Ekonomi

Shehaj dhe Malaj përplasen tek ‘Ekonomia’ për IPARD-in

Nga Gazeta ‘Si’– Deklarata e një dite më parë e Ministrit të Financave Petrit Malaj në Komisionin e Bujqësisë, ka shkaktuar debate në Komisionin e Ekonomisë këtë të martë.

Opozita e ka konsideruar gënjeshtër deklaratën e Malajt se skema e IPARD ka qenë e suksesshme dhe se fondet do të hapen në 2026-ën.

“Ministri pa asnjë lloj sikleti ka gënjyer, se ka thënë që historia e IPARD ka qenë një histori suksesi. Nuk është e vërtetë. IPARD, për ata që nuk e kanë ndjekur, ishin 33 milionë euro të Bashkimit Evropian që ishin parashikuar të shkonin në xhepat e fermerëve, por ato para po ndaheshin me ish kryebashkiak, familjar të ish kryebashkiakëve, ish zyrtar, familjar të ish zyrtarëve. OLAF i bllokoi, i kërkoi qeverisë shqiptare që t’i gjente përgjegjësit, t’i gjente paratë, të ktheheshin ato 37 milionë euro dhe pastaj të rihapte prapë programin për 112 milionë euro.

Si mundet ministri i financave të thotë që, kjo është një histori suksesi. Tani, pyetja ime ka të bëjë pikërisht me këtë. Si mund të vini këtu dhe të thoni që është sërish sukses, kur 33 milionë euro vidhen?”, tha deputeti Agron Shehaj.

Kësaj deklarate ministri ju përgjigj, duke thënë se brenda vitit realizohen detyrat e lëna nga BE, dhe në 2026-ën qeveria nis diskutimet me Komisionin Europian.

“Së pari do të kërkoja që të ruaje pak etikën e komunikimit, përsa i përket konotacioneve që jep këtu që po gënjen, apo je gënjeshtar. E para sepse siç e the dhe vetë, skema e parë ka qenë histori suksesi apo jo, është çështje perceptimi individual. Ti mendon që ka qenë e dështuar, ne si qeveri mendojmë që ka qenë një skemë e suksesshme, që i ka ardhur padyshim në ndihmë buxhetit dhe ajo që dhe përmenda dje në komision DIGIAGRI, ka lënë disa rekomandime për disa nga praktikat të cilat kishin parregullsi.

Masa të cilat ne jemi duke i përmbushur dhe deri në fund të këtij viti do të përmbushen këto masa, të cilat pastaj do t’i hapin qeverisë mundësinë për të hyrë në diskutime me Komisionin Evropian në mënyrë që të çelet programi IPARD tre”, tha Malaj.

Por kjo përgjigje e thelloi edhe më shumë debatin duke çuar në ndërprerje të komisionit.

“Ministri tani e rëndon akoma më keq situatën e vet, se thotë, në ato dhjetëra apo qindra fonde apo kërkesa që janë shqyrtuar, disa prej tyre janë kapur, jo të gjitha, se duhet të kapeshin të gjitha që të quhej një dështim edhe një vjedhje. Do t’i kapeshin të gjitha zoti ministër? Këtë prisni ju? Zoti ministër është dështim në momentin që Olaf-i zoti ministër, thotë ka parregullsi”, tha Shehaj.

Pensionet

Edhe çështja e pensioneve është shoqëruar me debate në komision.

Për opozitën rritjet e bëra prej vitit 2013 nuk kanë qenë të mjaftueshme, për të mbuluar kostot e inflacionit.

“Çfarë nënkuptoni me fjalën reformë pensioni, çfarë do ndodhë vitin tjetër? Dhe çdo të thotë rritje pagash, ku konsiston rritja e pagave? Po të mbledhësh në mënyrë matematike inflacionin e këtyre viteve, nga 2013 deri tani është diku te mbi 40% në një kohë që indeksimi i pensioneve po në mënyrë matematikë shkon jo më shumë se 23%. Pensionet janë sfidë e jashtëzakonshme dhe sa do të vij dhe do të zgjerohet, ndërkohë që skemat private të pensioneve nuk po përdoren shumë, dhe kanë numra të ulta. Problemi i informalitetit është problem serioz, dhe ato që kontribuojnë për pensione janë sa 32% e forcës së punës”, tha deputeti Bozdo.

Këtyre pyetjeve ministri Petrit Malaj, u përgjigj duke thënë se përveç bonueseve mujore që do të jepen nga janari i vitit të ardhshëm, po punohet për rishikimin e plotë të skemës së pensioneve me ndihmë edhe të ndërkombëtarëve.

“Qeveria, vitin e kaluar, ka filluar një proces për të bërë një vlerësim të sistemit aktual të pensioneve, proces si cili po bëhet me ekspertë ndërkombëtarë, të cilët janë duke bërë një vlerësim se sa e qëndrueshme është skema dhe që unë besoj që deri në fillim të vitit që vjen do të vijnë me propozime konkrete, për mënyrën se si duhet të riorganizohet skema e pensioneve në mënyrë që të jetë një skemë e qëndrueshme dhe që të garantojë dhe pensione dinjitoze për pensionistët shqiptarë. Tani paralelisht me veprimet që po ndërmerren nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit së bashku me ekspertët ndërkombëtarë në lidhje me skemën e pensioneve, qeveria, paralelisht me të ka vijuar me vënien në dispozicion të fondeve të nevojshme për rritjen e pensioneve aktuale me bonuset mujore”, tha ministri i Financave.

Borxhi Publik

Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, e cilësoi si propagandë qeverisëse përdorimin e treguesve relativë ndaj PBB-së.

“Qeveria flet për borxhin publik në përqindje të PBB-së, por vlera absolute e borxhit vazhdon të rritet, dhe borxhi për frymë rritet gjithashtu”, tha Leskaj.

Por ministri Malaj solli në vëmendjes se diferenca mes të ardhurave dhe borxhit për frymë aktualisht arrin rreth 5 mijë euro, nga 1 mijë euro që ishte në 2013-ën.

“Megjithëse borxhi në vlerë absolute ka vazhduar të rritet, qytetarët përfitojnë nga një diferencë më e madhe mes të ardhurave dhe borxhit për frymë. Në vitin 2023, të ardhurat për frymë ishin rreth 3200 euro, ndërsa borxhi për frymë ishte 2200 euro, një diferencë prej vetëm 1000 euro. Sot, të ardhurat për frymë kanë arritur rreth 10400 euro, ndërsa borxhi për frymë është rreth 5600 euro, duke krijuar një hendek prej rreth 5 mijë euro që reflekton rritje të fuqisë blerëse të qytetarëve”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë