Bota

SHBA u kërkon udhëheqësve botërorë të vaksinojnë 70% të popullsisë brenda vitit 2022

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po u bëjnë presion udhëheqësve të botës të bien dakord për të arritur një objektiv ambicioz për t’i dhënë fund shpërthimit të koronavirusit. SHBA do që  vendet anembanë globit të vaksinojnë 70% të popullsisë deri në vitin 2022.

Citimi është shkëputur nga një dokument i publikuar në Reuters një ditë më parë.

Dokumenti trefaqësh u është drejtuar shteteve, organizatave ndërkombëtare dhe sektorit privat, i ftuar në një samit online të planifikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas shkresës, SHBA u bën thirrje vendeve prodhuese të vaksinës të dhurojnë 1 miliardë doza shtesë vaksine dhe të përshpejtojnë shpërndarjen e 2 mld dozave të vaksinës për të cilat janë zotuar deri tani.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre konfirmoi objektivin e vaksinimit prej 70%, por nuk dha detaje mbi samitin ose dokumentin. 

Vendimi vjen pasi eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive tha se deri në fund të vitit në SHBA mund të shënohen edhe 100,000 vdekje të tjera si pasojë e COVID-19. Por sipas tij situata është “plotësisht e parandalueshme”.

Dr. Anthony Fauci tha se Perëndimi i ka të gjitha mundësitë që të shmangin viktima të tjera, por problemi sipas tij qëndron tek të pavaksinuarit.

“Ne mund ta ndryshojmë këtë gjë, me efikasitet e shpejtësi nëse arrijmë t’i vaksinojmë këta njerëz”, tha zoti Fauci. “Është e rëndësishme që gjatë kësaj krize njerëzit të lënë mënjanë çdo dallim ideologjik dhe politik e thjesht të vaksinohen”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë