Lajme

Shengeni Ballkanik, Vuçiç i telefonon Ramës dhe Zaevit

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka telefonuar sot kryeministrin Edi Rama dhe kryeministrin Zoran Zaev për të nisur përgatitjet për nënshkrimin e Shengenit Ballkanik.

Ai njofton se ka folur me kreun e qeverisë shqiptare lidhur me përgatitjet për takimin e dytë trepalësh në Ohër, në të cilin ata duhet të vazhdojnë bisedimet për krijimin e një "mini Shengeni" midis tre vendeve.

"Një bisedë e shkëlqyer me Edi Ramën dhe Zoran Zaevin përpara samitit të rëndësishëm në Ohër më 9 nëntor", shkruan Vuçiç në profilin e tij në rrjetin social Instagram.
Lajmi vjen një javë pasi Vuçiç deklaroi se bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të vazhdojnë, dhe më pas edhe me vendet e tjera, për heqjen e pengesave të lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit.

Samiti i parë midis tre liderëve u mbajt në Novi Sad të Serbisë, më 10 tetor, ku u nënshkrua një deklaratë e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Në konferencën e përbashkët për media, Vuçiç deklaroi se synim i kësaj nisme është që deri në fund të vitit 2021 të krijohen kushtet që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të kalojnë kufijtë e tri vendeve me letër-njoftime.



Kjo ide, e hedhur nga presidenti Vuçiç, ka si qëllim përmirësimin e lidhjeve e tregjeve rajonale, duke mundësuar rrjedhën e lirë të mallrave, njerëzve, shërbimeve dhe kapitalit në tregun e 20 milionë njerëzve.

Projekti që imiton bashkëpunimin doganor mes vendeve të BE, qarkullon prej vitesh, por deri më tani ishte lënë në harresë ashtu si shumë premtime të politikanëve ballkanik.

Një nismë e tillë, pavarësisht sovranitetit për vetëvendosje të çdo vendi të përfshirë ose në projekt për t’u përfshirë në të, ka impakt direkt jo vetëm mbi sigurinë e vendeve të përfshira por edhe vendeve fqinje të lëna jashtë kësaj nisme. Ai lidhet po ashtu edhe me procesin e dialogut të vendit tonë me Bashkimin Europian, proces i cili dihet që synon arritjen e standardeve të unionit.

Ekonomistët vlerësojnë se duke krijuar një “mini-Schengen” në Ballkanin Perëndimor, kompani nga i gjithë rajoni do të fitonin një treg më të madh rajonal, të përbashkët me gati 20 milionë konsumatorë. Nisma u mirëprit nga dhomat rajonale të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat mbledhin më shumë se 350,000 kompani


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë