Lajme

Shefi i diplomacisë gjermane mbërrin në Prishtinë

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka mbërritur sot në Kosovë, ku është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

Ai do të qëndrojë në Kosovë sot, e të premten do të niset për Beograd. “Kjo vizitë do të shënojë një hap të rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë si dhe lehtësimin e rrugës së Kosovës drejt integrimeve Euro-Atlantike”, tha ministrja, pas mbërritjes së diplomatit gjerman në Kosovë.

Shefi i diplomacisë gjermane vjen në rajon në një kohë kur është rihapur tema e ndryshimit të kufijve, për të cilën Gjermania dhe vetë ministri Maas, janë deklaruar kundër çfarëdo ndryshimi.

Megjithatë, kryediplomati gjerman Heiko Maas ka lidhur vizitën e tij të sotme në Prishtinë dhe atë që do ta ketë në Beograd të premten, me procesin e vaksinimit kundër COVID-19.

“Askush në Europë nuk mbetet i paprekur nga suksesi dhe dështimi i fqinjëve të saj. Fakti që tani progresin e vaksinimit në BE mund ta ndajmë edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, është një moment kyç në luftën kundër virusit. Për këtë arsye sot dhe nesër jam në Prishtinë dhe Beograd”, ka shkruar Maas në Twitter.

Vizitën në Prishtinë, Maas, e ka nisur me takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Maas dhe Osmani pritet t’u drejtohen mediave pas takimit.

Kryediplomati gjerman pritet ta takojë edhe kryeministrij Albin Kurti dhe do të zhvillojë më pas edhe takimin me homolegen e tij Donika Gërvalla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë