Bota

SHBA, publikohen pas 61 vjetësh dosjet për vrasjen e ish-presidentit J.F.Kennedy

Gazeta Si – Arkivi Kombëtar Amerikan ka bërë publik grupin e fundit të dosjeve që kanë të bëjnë me vrasjen e presidentit John Fitzgerald Kennedy në Dallas, Teksas, më 22 nëntor 1963.

Një rast që ende sot, 61 vjet pas vdekjes së presidentit të 35-të të SHBA-së, ende ushqen spekulime dhe teori konspirative.

Zgjedhja për të deklasifikuar edhe dokumentet më të fundit për rastin JFK, vjen pas një urdhri ekzekutiv të lëshuar nga presidenti amerikan Donald Trump në janar, sipas të cilit, dosjet për vrasjen e Kenedit, vëllait të tij, ish-Prokurorit të Përgjithshëm Robert F. Kennedy dhe liderit të të drejtave civile, Martin Luther King, do të publikoheshin pa bërë asnjë ndryshim.

1.123 dokumentet e reja janë publikuar në faqen e Arkivit Kombëtar dhe identifikohen vetëm me numrat e regjistrit, pa përshkrime.

Megjithatë, sipas Tom Samulok, ish-zëvendësdrejtor i Bordit të Rishikimit të Dokumenteve të Vrasjeve, një komitet qeveritar i formuar në vitet 1990 për të studiuar dokumentet që lidhen me vrasjen e presidentit të 35-të të Shteteve të Bashkuara, nuk ka asnjë tregues se dosjet përmbajnë zbulime të reja.

Samulok ekzaminoi një sasi të madhe dokumentesh për botim midis 1994 dhe 1998 dhe është i bindur se nuk ka asgjë që do të ndryshonte përfundimin aktual në lidhje me vrasjen e Kenedit: se një autor i vetëm, Lee Harvey Osëald, ishte përgjegjës për vdekjen e tij.

Në dekadat e fundit, Arkivi ka vënë në dispozicion miliona faqe dokumente për vrasjen e JFK-së, por rreth 80 mijë dokumente janë ende të klasifikuara me kërkesë të CIA-s dhe FBI-së, për arsye të sigurisë kombëtare.

Tashmë gjatë mandatit të tij të parë, Trump premtoi publikimin e të gjitha dokumenteve në lidhje me vrasjen.

Megjithatë, në atë kohë kreu i “MAGA”-s, kishte dëgjuar rekomandimet e agjencive të inteligjencës kundër publikimit të disa dosjeve.

“Ne kemi një sasi të madhe letrash, – tha presidenti amerikan të hënën, duke konfirmuar dëshirën e tij për të mos censuruar as tekstet e fundit mbi vrasjen e diskutueshme të Kenedit. – Njerëzit kanë pritur me dekada për të ditur gjithçka dhe unë u kam dhënë udhëzime të sakta menaxherëve të mi, të koordinuar nga Tulsi Gabbard”.

Komisioni “Warren”, i cili hetoi vrasjen e Presidentit Kennedy, zbuloi se personi që qëlloi atë në Dallas ishte një ish-snajperist i marinës, Lee Harvey Oswald, i cili kishte vepruar i vetëm.

Ekspertët e çështjes dhe historianët pohojnë se dokumentet e klasifikuara deri më tani nuk kanë gjasa të përmbajnë zbulime “bomba” ose të kenë sukses në shuarjen e teorive konspirative që kanë qarkulluar deri më tani për atentatin.

Në fakt, besohet se shumë nga dosjet e bëra publike më në fund, ishin tashmë të njohura (të paktën pjesërisht).

Dokumentet, megjithatë, mund të ofrojnë detaje interesante se si funksiononin shërbimet sekrete në atë kohë.

Publikimi i teksteve u krye në bazë të një ligji të Kongresit të 26 tetorit 1992, sipas të cilit dokumentet e paklasifikuara të atentatit të mbajtura në Arkivin Kombëtar, do të publikoheshin të plota 25 vjet më vonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë