Tani që LeBron James ka kaluar kufirin e 40.000 pikëve në sezonin e rregullt në NBA është koha të hedhim një sy tek ata që kanë bërë historinë. Klasifikimi në vazhdim nuk përfshin kontributin në fazën playoff.
1. LeBron James – 41072 pikë*
Shënuesi më i Mirë i të gjitha kohërave, James theu rekordin e Kareem Abdul-Jabbar në 7 Shkurtin e kaluar. Prej atij momenti ai nuk ndaloi më dhe kaloi barrierën e 40000 pikëve në 2 Marsin e këtij viti. 40 vjeçari shënoi 15251 në aventurën e parë me Cleveland Cavaliers, përpara se të shtonte 7919 pikë të tjera kur u transferua për 4 vite te Miami Heat. Gjatë kthimit në Cleveland shënoi edhe 7868 pikë për skuadrën me të cilën debutoi. Ndërsa vazhdon të shënojë pa ndalim me Los Angeles Lakers. James ka lënë pas 1500 ndeshje në sezonin e rregullt e ka shërbyer më shumë se 11.000 asists.
2. Kareem Abdul-Jabbar – 38.387 pikë
Përpara LeBron, Kareem ishte Shënuesi më i Mirë i të gjitha kohërave, rekord i vendosur prej vitit 1984 dhe konsoliduar në vitin 1989. 6 herë kampion në NBA, Abdul-Jabbar u shpall 6 herë Lojtari i Sezonit dhe dy herë Lojtari më i Mirë i Finaleve. E mbylli karrierën me 1560 ndeshje, i dyti në NBA pas Robert Parish (1611 ndeshje). Ai shënoi 14211 pikë në 6 vite te Milwaukee Bucks dhe 24176 pikë të tjera për Lakers me një mesatare të përgjithshme 24.6 pikë për ndeshje.
3. Karl Malone – 36928 pikë
Legjenda e Utah Jazz dhe 14 herë pjesëmarrësi në “NBA All-Star Game” mund të mos ketë fituar asnjë titull, por pikët nuk i munguan asnjëherë. Gjatë 18 viteve në Utah u shpall dy herë Lojtari i Sezonit. Pjesën dërrmuese të pikëve (36374) e shënoi me Jazz ndërsa shtoi vetëm 554 me Lakers përpara mbylljes së karrierës në vitin 2004. Gjatë së cilës realizoi mesatarisht 25 pikë për ndeshje.
4. Kobe Bryant – 33643 pikë
Katër të parët në këtë klasifikim e veshën të paktën një herë fanellën e Lakers, por Bryant do të mbetet i vetmi që tërë karrierën e tij e zhvilloi me këtë skuadër. E thënë ndryshe, 20 sezone në Los Angeles, sponda e verdhë. Ashtu si Malone edhe Bryant shënoi 25 pikë për ndeshje por fitoi 5 tituj kampionë, 1 çmim si Lojtari i Sezonit dhe dy të tjerë si Lojtari i Finaleve. Sezoni më i mirë i tij ishte 2005-06 kur realizoi 2832 pikë në 80 ndeshje, mesatarishrt 35.4 për çdo njërën.
5. Michael Jordan – 32292 pikë
Si është e mundur që ai që konsiderohet më i Miri i të Gjitha Kohërave, të jetë në vendin e pestë? Edhe kjo ka një përgjigje: Jordan luajti më pak ndeshje se ata që qëndrojnë më lart tij këtu! Konkretisht 1072 ndeshje në sezonin e rregullt, minimalisht 274 ndeshje më pak se 4 kryesuesit. Në një karrierë të jashtëzakonshme që përfshin 6 tituj kampionë, 6 çmime si Lojtari i Sezonit dhe 5 si Lojtari i Finaleve, Jordan luajti shumicën e kohës me Chicago Bulls përpara dy viteve te Washington Wizards. Mesatarja e tij 30.1 pikë për ndeshje është më e larta në klasifikim dhe sezoni më i mirë mbetet ai 1986-87 kur shënoi 3041 pikë në 82 ndeshje me mesataren e pabesueshme 37.1 pikë për çdo rast që zbriti në parket.
6. Dirk Nowitzki – 31560 pikë
Jason Kidd thotë se Luka Doncic është Lojtari më i Mirë që ka luajtur ndonjëherë për Dallas Mavericks duke shtuar: “Ai është më i mirë edhe se Dirk”. Një vlerësim superior po të kemi parasysh se Nowitzki është Shënuesi i 6 më i mirë në histori. Gjermani luajti për 21 sezone dhe 1522 ndeshje në sezonin e rregullt për Mavs. Ai fitoi titullin në NBA dhe çmimin si Lojtari i Finaleve në vitin 2011. Gjithashtu u shpall Lojtari i Sezonit në vitin 2007 dhe u përzgjodh 14 herë në “NBA All-Star Game”.
7. Wilt Chamberlain – 31419 pikë
Njeriu që mban një mori rekordesh individuale është vetëm i shtati këtu. Chamberlain fitoi dy tituj në NBA, 4 çmime si Lojtari i Sezonit dhe 1 si Lojtari i Finaleve. Në karrierën e tij luajti për Philadelphia/San Francisco Warriors, Philadelphia 76ers dhe Los Angeles Lakers duke vendosur rekordin që u thye nga Abdul-Jabbar në vitin 1984. Chamberlain luajti më pak ndeshje se 9 rivalët këtu (1045) dhe ashtu si Jordan e mbylli karrierën me një mesatare prej 30.1 pikësh për ndeshje.
8. Kevin Durant – 29389 pikë*
Bashkë me James, Durant është një nga dy lojtarët ende në aktivitet. Durant vazhdon të shënojë në NBA si pjesë e Phoenix Suns. Gjatë 9 sezoneve me Seattle SuperSonics/Oklahoma City Thunder, Durant e vendosi veten në Panteonin e NBA duke zhvilluar dy sezone me 30.0 pikë për ndeshje. Por me Golden State Warriors fitoi dy titujt kampionë në 3 vite përpara se të largohej drejt Brooklyn Nets në 2019. Humbi tërë sezonin 2019-20 por u kthye në 2020 duke zhvilluar dy sezone e gjysëm përpara se të bashkohej me Suns në 2023. Shifrën e 1000 ndeshjeve në sezonin e rregullt e kaloi Nëntorin e vitit 2023 dhe ka mundësi të përmirësohet më shumë në klasifikim.
9. Shaquille O’Neal – 28596 pikë
Aktualisht një analist i basketbollit, O’Neal përfaqësoi 6 skuadra në 19 vite në parketin e NBA ku ai fitoi 4 tituj kampionë, 3 çmime si Lojtari i Finaleve dhe 1 tjetër si Lojtari i Sezonit. Shaq luajti në 4 vitet e para te Orlando Magic, përpara 8 të tjerëve për Lakers. Tre vite e gjysëm te Miami Heat u pasuan nga periudha të shkurtra për Phoenix Suns, Cavaliers dhe Boston Celtics përpara uljes së siparit në vitin 2011. Në 1207 ndeshje ai realizoi mesatarisht 23.7 pikë për ndeshje.
10. Carmelo Anthony – 28289 pikë
U bë i njohur te Denver Nuggets ku shënoi 1725 pikë në sezonine parë dhe pas 7 viteve e gjysëm në Denver u transferua te New York Knicks, ku luajti deri në 2017. Periudha të shkurtra te Oklahoma City Thunder dhe Houston Rockets përpara dy viteve te Portland Trail Blazers. Por nuk mund të tërhiqej në 2022 pa veshur fanellën e Los Angeles Lakers. Ashtu si Shaq edhe Melo luajti për 6 skuadra por në rast se Anthony nuk fitoi asnjëherë një titull, ai përzgjodh 10 herë në “NBA All-Star”. Shënoi mesatarisht 22.5 pikë gjatë 1260 ndeshjeve në NBA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.