Libra

Dostojevski në një burg shqiptar

Ishte viti 1978 dhe ai ishte vetëm 37 vjeç. Kalonte ditët më të vështira të jetës së tij në burgun më të tmerrshëm të Shqipërisë komuniste, atë të Burrelit për agjitacion dhe propagandë.

 

 

 

Nazim Saiti

 

Nazim Saiti nga Shkodra, aspak në lidhje profesionale me letërsinë a përkthimin, me dëshirën më të madhe për të jetuar dhe për ti dhënë kuptim ditëve të errëta dhe të pashpresa në qeli, merrej me përkthimin e librave të Dostojevskit.

 

33 vite pas përkthimit dhe 17 vite pasi ai është larguar kësaj bote, djali i tij 27 vjeçar Saiti i jep dritë një prej dorëshkrimeve të tij: “Zapiski iz podpol'ya” , i sjellë në gjuhën shqipe “Shënime nga bodrumi”.  Botimi në shqip i ka qëndruar qëllimisht besnik titullit të përkthyer prej Nazim Saitit.

 

Sapo ka dalë nga shtypi prej shtëpisë botue se Çabej libri i Dostojevskit “Shënime nga bodrumi” i përkthyer në burgun e Burrelit më 1978 nga Nazim Saiti, babai yt. Ti je marrë me gjithçka për t’i dhënë dritën këtij botimi. Kur ke rënë në gjurmët e dorëshkrimit?

 

Praktikisht i kam dhanë hov nijetit për ta krye si amanet. Mbasi i asht dorëzue shtëpisë botuese, asht ripa dhe i janë ba pak prekje uniformizuese. Dorëshkrimin e kemi pasë gjithmonë në shtëpi: krahas moshës, rritjes disi të çoroditun dhe mospasjes së një lloj vullneti të tij të shprehun para se të ndërronte jetë, do fletore burgu zor se na shkonin ndër mend krahas mungesës së tij. Fakti që shpëtuen kur ndodhi përmbytja në dhjetorin e 2010 m’u fanit sikur u hoq një perde që m’pengonte me i pa se çka vërtetë janë.

 

Kur e ke lexuar për herë të parë?

 

Vitin pasues, më 2011 dhe 2012. Nuk kisha ndonjë plan të qartë se çka me ba me to, gjithsesi...

 

Çfarë ke kuptuar, cilat ishin refleksionet e tua ndërsa e lexoje?

 

 

E vështirë me u thanë vetëm me përceptimin ndijor, por kam vu re gjithmonë se kaligrafia ime vetvetiu ka ardhë tue i përngja të tijës natyrshëm. Gja kjo që ka ndodhë pa e marrë kurrë si shembull shkrimi, meqë dorëshkrimeve u dhashë vëmendje relativisht vonë. Përveç ngjashmënisë dhe identifikimin me kaligrafinë, hamendesha se mos m’ishin zhvillue pavetëdijshëm kallëpe karakteriale, qasje e qëndrime të tij.
Disa nga botëkuptimet e historisë së njerëzimit e kanë apo kanë pasë shkrimin si formën ma mistike të të shprehunit, metodë meditimi, sprovë drejt vetëpërsosjes, etj. Shkrimi i babës asht shkrimi i një njeriu që ka kalue jo pak kohë në introspeksion në ato rrethana – shtoji aktin e përkthimit, që disafishon introspeksionin.

 

 

 

A ka dorëshkrime të tjera babai?

 

Po, ka lanë edhe gjashtë përkthime të tjera në dorëshkrim, të gjitha janë vepra të Dostojevskit.

 

Pse zgjodhe këtë për ta botuar?

 

Doreshkrimi

 

Çështje mbrese dhe jehone: bodrumi asht një kumt tejet i hollë, ku shumëkush mundet me gjetë veten dhe mjedisin përreth si të tillë.

 

Çfarë përfaqëson për ty ky botim dhe kush duhet ta lexojë e pse?

 

Përfaqëson të parin ndër përkthimet që u botue, uroj që të tjerët ta ndjekin në një hark kohor ma të volitshëm. Duhet ta lexojnë shqiptari si njeri-bodrumi i të djeshmes dhe i të sotmes, ta lexojnë shqipdashësi si shembull të një gjuhe të njësueme siç duhej të ishte (si e Camajt dhe e Pashkut), nga studjuesi që mund ta shohë si mjet krahasimi me përkthime të tjera nga i njëjti autor, dhe nga dashamirësi letërsisë për ta pa Dostojevskin edhe ndryshe.

 

Babai ka ndërruar jetë kur ke qenë 9 vjeç. Çfarë kujtimesh ruan me të dhe gjithë familjen?

 

Prej faktit që u nda nga jeta herët dhe në mënyrë të vrazhdë, m’asht ba ma i thekshëm çdo kujtim. Si njeri tejmase i jetuem, ishte sa kompleks aq edhe i thjeshtë: në familje ishte i shtrënguet (apo i rreptë, n’daç) dhe prindërimin e kishte një ndër zejet e veta. Kishte distilue artin e t’kenit autoritar, dhe simbas rastit edhe krejt pupël – por pa humbë kurrë praninë.

 

Çfarë natyre kishte babai?

Vijon edhe këtu kompleksiteti: ka qenë i dëlirë, i dallohej në sy një si punë dëlirësie djaloshare kur ishte me hanë të mirë. Matës i mirë shenjash, njohës karakteresh, rrethanash dhe lexues i mesrreshtave të situatave. Tipari i trashëguem që kam vu re, asht se ka pasë një ironi thumbuese dhe karizëm, kishte rreth të gjanë, “i ecte fjala” pa e pasë qëllim në vetvete.
Në botëkuptimin musliman, emni përmban premisën e vetisë përshkruese të (nomen est omen për latinin, apo jugu jonë fjala ndjell (kuptimin e saj) njeriut: emni Nazim vjen nga rranja treshkronjore arabe n-ẓ-m, folja që del nga kjo rranjë në shqip mund të vijnë “me vu për fije, me vu simbas rendit, me vu rregull”; i jam përsiatë do kohë këtij kismeti që përmban emni, dhe vërtetë që edhe rendi a rendimi, ishte pjesë e natyrës së tij.

 

Cila ishte marrëdhënia mes ju të dyve?

Marrëdhanie primordiale prind-fëmijë: kujtimi ndoshta i pari që m’vjen me të asht tue e pyetë për emnin e një kanarine (merakli qysh në fëmini, mbanim shumë) dhe m’tha që e kishte emnin Sait dhe se unë kisha emnin e kanarinës (m’asht dhanë emni i gjyshit, atbotë nuk e dija). Mund të kem qenë 4 vjeç… kur ishte me hanë të mirë, e poetizonte momentin natyrshëm. Më lexonte Mjedën, më ka mësue notin, m’ka dhanë librin e parë dhe më ka mësue disa gjuhë të hueja.
Fëmija i bindet natyrshëm njeriut që e ban për vete në mënyrë gjithpërfshirëse, pa pretendime elitiste, por ishte e vështirë t’i kontestohej tagri.

 

Cili ishte profesioni i babait?

 

Ka punue në marinë tregtare për ndoshta 5 vite (1961 – 1966), ma tej ka qenë mekanik i mesëm, në burg minator afërmendsh dhe në vitet ’90 u mor pak me tregti.

 

Merrej prej gjithmonë me letërsi apo nisi të kalonte kohën në burg?

 

Ka lexue edhe para burgut, nuk e di “a merrej me letërsi” përtej kësaj. Një mik i tij i gjithë jetës, Tasim Mlloja, më pat tregue se njëherë baba ishte sëmurë me bronkopneumoni kur ishte në marinë dhe Tasimi i çoi disa vëllime të një enciklopedie në rusisht: i përpinte. Aq sa e mbaj mend, të shumtën e herëve e kujtoj tue lexue në shtëpi, printe përmes shembullit.

 

Në ç'gjuhë përkthente e ç'letërsi pëlqente?

 

Për sa m’asht thanë, baba para burgut ka zotnue italishten, frangjishten dhe rusishten. Në burg ka nxanë anglishten, gjermanishten dhe një të gjashtë – mund të hamendësoj për latinishten meqë kishte miqësi me klerikët katolikë bashkëvuejtës dhe prej dy-tri rasteve që mbaj mend. Pëlqente rusët e 1800-ës: Tolstoin, Dostojevskin, Turgenjevin dhe Lermontovin; dhe “nga fronti i perëndimit” Balzakun.

 

Ka lënë kujtime me shkrim babai?

 

Jo, nuk ka lanë kujtime me shkrim.

 

Ai ka vuajtur dënimin për agjitacion e propagandë për 11 vite me radhë në burgun e Burrelit në vitet 1975-“86 ku dhe ka përkthyer “Shënime nga bodrumi”. A ka një tis ngjashmërie me përjetimet e babait e të njeriut në diktaturë ky libër i një klasiku rus?

Dënimi ka qenë për “agjitacion propagandë” 10 vite dhe “përvetësim të pronës socialiste” 3 vite. Ndër procesverbalet e gjyqit pohon se “pronën socialiste” (disa vegla) i kishte ble, por i asht pohue mbrapa se për denigrim iu kopsit ashtu dënimi. Sidoqoftë, u lirue disi ma herët. Dënimin e kaloi në Spaç, Burrel dhe Qafë Bari (nuk jam i sigurtë për renditjen).
Po, Dostojevski shkruente edhe para burgut, por mbas burgut u çmend dhe shkroi gjithçka tjetër. D. shkruen për diktaturën që i mbivendos dobësia njerëzore shpirtit: në kohën kur baba e përktheu, dobësia njerëzore ishte materializue në nivel shtetnor, tuj u ba ligësi e mekanizueme.

 

Kjo novelë dha shenjat e para të gjenisë së Dostojevskit, pas të cilit do të vinin kryevepra të tilla si “Vëllezërit Karamazovë” apo Idioti”. Mjeshtror në rrëfim, tronditës në ngjarjen që rrok, ky libër u përkthye nga Nazim Saiti në vitin 1978, teksa ndodhej në burgun e Burrel

 

Si ishte jeta e një njeriu si babai yt pas 11 viteve në burgun më të tmerrshëm shqiptar në atë kohë?

 

Psikologjikisht e vështirë për t’i mbajtë copat bashkë, besoj. Por kishte vullnet me jetue, atë s’ia kishin heqë.

 

Si i kaloi ai vitet deri në 2001 kur u nda nga jeta?

 

Provoi për pak kohë tregtinë, emigracionin, kundërshtoi zhvillimet mbrenda Partisë Demokratike – ishte me Legalitetin, përkrahu zgjedhjen e Bahri Boriçit kryetar bashkie. Dhe kujtoj që i shkuen lot kur u bombardue Beogradi nga amerikanët: ndër hartat e para që i patëm bashkangjitë atlasit që më pat ble bash atë periudhë, ka qenë ajo e viseve etnike shqiptare.

 

Si ndikon në jetën tënde sot të rrjedhësh nga një familje e persekutuar?

Krahasue me idealitetin, kauzat e shëndosha dhe pse jo, edhe patriotike që kam ndie prej tij, më dhimben viktimat e gjithë kësaj babëzie të sotme.

 

Me çfarë merresh aktualisht?

 

Merrem me libraçio-n “Furra e Books” në Shkodër dhe më duhet me mbyllë një përkthim timin.

 

A do të vijosh të merresh me çfarë ka lënë babai?

 

Po, me ndihmë të Zotit.

 

Intervistoi: Sabina Veizaj


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë