Nga Paolo Mauri* - Sipas profesorit amerikan Jospeh Nye që e teorizoi i pari, fuqia e butë është aftësia për të arritur atë që dëshiron përmes joshjes dhe jo përmes detyrimit apo pagesës. Në thelb, mund të thuhet se është aftësia për t'i nxitur palët e treta të përvetësojnë vlerat e dikujt pa përdorimin e forcës.
Sa i përket marrëdhënieve midis shteteve, kjo do të thotë të jesh në gjendje të ndikosh tek kultura, mënyra e të menduarit - madje edhe ligjet - e një vendi të huaj, pa përdorur instrumente ushtarake ose metoda të tjera shtrënguese, siç janë sanksionet ndërkombëtare ose veprimet në lidhje me luftërat hibride.
Në këtë kuptim, kinemaja mund të zënë një rol themelor, në varësi të përhapjes së saj dhe mënyrave përmes të cilave rrëfehet “një histori”. Pra prodhimi kinematografik, mund t’i përshtatet fare mirë një synimi, një audience të synuar (qoftë e madhe apo edhe kufizuar), për të përfituar një avantazh që mund të jetë ose të tregojë “mënyrën e jetesës” të dikujt, me synim nxitjen e simpatisë dhe dëshirës për imitim jashtë vendit.
Apo për të tregojë “këndvështrimin” e dikujt mbi fakte dhe çështje të ndryshme. Me fjalë të tjera, është një mënyrë “edukimi” e audiencës së synuar nëpërmjet argëtimit. Në fillim përmes Hollivudit, dhe më pas platformave private me pagesë, Shtetet e Bashkuara janë mjeshtre të kësaj mënyre veprimi.
Por ajo nuk e vetmja që e përdor kinemanë si një mjet të fuqisë së butë. Rusia, Kina dhe India mburren me një numër të madh filmash, por që përdorin metoda shpërndarjeje që ndryshojnë nga ato të SHBA-së. Për më tepër, ata mbrojnë kauza që në pjesën më të madhe ndryshojnë nga ato të Amerikës.
Për këtë arsye, është e ndryshme pesha e tyre në lidhje me fuqinë e butë. Në përgjithësi, është pikërisht fuqia e butë ajo që është e ndryshme. Dhe kjo është më e dukshme nëse marrim parasysh rastet e Rusisë dhe Kinës.
Pekini fokusohet më shumë tek çështjet praktike, bashkimin e kulturës dhe tregtisë, por e vë theksin tek pragmatizmi dhe jo tek vlerat (si SHBA-ja, dhe pjesërisht Rusia). Kjo është shumë e dukshme në depërtimin ekonomik, përmes ndërtimit të infrastrukturës së shumë vendeve (që më pas krijon problemin e borxheve të mëdha tek vendet e varfra).
Kjo qasje, ka qenë pak e suksesshme fryte në Evropë dhe në ekonomitë më të zhvilluara të lidhura me SHBA-në, dhe shumë më produktive në hemisferën jugore, sidomos në Afrikë. Ndërkohë Rusia ka treguar se preferon metoda të tjera ndikimi, padyshim më pragmatike, aq sa mund të përkufizohet si fuqi e zgjuar sipas konceptimit të profesor Nye.
Pavarësisht themelimit në vitin 2007 të “Russkiy Mir” (Bota Ruse), një fondacion që synon të promovojë gjuhën dhe kulturën ruse në botë, rezultatet e arritura ishin më të dobëta në krahasim me ato të Institutit Kinez Konfuci, që për shembull në Itali arriti të japë leksione edhe në shkollat shtetërore.
Ndërkohë, Kremlini mbështetet tek shumë qendra kulturore të krijuara përmes bashkëpunimeve me entitete lokale apo personalitete të biznesit, por jo aq të përhapura sa ato të ngritura nga Pekini. Nga ky këndvështrim, Shtetet e Bashkuara duket se janë përdoruesit historikë të kësaj metodologjie të depërtimit kulturor - edhe pse nuk e kanë përçmuar asnjëherë përdorimin e fuqisë së fortë - përmes monopolit të tyre të përbërë nga “muzika, universitetet prestigjioze, kinemaja dhe sanduiçet”.
Dhe pavarësisht sulmit kinez të viteve të fundit, mbetet ende e para në këtë periudhë. Hollivudi është ende i aftë të diktojë mendimin deri në një shkallë të tillë, sa të ndryshojë shkallën e vlerave të shoqërive të caktuara, me ato evropiane që janë më të prirura për shkak të afërsisë kulturore dhe lidhjeve transatlantike.
E mbështetur nga platformat me pagesë që arrijnë tek miliona përdorues përmes pajisjeve si televizorët, tabletët dhe telefonat celularë, kinemaja amerikane, është në fakt një instrument pushteti në duart e elitave kulturore progresive amerikane.
Për këtë, mjafton të vëzhgosh me kujdes komplotet e filmave ose serialeve televizive (gjithnjë e më të përhapura dhe me prodhime miliona dollarëshe) për të kuptuar se si vlerat liberale-progresive promovohen jashtë vendit përmes një përdorimi delikat por flagrant të personazheve dhe temave, që shpesh por jo gjithmonë, e shtrembërojnë edhe vërtetësinë e fakteve historike.
Po ashtu, Hollivudi lëshon mesazhe të shkëlqyera që synojnë audiencën e tij të brendshme: xhirimet e serive të reja të filmit të famshëm të viteve 1980, Top Gun, përputhen me nevojën e forcave të armatosura amerikane për të joshur të rinjtë përballë rënies drastike të regjistrimeve në ushtri, dhe rrjedhimisht edhe të rënies së cilësisë së rekrutëve.
Filma të tjerë duket se synojnë ta përgatisin audiencën për ngjarje të largëta por gjithsesi të mundshme, si sulmet e hakerëve në shkallë të gjerë që mund ta zhysin vendin në kaos dhe të thellojnë ndarjet e brendshme, deri në pikën sa të gjenerojnë një luftë të re për shkëputjen e një pjesë të territorit.
Edhe pse nuk mund të mburret me një traditë të gjatë kinematografike si Shtetet e Bashkuara, Evropa apo Rusia, Kina po fiton me shpejtësi terren. Aq sa prodhimet e saj tashmë janë pjesë e panoramës së kinematografisë botërore.
Për shembull, Pekini është duke u mbështetur gjerësisht mbi historinë e tij mijëravjeçare për të prodhuar filma aventureskë, ku heroi lufton kundër tiranëve vendas, duke përdorur gjerësisht artet marciale (fuqia vërtet e butë e Kinës), dhe po e bënë këtë duke u mbështetur tek kompanitë perëndimore.
Ose në çdo rast duke u shoqëruar nga producentët perëndimorë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se edhe Kina, ashtu si të tjerat, po nxjerr në tregun e huaj filma “me luftë” me një temë më moderne dhe bashkëkohore, të cilët tregojnë veprime të mundshme të forcave speciale, apo të forcave të saj të armatosura jashtë vendit sipas skenarëve të trilluar por të besueshëm.
Nga këndvështrim i fundit, është i qartë si frymëzimi nga zhanri i filmave amerikanë me të njëjtën temë, por edhe dëshira e Byrosë Politike për të treguar një imazh të Kinës si një aktore që tani po vepron në dobi të sigurinë globale (si për shembull filmi Operacioni Deti i Kuq, viti 2018).
Që të gjitha këto prodhime kinematografike, përfitojnë edhe nga tradita më e gjatë e Hong Kongut, e krijuar falë filmave mbi artet marciale. Dikush mund të mendojë se vala e fundit e filmave kinezë “me luftë”, është tregues i ndryshimit të qëndrimit të politikës së jashtme kineze , e cila siç e dimë është bërë më agresive në kontekstin e dëshirës së Pekinit për t'u bërë një fuqi botërore, duke rivalizuar me Shtetet e Bashkuara në të gjitha nivelet, përfshirë atë ushtarak.
Ndërkaq Rusia e përdor kinemanë ndryshe, duke synuar tregun e saj të brendshëm dhe vendet fqinje, pra ato që dikur ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik dhe që i ishin nënshtruar diktatit të saj. Deri më sot, prodhimi i filmave rus është mbështetur rrallë tek producentët e huaj, dhe në përgjithësi filmat e prodhuar nuk kanë pasur shpërndarje të gjerë jashtë “botës ruse”, me përjashtim të disa rasteve të rralla (Epoka e Pionierëve dhe Salyut-7, që të dy të vitit 2017). Prej vitesh Moska ka rikuperuar të gjithë aparatin historiografik të BRSS në lidhje me Luftën e Dytë Botërore, për të rrënjosur në popullatë kujtesën dhe krenarinë e fitores kundër nazizmit. Një shembull domethënës nga ky këndvështrim, përfaqëson kompania e prodhimit të filmit Mosfilm. Është një nga studiot më të vjetra në Evropë, e themeluar në vitin 1923, dhe pas një periudhe krize në vitet 1990, është kthyer sërish në një nga më kryesoret në botë.
Në veçanti, që nga viti 2011, ajo ka nxjerrë një grup filmash nga arkivi i saj i epokës sovjetike, të restauruar dhe me rezolucion të lartë në lidhje me Luftën e Madhe Patriotike, të cilët mund të shihen me titra në anglisht.
Vetë prodhimi i filmave sot, pasqyron ndjenjën e ripërtërirë të patriotizmit dhe dëshirën për të propaganduar vlerat e veta kulturore, të përcaktuara në kontrast me ato “perëndimore”: në teatrot ruse është e mundur të shihen filma me që tregojnë histori që vijnë nga konflikti i fundit sirian (Nebok, viti 2021) deri tek operacionet e Grupit Vagner në Republikën e Afrikës Qendrore (Turisti - viti 2021), deri tek filmat më të rinj, por që pasqyrojnë beteja ose episode të Luftës së Dytë Botërore, me një theks të veçantë të romantikja, gjë që i bën tërheqës edhe për audiencën femërore.
Burimi: Inside Over/ Përshtati: Gazeta Si
*Paolo Mauri është gazetar italian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.