Kosova

“SHBA nuk do të tërheqë trupat nga Kosova”

Vendimi i Donald Trump për të reduktuar edhe më tej trupat amerikane në Afganistan dhe Irak shkaktoi shqetësim në Kosovë se e njëjta gjë mund të ndodhte edhe me numrin e forcave amerikane që janë aktualisht të stacionuara atje.

Trupat amerikane në Kosovë veprojnë në kuadër të KFOR=it nën komandën e NATO-s. Vetë Aleanca mohon se do të ketë një tërheqje të trupave amerikane nga Kosova. Gazeta “Zëri” në Kosovë thotë se ka kontaktuar me një zyrtar të NATO-s.

“Në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara, misioni ynë KFOR do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, citon “Zëri” zyrtarin e NATO-s.

Aktualisht në kuadër të KFOR-it janë rreth 3500 trupa ushtarake.

Pavarësisht këtij “qetësimi” nga NATO, në Prishtinë ka zëra që i kërkojnë Qeverisë që të përgatitet për të mbushur vakuumin e sigurisë që mund të lihet nga tërheqja e trupave të Aleancës.

Nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) thonë se për momentin nuk ka rrezik që trupat amerikane të tërhiqen nga Kosova, por drejtori i kësaj qendre, Mentor Vrajolli, ka thënë për “Zërin” se institucionet vendore duhet ta kenë të qartë se KFOR-i në Kosovë nuk ka mandat të përhershëm dhe se duhet të përgatiten për të ndërtuar kapacitete mbrojtëse për të qenë të gatshme ta ruajnë sovranitetin.

“Rreziku i tërheqjes se trupave amerikane nga Kosova duket të jetë relativisht i vogël. Mirëpo, gjithsesi institucionet e Kosovës duhet të jenë të vetëdijshme se KFOR-i nuk është mision me mandat të përhershëm e që synon të qëndrojë në Kosovë përgjithmonë. Përpjekjet për të ndërtuar kapacitetet e plota mbrojtëse duhet të jenë intensifikuara. Respektivisht Kosova sa më parë duhet të jetë e gatshme që të mbrojë sovranitetin e saj nga çfarëdo kërcënimi, i cili mund ta kanosë atë. E për t’u siguruar që kjo do të ndodhë Ministria e Mbrojtjes gjithsesi duhet të jetë më transparente në lidhje me hapat të cilat është duke i ndërmarrë”, thotë Mentor Vrajolli për “Zërin”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë