Ekonomi

SHBA i trembet ndikimit ekonomik të koronavirusit, ulje historike e normës bazë të interesit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë marrë seriozisht epideminë e koronavirusit dhe veç pasojave shëndetësore që mund të sjellë po u paraprin edhe pasojave ekonomike.

“Federal Reserve”, banka qendrore amerikane uli normën bazë të interesit me 0.5 për qind, duke e çuar atë në kufijtë e 1 dhe 1.25 përqindëshit. Vendimi pason takimin e ministrave të Financave të G7-ës të martën dhe zotimit të tyre për të ndërmarrë veprime e vendime për të zbutur ndikimet e koronavirusit në ekonomi.

Vendimi pason gjithashtu edhe disa parashikime të zymta të agjencive dhe institucioneve financiare ndërkombëtare, që thonë se koronavirusi mund të zhysë dhjetra ekonomi në recesion.

Si ka ndryshuar norma bazë e interesit vendosur nga FED që prej 2010-ës

“Ekonomia jonë mbetet e fortë, por është e vështirë që të parashikohet forca goditëse dhe jetëgjatësia e efekteve të virusit që po përhapet. Virusi dhe masat që po merren për ta kontrolluar atë me siguri që do të kenë ndikim në ekonomi për një kohë të caktuar, si në SHBA, ashtu edhe në mbarë botën”, deklaroi në një konferencë për shtyp nga Uashingtoni, Jerome Powell, kreu i “Federal Reserve”.

Powell thotë se shpreson që masa t’i japë një hov ekonomisë në një periudhë pasigurie dhe paqartësie të tregjeve globale.

Kjo është ulja më e madhe e normës bazë të interesit që “Federal Reserve” ndërmerr që prej vitit 2008, kohë kur bota sapo kishte hyrë në kulmin e vorbullës së krizës financiare globale. “Federal Reserve” shpreson se me këtë vendim do të nxisë konsumin dhe vetëbesimin e sipërmarrjes, duke garantuar likuiditet të mjaftueshëm në treg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë