Bota

SHBA miraton përfundimisht paketën 95 mld dollarë, përfituesja më e madhe Ukraina

Senati i SHBA-së, me mbështetjen e pjesës më të madhe të dy partive, ka miratuar një projekt-ligj prej 95 miliardë dollarësh për t’i ofruar ndihma për sigurinë Ukrainës, Izraelit dhe rajonit Indo-Paqësor, në një nxitje për prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Joe Biden.

Miratimi përfundimtar i legjislacionit në Kongres të martën i dha fund një bllokimi politik që kishte zgjatur për muaj të tërë dhe i hapi rrugën Uashingtonit që të dërgojë armë të reja në Ukrainë, ndërsa lufton me pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë. Zyrtarët amerikanë thanë se disa ndihma për Kievin do të vijnë brenda disa ditësh.

Projektligji do të forcojë gjithashtu ndihmën ushtarake të SHBA-së për Izraelin – i cili ka shkëmbyer sulme me dronë dhe sulme me raketa me Iranin gjatë 10 ditëve të fundit – dhe vjen pavarësisht rritjes së tensioneve midis Shtëpisë së Bardhë dhe liderëve izraelitë mbi luftën kundër Hamasit dhe pasojat e rënda në qytetarët palenstinezë.

Miratimi i kësaj pakete i sjell një fitore legjislative presidentit amerikan Biden, pasi ky i fundit do të përballet me Donald Trump në nëntor dhe simbolizon një humbje për izolacionistët e politikës së jashtme, veçanërisht ligjvënësit republikanë të afërt me ish-presidentin, të cilët kishin bllokuar mbështetjen për Kievin për muaj të tërë.

Projektligji fitoi mbështetje nga 79 senatorë, me 18 vota kundër.

Biden e përgëzoi menjëherë miratimin e projektligjit, duke thënë se do ta nënshkruante atë të mërkurën. Ndihma mund të fillojë të arrijë në Ukrainë që në fillim të kësaj jave.

“Kongresi ka miratuar legjislacionin tim për të forcuar sigurinë tonë kombëtare dhe për t’i dërguar një mesazh botës për fuqinë e lidershipit amerikan: ne qëndrojmë me vendosmëri për demokracinë dhe lirinë, dhe kundër tiranisë dhe shtypjes.”

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, falënderoi gjithashtu Senatin amerikan menjëherë pas votimit, i cili tha se “përforcon rolin e Amerikës si një fener i demokracisë dhe udhëheqës i botës së lirë”.

Kundërshtarët e kësaj pakete dhe të ndihmës ndaj Ukrainës vazhduan ta sulmojnë legjislacionin. JD Vance, senatori republikan i Ohajos, i afërt me Trump, i krahasoi argumentet në favor të ndihmës me ato që çuan në pushtimin e SHBA-së në Irak në 2003.

“Është të njëjtat pika bisedimi 20 vjet më vonë me emra të ndryshëm,” tha Vance.

Ndërkohë, disa ligjvënës të majtë kritikuan projektligjin për lejimin e Izraelit të vazhdojë të marrë armë ofensive nga SHBA. Bernie Sanders, senatori i Vermontit, kërkoi një amendament për t’i hequr ato masa nga legjislacioni, por ai nuk u konsiderua.

Sanders iu bashkua dy demokratëve dhe 15 republikanëve që kundërshtuan paketën.

“Unë votova kundër për paketën e ndihmës së huaj për një arsye të thjeshtë: taksapaguesit amerikanë nuk duhet të japin miliarda më shumë për qeverinë ekstremiste Netanyahu për të vazhduar luftën e saj shkatërruese kundër popullit palestinez,” tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë