ishte gjithë kohës koshient”, shprehet mjeku.
Konflikti është parë nga dy mësuese të cilat kanë qenë dëshmitare dhe Prokurorja e çështjes, Oliana Gjergjefi ka pohuar për mediat se janë marrë dëshmitë e dy mësueseve që kanë qenë të pranishme gjatë momentit të konfliktit ndërkohë që është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes.
“Kemi pyetur dëshmitarët okularë. Dy mësuese të cilat kanë qenë të pranishme gjatë konfliktit. Ngjarja është e rëndë. Garantojmë hetim të plotë e të gjithanshëm”, tha Prokurorja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.