Në ditën e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm, e ngarkuara me punë e SHBA-ve në ambasadën amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Ones, në një deklaratë për mediat u shpreh se Shqipëria është një shembull në këtë aspekt.
Gjatë fjalës së saj të mbajtur në shqip, Moses-Ones u shpreh se ambasada ka punuar me shkollat në projektin për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Ajo ndër të tjera tha se për të luftuar ekstremizmin, duhet të ketë bashkëpunim, duke cituar edhe një shprehje në gjuhën shqipe “Punë e mirë me shokë shumë”.
“Gjatë programit pilot në shkolla, është rritur ndërgjegjësimi për të shmangur ekstremizmin e dhunshëm. Projekti i parë kundër ekstremizmit u mbajt në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2015, ndërsa më vonë një samit për këtë temë u mbajt në Tiranë. Liderët politikë shqiptarë dhe në Ballkan vunë në dukje se ekstremizmi dhe terrorizmi duhet luftuar.
Shkolla si një qendër komunitare ka shërbyer për të promovuar paqen dhe jo dhunën. Strategjia ka bërë që edhe aktorët vendas të ndërgjegjësohen për të trajtuar këtë fenomen. Të gjithë aktorët e kuptojnë se parandalimi i ekstremizmit ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Në këtë projekt kanë marrë pjesë qytetarë, por edhe organizata fetare. Këto projekte ndihmojnë qytetarët që të mos priren nga dhuna”, u shpreh Moses-Ones.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




