Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, mbështetur nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, përmbylli aksionin për prishjen e objekteve të ndërtuara pa leje në vijën bregdetare të plazhit të Velipojës. Në këtë zonë, u shembën 24 objekte të paligjshme. Ky operacion u mbështet nga FNSH, Forcat e Posaçme Shqiponja dhe ato të Postës së Policisë Velipojë.

Më përpara, pronarët e disa objekteve të ndërtuara, bën rezistencë, duke bllokuar edhe fadromat të cilat po shembnin objektet pa leje. Policia e Shtetit u bëri thirrje disa herë që të largoheshin nga vendi që operohej, por ata vazhduan të kundërshtonin me forcë. Në këto kushte shërbimet larguan forcërisht të gjithë personat dhe IKMT-ja vazhdoi punën, duke shembur 24 objekte të paligjshme gjatë gjithë vijës bregdetare të Velipojes.

Strukturat e Policisë Shkodër kryen veprimet procedurale dhe materialet u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër, në ngarkim të 6 shtetasve, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



