Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nisjen e një tjetër hetimi mbi origjinën e Covid-19, duke theksuar se investigimet e mëparshme nuk kanë qenë as të besueshme as transparente.
Sekretari Amerikan i Shëndetit, Xavier Becerra i ka bërë thirrje Organizatës Botërore të Shëndetësisë që të sigurojë “transparencë’ në fazën e ardhshme të hetimeve për origjinën e koronavirusit.
Duke folur në nivel ministrash në një takim të OBSH-së, Becerra ka thënë se ekspertët ndërkombëtarë duhet të lejohen që të analizojnë burimin e koronavirusit dhe se hetimet nuk duhet të udhëhiqen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila sipas Uashingtonin ka treguar se nuk është e besueshme.
Deklarata e fortë vjen pasi mediat amerikane kanë raportuar se ka një rritje të të dhënave se virusi mund të ketë dalë nga laboratori në Wuhan, në Kinë, ku edhe janë regjistruar rastet e para zyrtare me Covid-19.
Prej atëherë, më shumë se 167 milionë raste të infektimit dhe 3.4 milionë vdekje janë raportuar në gjithë botën.
Në mars të këtij viti, OBSH-ja ka publikuar një raport të hartuar edhe me shkencëtarët kinezë për origjinën e koronavirusit, duke thënë se mundësitë e nisjes së tij në laborator janë “jashtëzakonisht të vogla”. Megjithatë, organizata ka pranuar se ka nevojë për studime shtesë.
Dyshime të tjera nisën pas disa raportimeve nga burimeve të inteligjencës amerikane thonë se tre anëtarë të Institutit të Wuhanit janë shtruar në spital në nëntor të vitit 2019 për pheumoni, disa javë para se Kina të raportonte rastin e parë të infektimit në komunitet.
Pekini ka kundërshtuar ashpër raportimet, duke thënë se virusi mund të ketë dalë nga ndonjë laborator amerikan.
Duke folur në takimin e OBSH-së, Becerra nuk e ka përmendur Kinën, por e ka bërë të qartë nevojën për një tjetër hetim ndërkombëtar.

“Pandemia jo vetëm që ka marrë një vit të jetës sonë, por edhe ka marrë miliona jetë njerëzish”, deklaroi ai. “Faza e dytë e hetimeve për origjinën e koronavirusit duhet të nisë me transparencë, bazë shkencore dhe qasje të ekspertëve ndërkombëtarë në burimet e virusit në ditët e para të shpërthimit”.
Një studim i përbashkët i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Kinës thotë se Covid-19 e ka origjinën nga transmetimi i virusit nga lakuriqët e natës tek njerëzit përmes një kafshe tjetër. Studimi thekson po ashtu se rrjedhja e virusit nga laboratori në Wuhan është “jashtëzakonisht e pamundur”.
Ekipi i OBSH ka propozuar kërkime të mëtejshme në çdo fushë përveç hipotezës së rrjedhjes së laboratorit. Publikimi i raportit është vonuar në mënyrë të përsëritur, duke ngritur pikëpyetje nëse pala kineze po përpiqej të ndikonte në përfundimet që do të arrinte raporti për hequr “përgjegjësinë” e pandemisë nga Kina.
Studiuesit renditën katër skenarë që mendohet se mund të kenë çuar në shfaqjen e koronavirusit SARS-CoV-2. Në krye të listës ishte transmetimi nga lakuriqët e natës përmes një kafshe tjetër, për të cilën ata thanë se ka shumë të ngjarë. Ata vlerësuan përhapjen e drejtpërdrejtë nga lakuriqët e natës tek njerëzit si të mundshme dhe thanë që përhapja përmes produkteve të ngrira ushqimore, ishte e mundur por se kishte pak gjasa të çonte në shfaqjen e virusit.
Por Udhëheqësi i ekipit të OBSH-së Peter Ben Embarek u tha gazetarëve pas përfundimit të hetimit se është “krejtësisht e mundur” që rastet me koronavirus kanë qarkulluar rreth Wuhanit që prej nëntorit apo tetorit 2019, më herët sesa tregojnë të dhënat e regjistruara në lidhje me përhapjen e virusit.
Por pak pas publikimit të raportit, Shtetet e Bashkuara dhe 13 vende të tjera lëshuan një deklaratë duke ngritur “shqetësime të përbashkëta” në lidhje me transparencën e hetimit të OBSH-së. Në një deklaratë nga Departamenti Amerikan i Shtetit theksonte në atë kohë ishte thelbësore që të shpreheshin shqetësimet se studimi i ekspertëve ndërkombëtarë mbi origjinën e virusit u vonua ndjeshëm dhe se nuk pati qasje në të dhëna të plota, dhe në mostra.
Ekipi raportoi se gjatë vizitës së tij në qytetin kinez të Wuhanit në fillim të këtij viti, kishte hasur ndër të tjera në vështirësi për të siguruar të dhënave të papërpunuara. Studiuesit gjithashtu ishin detyruar të prisnin me ditë përpara se të merrnin lejen përfundimtare nga qeveria kineze për të hyrë në Wuhan.
Në deklaratën e përbashkët e Shteteve të Bashkuara dhe 13 vendeve të tjera thuhej se “misione shkencore të kësaj natyre duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre në kushte që prodhojnë rekomandime si dhe gjetje të pavarura e objektive”.
Krahas SHBA-së, deklarata u nënshkrua nga qeveritë e Australisë, Britanisë, Kanadasë, Republikës Çeke, Danimarkës, Estonisë, Izraelit, Japonisë, Letonisë, Lituanisë, Norvegjisë, Koresë së Jugut dhe Sllovenisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje