Nga Gazeta Si- Shëndeti menstrual dhe puberteti i hershëm tek vajzat e vogla janë dy probleme gjithnjë e më të theksuara në shoqërinë shqiptare dhe botërore.
Këto fenomene nuk janë vetëm çështje shëndetësore, por edhe sociale, psikologjike dhe të drejtash njerëzore.
Sipas mjekëve obstetër-gjinekologë në maternitetin “Koço Gliozheni”, rastet e pubertetit të hershëm në vajza 8-9 vjeçare janë në rritje të ndjeshme, dhe ushqimet me pesticide, plastika dhe aditivë kimikë janë ndër fajtorët kryesorë.
Puberteti i hershëm: Faktorë dhe pasoja
Puberteti i hershëm është një gjendje ku shenjat e zhvillimit seksual shfaqen para moshës normale. Në shumë raste, kjo ndodh për shkak të hiperestrogenizmit, i cili lidhet ngushtë me ushqimin e pashëndetshëm dhe mbingarkesën me substanca kimike.
Vajzat që përjetojnë menstruacione herët janë të rrezikuara nga ndalimi i rritjes trupore, menopauzë e hershme dhe probleme serioze me fertilitetin.
Për më tepër, ndryshimet hormonale dhe moskuptimi i asaj që po ndodh me trupin e tyre mund të sjellin pasoja psikologjike, ndjenja turpi dhe izolimi.
Varfëria menstruale: Një realitet i dhimbshëm dhe i padukshëm
Një problem gjithashtu shqetësues është varfëria menstruale. Ky term përshkruan gjendjen kur vajzat dhe gratë nuk kanë akses në produkte higjienike menstruale, si pecetat apo tamponët, si dhe mungesë edukimi dhe struktura të përshtatshme për menaxhimin e menstruacioneve.
Në Shqipëri, si dhe në shumë vende të tjera, kjo varfëri është e lidhur ngushtë me kushtet ekonomike dhe me tabutë kulturore që rrethojnë temën e ciklit menstrual.
Sipas statistikave të organizatave ndërkombëtare, 500 milionë gra në botë nuk kanë mundësi të blejnë produkte higjienike. 14% e grave përdorin letër higjienike në vend të pecetave, ndërsa shumë vajza humbasin ditë shkolle çdo muaj për shkak të dhimbjeve apo mungesës së kushteve bazë.
Zgjidhje të mundshme: Edukim, akses dhe mbështetje institucionale
Përballimi i këtyre dy problemeve nuk mund të ndodhë pa një qasje të integruar. Çelësi i ndryshimit është:
-Edukimi menstrual në shkolla si pjesë e kurrikulës
-Trajnimi i mjekëve dhe mësuesve për të trajtuar temën me ndjeshmëri dhe profesionalizëm
-Sigurimi i produkteve menstruale falas në institucionet publike
-Mbështetja psikologjike dhe sociale për vajzat që përjetojnë pubertet të hershëm
-Legalizimi i lejes menstruale për ato gra dhe vajza që vuajnë nga dismenorrea
Shëndeti menstrual dhe puberteti i hershëm nuk janë thjesht çështje mjekësore. Ato janë tregues të nivelit të zhvillimit shoqëroro-kulturor të një vendi. Nëse shoqëria shqiptare dëshiron të sigurojë barazi dhe dinjitet për vajzat dhe gratë e saj, kjo fillon me garantimin e kushteve minimale për shëndetin e tyre riprodhues, edukimin dhe trajtimin pa paragjykime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.