Lajme

Shefi i NATO-s mbërrin në Shqipëri, pritet nga Xhaçka


Sekretari i Përgjithshëm NATO, Jens Stoltenberg mbërriti në Shqipëri për të zhvilluar një vizitë disaorëshe në Tiranë. Ai u prit në Rinas nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka. Pas pritjes zyrtare, sekretari i Përgjithshem i NATO-s dhe Ministrja e Mbrojtjes zhvilluan një takim të shkurtër në ambientet VIP të aeroportit të Rinasit, ku bëhet e ditur se është diskutuar për situatën në vend.
Ndalesa e parë e Stoltenberg do të jetë në Kryeministri ku do të takohet me shefin e qeverisë shqiptare, Edi Ramën, shoqëruar me takimin dypalësh. Rama dhe Stoltenberg do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp në ora 15:00.
Shefi i NATO-s pritet të japë edhe një mesazh për Shqipërinë, e cila po kalon një krizë të fortë politike.
Më pas sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të zhvillojë një takim dhe me presidentin Ilir Meta, për t’u larguar më pas drejt Maqedonisë.
Vizita e Stoltenberg zhvillohet në ditën kur opozita ka paralajmëruar mbajtjen e protestës së shtatë përpara selisë së Kryeministrisë. Demonstrimi i mbështetësve të PD, LSI dhe aleatëve të tjerë do të nisë në ora 19:00, disa orë pasi shefi i NATO-s të jetë larguar nga Shqipëria.

Shefi i NATO-s dhe ministrja e Mbrojtjes në takimin e sotëm

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë