Treg

SHBA hap portat e rezervave në shifra rekord, nafta bie në rreth 100 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës ranë të enjten pas lajmeve se Shtetet e Bashkuara po konsideronin hedhjen në treg të një sasie rekord prej 180 milionë fuçi nga Rezerva e saj Strategjike e Naftës, më e madhja në historinë gati 50-vjeçare të kësaj rezerve.

Kontratat e naftës së papërpunuar Brent për muajin maj maj ranë me 6,95 dollarë, ose 6,13 për qind, në 106,50 dollarë për fuçi. Kontratat e majit mund të nënshkruhen brenda së enjtes dhe kontratat e së ardhmes më aktive të qershorit ranë 6,66 dollarë në 104,78 dollarë, pasi më parë kishin rënë me 7 dollarë për fuçi.

Kontratat në SHBA, në West Texas Intermediate për dorëzimin e majit ranë 7,28 dollarë, ose 6,75 për qind, në 100,54 dollarë për fuçi, pasi arritën nivelin më të ulët prej 100,16 dollarësh.

Hedhja rekord e naftës nga rezervat strategjike të SHBA është e barabartë me dy ditë të kërkesës globale dhe do të dalë në treg për disa muaj, thanë katër burime amerikane të mërkurën për agjencinë e lajmeve Reuters, ndërsa Shtëpia e Bardhë përpiqet të ulë çmimet e karburantit.

“Kohë të dëshpëruara, kërkojnë qartë masa të dëshpëruara dhe qartësisht administrata e Biden beson se rritja e çmimeve të naftës garanton këtë lëvizje për të konsumuar furnizimet emergjente të vendit,” tha Susannah Streeter, analiste e lartë e investimeve dhe e tregjeve në Hargreaves Lansdoën.

Analistët e Goldman Sachs thanë se masa do të ndihmonte tregun e naftës të ribalancohej në vitin 2022, por nuk mund të ishte një rregullim i përhershëm.

“Kjo është sidoqoftë, një çlirim i stoqeve të naftës, jo një burim i vazhdueshëm furnizimi për vitet e ardhshme. Një çlirim i tillë nuk do të zgjidhte deficitin strukturor të ofertës në vitet në vazhdim”, thanë ata.

Një zëdhënës i Ministrisë së Energjisë së Zelandës së Re tha se vendet anëtare të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA) do të takohen të premten për të vendosur mbi një hedhje të mundshme kolektive në treg të një pjese të sasive nga rezervat e naftës,

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe aleatët, përfshirë Rusinë, takohen të enjten dhe pritet që të miratojnë vetëm një rritje të planifikuar në objektivin e tyre të prodhimit jo më herët se muaji maj.

Nafta u rrit me rreth 3 për qind të mërkurën pasi bisedimet e paqes ngecën midis Ukrainës dhe Rusisë, eksportuesi i dytë më i madh i naftës në botë.

Sanksionet financiare perëndimore të vendosura ndaj Moskës për pushtimin e Ukrainës kanë ndërprerë eksportet e saj të naftës së papërpunuar dhe produkteve të tjera naftës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë