Histori

SHBA, historia e “mamit tigër” në skandalin e darkave private me studentët

Amy Chua, një shkrimtare dhe lektore në Shkollën e Drejtësisë në Yale, ka kaluar nga të qenit një shembull i një gruaje dhe nëne shumë të rreptë, por të suksesshme brenda dhjetë vjetësh – ajo u emërua në vitin 2011 në listën e 100 njerëzve më me ndikim në botë sipas “The Times” – tek stuhia e ngritur në karrierën e saj akademike nga një “Dinner Party-gate”, një skandal i lidhur me darka informale dhe festa, ku morën pjesë disa nga studentët e saj.

Një vajzë amerikane me prindër të lindur në Kinë, që emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo u bë e famshme dhjetë vjet më parë, kur libri i saj, “Battle Hymn of the Tiger Mother” (dhe modeli i saj i ngurtë i arsimit kinez), u kthye në një çështje editoriale.

Eseja, u bë një ‘bestseller’ në Shtetet e Bashkuara, Kinë, Koreja e Jugut, Poloni, Izrael, Gjermani, Mbretëri e Bashkuar dhe u përkthye në 30 gjuhë.

Në librin e saj, Chua i shpjegoi botës pse nënat kineze ishin më të mirat në botë dhe pse edukimi i rreptë që u jepej dy vajzave të saj, ishte rruga optimale drejt suksesit (e cila më pas ndodhi: Sophia dhe Louisa janë të dyja të diplomuara në kolegj dhe kanë një karrierë të shkëlqyer. Sophia gjithashtu fitoi një praktikë me gjyqtarin Brett Kavanaugh).

Jo televizor, jo lojëra kompjuterike, gjumë me miqtë e shkollës ose pasdite lojërash. Vajzat thirreshin me pseudonime që ishin asgjë tjetër, veçse me qëllim të mirë (deri dhe “mbeturina”) dhe Chua ka treguar shpesh se i ka kërcënuar vajzat e saj t’i jepnin lodrat e tyre për bamirësi, nëse nuk mund të kryenin një detyrë në mënyrë të përsosur, si luajtja e një melodie veçanërisht komplekse me violinë.

Një model shumë larg imagjinatës së një nëne amerikane në stilin e Lorelai Gilmore, në “Një nënë si një shoqe”.   Por deri këtu, nuk ka asgjë të keqe. Çështja është se ai model, do të ishte gjithashtu shumë larg nga mënyra se si shkrimtarja do të ishte sjellë me studentët e saj të Drejtësisë.

Sipas akuzave të bëra kundër Chua-s nga komuniteti studentor i Yale-s, profesoresha dhe burri i saj, Jed Rubenfeld – gjithashtu profesor në Shkollën e Drejtësisë të Universitetit të Ivy League – nuk kanë humbur asnjë mundësi për të organizuar festa private dhe darka, duke ftuar avokatë të rinj që aspirojnë dhe disa anëtarë me ndikim të peizazhit ligjor të SHBA-ve.

Dhe gjatë këtyre pushimeve – që shkelte një marrëveshje që Chua kishte nënshkruar me udhëheqësit e Yale-s, duke u zotuar të mos njiheshin me studentët jashtë orarit të punës – burri dhe gruaja, së bashku me avokatët aspirues dhe emrat më të mirë të kampusit (siç vlerësohet nga gjykatësit federalë), pinin në mënyrë të tepruar, sipas praktikantëve dhe mësuesve të tjerë.

Gjithçka filloi midis marsit dhe prillit, kur “Yale Daily News”, raportoi se profesoresha ka prishur marrëveshjen e nënshkruar në vitin 2019, me të cilën ajo u zotua të shmangte takimet joformale dhe miqësore me studentët jashtë orarit të mësimit.

Në fakt, Chua kishte rënë dakord të ndalonte pirjen dhe të shoqërohej me djemtë jashtë klasës dhe orëve të pritjes, si një përgjigje ndaj pretendimeve të sjelljes së keqe që ishin bërë kundër saj.

Megjithatë, ajo nuk do ta përmbushte atë që premtoi: disa të rinj në kursin e drejtësisë, të cilët morën informacion për zakonet e pa ndryshuara kurrë të Chua-s, sollën prova tek administratorët e Shkollës së Drejtësisë për të mbështetur akuzat e tyre, të cilat treguan darkat në shtëpinë e shkrimtares me studentët e saj dhe disa anëtarë të shquar të bashkësisë ligjore.

Ishte 26 mars 2021. Tri ditë më vonë, Chua u hoq nga lista e mësuesve që drejtojnë grupe të vogla praktikantësh të rinj në vitin e parë të Shkollës së Drejtësisë në Yale: “Këtu nuk ka vend për sjellje të dënueshme”.

Nga ana e saj, Chua thotë se është e pafajshme dhe i ka shkruar një letër të hapur “Yale Daily News”, në të cilën shpjegon se ajo ishte trajtuar “si kriminele” nga dekani i fakultetit. Disa studentë pranuan se kishin qenë në shtëpinë e shkrimtares dhe burrit të saj, por jo për festa me bazë alkooli, por për seanca studimi pasdite në grupe të vogla me dy ose tre persona ose për të biseduar për të ardhmen e tyre.

Chua ngriti çështjen e diversitetit, duke argumentuar se ai trajtim, ishte i rezervuar për të, mësuesen e vetme aziatike të Yale-s.

“Kjo është hera e katërt që sulmohem, – tha zonja Chua, – dhe unë thjesht dua të mbijetoj dhe të shkruaj librat e mi”. Ajo gjithashtu argumentoi se akuzat që tani po i drejtohen asaj, nxiten nga një rrymë liberale e studentëve të Yale-s, të cilët më parë e kishin kritikuar atë për deklaratat e saj ndaj gjyqtarit Brett Kavanaugh, i emëruar në Gjykatën e Lartë nga ish- presidenti Donald Trump dhe i akuzuar për ngacmim seksual dhe sjellje të papërshtatshme.

Chua u kishte sugjeruar studenteve të saj, që të kujdeseshin për pamjen e tyre të jashtme, nëse dëshironin të bënin një praktikë me gjyqtarin në fjalë, pasi Kavanaugh ishte i famshëm për vlerësimin e praktikanteve që dukeshin si modele.

Deklarata, pas të cilave shkrimtarja dhe mësuesja përfunduan në mes të polemikave. Për të hedhur “benzinën mbi zjarr”, ka ndihmuar edhe një editorial me titull “Kavanaugh Is a Mentor To Women” (Kavanaugh është një mentor për gratë), i publikuar më 12 korrik 2018 në gazetën “Wall Street Journal”.

Kuptimi i “Dinner Party-Gate”

Por vërtet disa darka, të shoqëruara me verë dhe ndoshta me pije të forta alkoolike, janë të mjaftueshme për të minuar karrierën e një mësueseje të dashur dhe të vlerësuar nga shumica e studentëve? Duke lexuar historinë në kontekstin e Shkollës së Drejtësisë në Yale, po.

Në fakt është shkolla më prestigjioze e drejtësisë në vend, e frekuentuar nga Presidentë, Sekretarë të Shtetit dhe gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Numri i studentëve është më i ulët se ai që Harvardi në Boston mirëpret çdo vit dhe për këtë arsye shumë duket se janë prekur nga një lloj filozofie e ligjit, në të cilën çdokush padyshim dëshiron të bëjë një karrierë, por disa lidhin suksesin personal me betejat sociale.

“Shkolla e drejtësisë është mjaft e vogël, por mjaft e shqyer”, – tha një grua në gazetën “New Yorker”, e cila skicoi në mënyrë të përsosur kontekstin e Shkollës së Drejtësisë të New Haven.

“Ekziston një pakicë shumë e zhurmshme studentësh, të orientuar drejt drejtësisë sociale”, të cilët janë atje për të ndjekur pasionet e tyre për reformën në drejtësinë penale ose të drejtat e grave”. Dhe për ta bërë këtë, mënyra e vetme është të jesh në gjendje të sigurosh një praktikë për një gjyqtar prestigjioz.

Tani: praktikat më të mira zakonisht synohen për praktikuesit më të mirë, sipas një parimi të meritokracisë. Por viti i parë, në të cilin të gjithë ende nuk janë vendosur dhe kuptuar se si të lëvizin në shkollë, është e vështirë të kuptohet me të vërtetë kush është kandidati më i mirë.

Kjo është arsyeja pse rekomandimet e një profesori janë thelbësore. Ashtu si Chua: e cila, sipas disa studentëve të intervistuar nga gazeta “New Yorker” dhe mbeti anonim, nuk do të kishte hezituar në të kaluarën të bënte një telefonatë për t’i dhënë një prej nxënësve të saj një praktikë të shkëlqyeshme.

Historiku (dhe akuzat për ngacmim të bashkëshortit)

Chua dhe burri i saj kishin qenë tashmë në qendër të lajmeve në komunitetin universitar në shtator 2018, kur – përsëri sipas akuzave që u bënë kundër tyre – ata do t’u kishin sugjeruar disa studentëve një mënyrë për t’u veshur dhe për t’u sjellë si duhet për të fituar një praktikë në Gjykatën Supreme.

Akuzat përfshinin takime private, festa dhe darka me bazë alkooli. Rubenfeld, gjithashtu duhej të përballej me një hetim për ngacmime verbale dhe fizike kundër studentëve: ai dyshohet se u përpoq të prekte dhe puthte disa nga studentet e universitetit që po ndiqnin kurset e tij.

Për momentin, ai është pezulluar nga mësimi, ashtu siç ishte kërkuar nga studentët e universitetit. Pavarësisht nga shkarkimi i përkohshëm nga katedra, dekani i universitetit kurrë nuk zbuloi ndonjë detaj në lidhje me çështjen.

Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë