Gazeta Si – Në SHBA është regjistruar një tjetër ngjarje tragjike me të shtëna me armë zjarri në shkollë. Policia konfirmoi se në shkollën e krishterë Aundant Life në Madison, Wisconsin ka dy të vdekur dhe gjashtë të plagosur.
Viktimat, sipas CNN, janë një mësues dhe një nxënës. Policia tha se autore është nxënësja Natalie Rupnow, e njohur si “Samantha”, një vajzë 15-vjeçare, e cila ndiqte të njëjtën shkollë.
Vrasësja dyshohet se ka qëlluar veten duke përdorur armën me të cilën ka kryer masakrën, një pistoletë 9 mm.
Shkolla frekuentohet nga 390 nxënës. Masakra ndodhi pikërisht në prag të festave të Krishtlindjeve në shkollën e krishterë Aundant Life në Madison.
Sulmuesja, sipas shefit të policisë lokale, Shon Barnes, ishte një nxënëse e re në të njëjtën shkollë, duke filluar nga shkolla fillore në atë mesme.
Policia ka marrë një telefonatë emergjente në orën 10.57 me orën lokale, 17.57 në Shqipëri dhe kur ka mbërritur në vendngjarje, ka gjetur vrasësen pa jetë, ku dyshohet se kishte kryer vetëvrasje.
Në tragjedi, fati ishte që personeli mjekësor i policisë së Madisonit po kryente një stërvitje pikërisht pranë shkollës dhe për këtë arsye arriti të mbërrinte në kohë rekord.
Sipas mediave lokale, mes të plagosurve – disa në gjendje të rëndë – ka pasur fëmijë, ndërsa një nga dy viktimat ishte punonjës.
Të shtënat në Madison vijnë më pak se dy javë pas një tjetër tragjedie në një shkollë të krishterë në Kaliforni, ku, për fat të mirë, numri ishte vetëm dy fëmijë të plagosur dhe sulmuesi u vetëvra.
Por këto dy incidente të fundit dhune i shtohen të paktën 403 ngjarjeve me të shtëna të tjera masive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë vit, sipas Arkivit të Dhunës me Armë, i cili e përcakton një incident “me të shtëna masive”, si një ngjarje në të cilën të paktën katër persona janë qëlluar, pa përfshirë autorin.
Në shtator, një 14-vjeçar i armatosur me një pushkë sulmi që mori si dhuratë për Krishtlindje, vrau dy nxënës dhe dy mësues në shkollën e tij në Xhorxhia, një rast që tronditi Shtetet e Bashkuara, edhe pse babai u arrestua dhe u akuzua se kishte vënë në dispozicion të tij armën.
Një fakt që po bëhet gjithnjë e më i zakonshëm në Amerikë, ku 80% e armëve të përdorura nga studentët në të shtënat masive merren nga shtëpitë e familjarëve apo të afërmve dhe miqve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.