Nëse udhëtoni drejt fshatit Shën Mëri do të shijoni një peizazh të mahnitshëm dhe bukuri natyrore, që nga pamjet kodrinore dhe malore deri në burimet ujore.
Nga një anë syri do të shohë ngritje kodrinore dhe malore, të bukura e të pakapshme lehtë, që arrijnë deri në kreshtat e Malit me Gropa, ndërsa nga ana tjetër do të shikoni vetëm zbritje kodrinore deri në brigjet e Erzenit: një peizazh i gjerë, i bukur e tërheqës, plot gjelbërim nga të mbjellat.
Kjo rrugë të çon në fshatin Shënmëri. Fshati, i cili në kohën e diktaturës njihej me emrin Burimas, nga vetë banorët shqiptohet Shëmri, ndërsa ata e quajnë veten shëmrizakë.
Nëse shëtit në fshat, në lagjen “Luzaj” dëgjohet zhurma e ujit të kulluar e të ftohtë, që vazhdimisht zbret kanaleve anës rrugës, duke dredhuar herë majtas, herë djathtas, nëpër disa tuba metalikë të futur në tokë për të mos dalë në rrugë.
Vetë fshati ka një shtrirje në pjesën e sipërme të një gjysmë hinke, ose të një amfiteatri madhështor të gjelbër.
Tokat e mbjella fillojnë nga rrëza e Malit me Gropa deri poshtë në Erzen. Ato janë të copëtuara nga përrenjtë dhe kodrinat e vogla deri sa shuhen.
“Këtu nuk është problem uji, aq sa janë kanalet, kur vjen puna për vaditje”, shprehet një banor i fshatit në hyrje të tij.
Ai banon në një kullë guri dykatëshe, gjysma e oborrit të së cilës ishte e zënë nga një gur gri dhjetratonësh, i ndodhur aty gjeologjikisht, apo nga një rrëshqitje masive dheu e jashtëzakonshme shkatërruese, që vërtetohet të ketë ndodhur, e quajtur si “përmbytje e madhe”.
Kjo është arsyeja që fshati është spostuar më lart pranë shkëmbinjve.
Në gurin e madh dukej një hapësirë në formë lugu, ku kalonte dikur uji për në mulli, por edhe për në një presë goditëse (dëstilë) shajaku, që përgatitej dikur në ato anë.
Më poshtë, nëpër një rrugë-kanal, ashtu siç janë kalimet e brendshme nga kulla e një fisi në një tjetër, me kalldrëm të dëmtuar, por edhe të lagështa shkon afër fundit të fshatit. Aty është kulla e gurtë e vjetër trikatëshe e fisit të madh Luzi, që i ka dhënë emrin edhe lagjes.
Ajo, siç thonë një pjesë e banorëve ishte paracaktuar dikur për muze, sepse si arkitektura ashtu edhe stili i ndërtimit janë të veçantë dhe të pasur me simbolika. Porta e madhe e jashtme me hark guri të gdhendur bukur (tashmë e shembur), shkallët dhe tri hyrjet nga të trija anët, ndonëse në përdorim, janë dëmtuar.
Dhoma e miqve është monumentale: me tavan plot me gdhendje të bukura, përfshi raftesh e oxhak plot elemente dekorative.
“Arsimi në Shënmëri ka rrënjë të vjetra që nga viti 1909. Atje nuk harrohen dy klerikët si efendi Selim Rrapush Hoxha dhe efendi Xhemal Sula, të dy të përgatitur në shkollat e larta të perandorisë së kohës. Ata krahas mësimit të Kuranit, te nxënësit hodhën farën e shkronjave shqip, gjuhës, këngës dhe librit shqip, me tri abetaret e sjella nga Stambolli. Obskurantizmi i kohës, bëri që këta dy pionierë të shkollës shqipe të pëmdiqeshin deri në vetmohim, ashtu siç i ndodhi Xhemalit 31 vjeçar. Ata sot përfaqësojnë shpirtin e pamposhtur të banorëve të zonës për dije dhe arsimim, deri kur Qeveria e Vlorës e vitit 1913 e ligjëroi atë.”
Kështu shkruan mes të tjerash për fshatin, Skënder Farka, në një prej librave të tij për fshatrat turistikë të Tiranës.
Ai rrëfen se pranë një lokali, pas një kthese, përballesh me portën e rregulluar të “Stacionit të prodhimit të ujit” siç quhet vendi i Gurrave a Burimeve.
“Është një hapësirë e gjerë e gurtë në rrëzë të Malit me Gropa, me pak pemë, me çaire për bar, që merret nga pronarët e dikurshëm të atij vendi.
Prej aty shpaloset një pamje e gjërë dhe peizazhi shumë piktoresk, mbi kokë ke kreshtën e malit, kurse poshtë deri në Erzen, tokat e parcelat e mbjella, më tutje mali i Fagut dhe pamjet e bukura panoramike të fshatrave të zonës.
Territori i gurrave është i rrethuar me gardh metalik. Aty pranë është një dhomë e punonjësve të shërbimit gjatë 24 orëve dhe më tutje baza për mjete e punë riparuese.”
Nën këmbë, aty pranë 2-3 objekteve të betonuara nën tokë pak të dukura në sipërfaqe janë 6-7 gurrat e ujit, burime shekullore të ujit të mrekullueshëm.
Aty poshtë, nga të çarat e shkëmbinjve, shpërthejnë me zhurmë dhe forcë të madhe rrjedhjet e 450-750 litra ujë sekondë.
“Uji mblidhej e bashkohej në vaska të mëdha aty nën tokë, tepricat kanalizohen jashtë, kurse tubat e çelikut, duke filluar që nga viti 1964 e përcjellin ujin për në Tiranë, pasi energjinë e ka lënë në linjën e nënstacionit elektrik të Lanabregasit.
Në rrugën drejt qendrës së fshatit, majtas zbret drejt banesave të mbuluara nga jeshillëku i pemëve frutore, mana, arra, fiq, shumë rrush, kumbulla, mollë e dardha etj. Aty në cep të rrugës të bie në sy një rrap i madh shekullor, i cili me rrënjët e tij të mëdha e të dala në sipëfaqe ka “shtrënguar në përqafim” një shkëmb të madh, e ashtu të dy bashkë bashkëjetojnë prej qindra vjetësh.
Aty fare pranë, një shpellë në shkëmb, dikur përshtatur për mbrojtje njerëzore nëntokësore, sot përdoret për strehim kafshësh.”, – përshkruan më tej Farka.
Edhe pse mund të themi se rrapi dhe shpella janë dy monumente natyrore ngjan se ata nuk vlerësohen dhe ruhen ashtu siç duhet.
Shënmëria ka një pamje piktoreske me banesa dhe toka të mbjella deri në Erzen.
Në qendër të fshatit është ngritur xhamia e re në vitin 1993, ndihmë e një shoqate kuvaitiane. Ajo është ngritur në vendin dhe themelet e së vjetrës, madje ata që e mbajnë mend, thonë se edhe madhësinë e arkitekturën e ka si e vjetra, e ngritur rreth vitit 1750. Aty pranë, ku kanë qenë varret e para me gurë të shkruar osmanisht, sot kanë mbetur gjurmë.
Aty në qendër shihet kroji i Kurtëve, e më tutje ai i Kishës me ujë të pastër e të ftohtë, që rrjedhin poshtë, duke dredhuar në rrugët e brendshme të lagjeve.
Në fund të kullave të Dangajve duken gjurmët e hidrocentralit lokal të fshatit..
Rruga drejt perëndimit vazhdon me ulje e ngritje, por në planin honzontal përgjithësisht, hapësira është e madhe, ndërsa dy-tri kulla anash janë në lartësinë më të madhe të zonës së banuar të fshatit. Aty qetësia e bukuria e natyrës është përrallore: ka vend për kampime, për piknik a për vendosje auto-kampimi. Pikërisht në pjesën më të lartë të kodrës së Papateshit janë varrezat e përqendruara të Shënmërisë.
Mali me Gropa
Mali me Gropa i takon edhe rretheve kufitare. Është masiv shkëmbor gjigant, me ndërtim gjeologjik që nga koha e akullnajave. Ka atë emër se në sipërfaqe vihen re qindra gropa karstike në formë hinke të përmasave të ndryshme pranë njëra-tjetrës, në formë tarracash të çregullta me një pamje mahnitëse.
Kur e sheh nga lartësitë e Mcekut, 1827 m lartësi, bindesh se përpara teje ke një mrekulli tokësore. Dikur me pyje të vogla e gjelbërim sot është pa to, pa ujë, pa pemë, vetëm gurë gëlqerorë dhe jo shumë kullotë.
Brendësia e masivit malor përfaqëson një masë gjigante gëlqerore, me sa duket si sfungjer, me ndërtim fantastik, ku nuk dihet se sa mijëra gropa, puse, shpella të mëdha e të vogla ka. Ato komunikojnë me njëra-tjetrën nga brenda, ku rrallë vihen re shembje gurësh ose masash shkëmbore, që kuptohen nga uji i turbullt që del nga gurrat e që vazhdon për 6-16 orë derisa uji të kthjellohet. Gjatë periudhës së dimrit, gropa karstike mbushen me ujin e borës që shkrin avash -avash dhe e përcjellin atë ngadalë në brendësi uniformisht.
Sistemi natyror i grumbullimit të ujit, i ruajtjes së tij në brendësi, i ritmit në drejtpeshim të shkarkimit gjatë gjithë vitit, si ligjësi natyrore është dukuri e rrallë e një mrekullie hyjnore. Tri shkarkimet ose gurrat kryesore të ujit: gurrat e Selitës, ato të Shënmërisë dhe të Gurit të Bardhë janë furnizueset me ujë të pijshëm për popullsinë e Tiranës e të Burrelit, pa përmendur qindra burime të vogla, që shfrytëzohen nga popullsia përreth.
“Pa këtë dhuratë natyre, Shqipëria e Mesme nuk do të kishte lumin e Tiranës, atë të Erzenit dhe lumin e Matit. Me makinë nga Vërria, nëpër rrugën e shtruar me çakull, arrin në klubin e Kroit të Kuq dhe pas rreth 7 km drejt perëndimit, mbi një faqe shkëmbi pingul jo të vogël, një ushtar italian kishte gdhendur dikur bustin e një ushtaraku të lartë, të cilin në 1968 e prishën.”, – rrëfen studiuesi Farka në Fshatrat turistikë të Tiranës.
Zona e Linosit, shpellat, lulja e Bathrës dhe çajrat aromatikë
“Pak më tutje, në zonën e bukur të Linosit plot pyje, livadhe e burime, uji del nga rruga dhe drejtohet nga shpella e Kacerrit. Pranë një guri rrëzë drurëve të pyllit duket një gropë: ajo është një shpellë ku po të hapet pak hyrja mund të futet brenda një fëmijë i vogël”.
Ndonëse mëse 10 km larg mundet që uji i shpellës së Valit, duke zbritur teposhtë me zhurmë e shpejtësi e shtyn ajrin drejt daljeve të mundshme.
Herë me makinë e herë më këmbë, duke shëtitur hapësirave të Linosit sheh stacionin e depove të dikurshme të karburantit, por vetëm shtatë bazamentet e betonit të tyre, sepse rezervuarët metalikë 1000 m2 secili ishin hequr bashkë me sistemet e tubacioneve të mbushjes ose zbrazjes.
Po kështu më tutje janë bazamentet e disa depove të dikurshme të drithit sigurisht të shembura deri në themel, ku vetëm njëra nga fundi ishte ruajtur si strehë për bagëtinë.
Aty pranë, përpjekt për të ndërtuar një ujëmbledhës megjithëse diga prej dheu ishte përfunduar, kishin dështuar. Uji kishte rrjedhur çarjeve shkëmbore.
Në vazhdim shihen sheshet e rrugët për hyrje e dalje, me pikat e kontrollit ushtarak dhe tenik-ekonomik të mallrave, si dhe furrën e bukës.
Në një hapësirë të madhe, rrëzë një kodre të bukur, një ngrehinë dykatëshe me më shumë se 20 dhoma e anekse, kishte qenë një “spital i kompletuar për kohë lufte, që ndonëse i boshatisur, nuk ishte shembur. Duke udhëtuar në drejtim të lartësive të malit të Mcekut, pamja përreth të mrekullon me gropat konike kudo, shpesh të rregullta, me diametër nga 25 deri 100 e thellësi 40-50 m, ku tek-tuk ndonjëra ishte kthyer në lerë ujëmbledhëse për bagëtinë. Dikur atje ka pasur pyje të vogla, toka ishte e cekët. Ajo vazhdon e rrëshqet teposhtë fundeve koneve dhe një pjesë e saj sado e vogël shoqëron ujin deri në dalje në formë rëre.
“Gjatë kthimit u futëm në një rrugë jo të mirë të hapur dikur nga kooperativa e pas pak u shfaqën para nesh, stanet e Mcekut, një kullotë e madhe malore 14 km katror. Para nesh kishim majën e kreshtat e lartësive të Mcekut, kurse nga djathta dukej pasqyra ujore e liqenit apo hurdha e Avdiut, kurse aty pranë baxhoja e madhe.”, vëren Farka,
Në atë kullotë është për t’u përmendur bimësia, jo thjesht dekorative por dhe aromatike.
Një lule, e njohur si lulja e Bathrës (që lulëzon në fund prilli-fillim maji) është tepër e veçantë. Bashkë me të, në lartësi, rriten çajra aromatikë, por edhe bimë të ndryshme mjekësore, ku 30 lloje eksportohen.
Në hapësirat e pyjet e Linosit, ka shumë bimësi e lloje kërpudhash. Ato bashkë përfaqësojnë një pasuri tjetër natyrore të jashtëzakonshme për nga bukuria dhe kënaqësia që dhurojnë.
Edhe rruga e kthimit për të zbritur në Shën Mëri është një rrugë e veçantë malore me shumë bukuri turistike.
Blerina Goce
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.