Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mesditën e djeshme ku mbeti i plagosur shefi i Policisë Bashkiake në Malësi të Madhe, Mentor Hasanaj, bashkë me babanë e tij, Xhelal Hasanaj pranë bustit të “5 heronjve të Vigut” në rrugën Shkodër-Koplik.
Policia thotë se ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorin, i cili është 19-vjeçari Ilirjan Hasanaj, banues në lagjen “Tepe”, Shkodër.
Ndërkohë, është sekuestruar motomjeti i përdorur gjatë kryerjes së krimit dhe prova të tjera materiale.
“Ky shtetas, më datë 11.10.2020, në orën 12:30, në aksin rrugor Shkodër-Malësi e Madhe, te rrethrrotullimi i ‘5 Heronjve’, ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur rëndë shtetasit M. H. 39 vjeç banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, me detyre përgjegjës i Policisë Bashkiake Malësi e Madhe dhe shtetasin Xh. H., 74 vjeç, banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe, të cilët po udhëtonin nga Shkodra drejt Malësisë së Madhe, me automjetin tip ‘Skoda’, në pronësi të Bashkisë Malësi e Madhe”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shefi i Policisë Bashkiake nga spitali: S’e di pse na qëlluan, nuk kam konflikt me askënd
Ndërkohë, Shefi i Policisë Bashkiake në Malësi të Madhe, Mentor Hasanaj, është marrë në pyetje nga policia, nga spitali ku ndodhet dhe ka deklaruar se ai nuk ka asnjë konflikt me askënd dhe nuk e di arsyen e kësaj ngjarjeje të rëndë.
“Papritur na qëlluan dhe u munduam të shpëtojmë. Pasi të shtënat u ndalën pashë që ishim plagosur unë dhe babai. Nuk e di se cila është arsyeja që na kanë qëlluar. Unë nuk kam asnjë konflikt me askënd dhe as babai im apo familja ime. Unë jam drejtor i policisë bashkiake në Malësinë e Madhe por nuk ka asnjë lidhje kjo sepse nuk kam pasur ndonjë debat apo problem të këtyre kohëve apo edhe më përpara. Kam punuar me shumë korrektësi në punën time duke iu shërbyer të gjithëve”, mësohet të ketë thënë Shefi i Policisë Bashkiake.
Babë e bir u qëlluan me armë zjarri nga një person, i cili po qarkullonte me motor, ndërsa ka pasur skafandër në kokë dhe i veshur me rroba të zeza. Motorin autori e ka braktisur në një rrugë dytësore rreth 500 metër larg nga vendi i ngjarjes dhe është larguar në drejtim të paditur. Nuk dihet ende shkaqet e kësaj shënjestre, por dyshohet se ka lidhje me detyrën e 37-vjeçarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



