Politike

KQZ vendos: Fleta e votimit me emrat e kandidatëve

Emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit do të shënohen në fletën e votimit. Ky është vendimi i KQZ-së që i dha fund debatit të PSme PD e LSI për modelin e fletës së votimit.

Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi mblodhi këtë të enjte partitë politike kryesore garuese në zgjedhjet e 25 prillit për të marrë mendimin e tyre para se të miratojë modelin e fletës së votimit.

Pas ndasive mbi numrin e kandidatëve dhe mënyrës së përllogaritjes së mandateve, në këtë mbledhje doli edhe ndasia e madhe mes PS-së nga njëra anë dhe PD e LSI-së nga ana tjetër.

Socialistët i propozuan Komisionerit që të miratojë modelin e fletës, ku kandidatët janë me numra dhe jo me emra. Përfaqësuesi i PS-së, Eridian Salianji e argumentoi këtë kërkesë me bindjen se ky model flete është më i thjeshtë për qytetarët dhe për vetë administratën zgjedhore.

Ai kundërshtoi fletën e votimit me emra, pasi tha se ajo do të ndikojë negativisht në procesin e numërimit të votave dhe për më tepër shton mundësitë e abuzimit në këtë proces, duke u pamundësuar partive të vogla që janë të përfaqësuara me vëzhgues në komisionet e numërimit që të mbrojnë votën e tyre.

PD nga ana tjetër tha se modeli me numra nuk përputhet me frymën e Kodit Zgjedhor dhe me hapjen e listave. Ivi Kaso, përfaqësues i demokratëve u shpreh se legjislacioni parashikon që kandidatët duhet të identifikohen vetëm me emra dhe akuzoi PS për fshehje të kandidatëve problematikë pas numrave.

Të njëjtin qëndrim ndau edhe LSI, ndërsa Partia Socialdemokrate e Tom Doshit u shfaq po për variantin me emra, duke deklaruar se tashmë kjo parti e ka nisur fushatën mbi këtë model flete votimi.

Fletë votimi me emra kërkoi edhe Nisma Thurje, ndërsa Bindja Demokratike propozoi që në vend të emrave të shihej mundësia që të vendoseshin inicialet e kandidatëve. Një tjetër çështje që kjo forcë politike ka të hapur në KQZ është ajo e siglës së partisë, pasi PD ka depozituar një kërkesë tek Ilirjan Celibashi që Bindja të ndryshojë për shkak të ngjashmërisë së madhe që ka me atë të demokratëve.

Fabian Topollaj, përfaqësues i Bindjes në KQZ tha se pavarësisht se për këtë temë legjislacioni i trajton të barabarta dy subjektet zgjedhore, partia që ai përfaqëson kishte ndryshuar logon për të mos u bërë pengesë në miratimin e fletës së votimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë