Administrata Trump do t’i japë kompanisë Constellation Energy një hua federale prej 1 miliard dollarësh për të rilindur centralin bërthamor Three Mile Island në Pennsylvania, i cili pësoi një shkrirje të pjesshme të bërthamës në vitin 1979.
Sekretari i Energjisë, Chris Wright, tha të martën se ringjallja e centralit do të ndihmojë në uljen e çmimeve të energjisë elektrike dhe se administrata do të veprojë për të sjellë më shumë prodhim bërthamor në rrjet.
“Ne duam të sjellim sa më shumë energji elektrike të besueshme në rrjet për të ndaluar këto rritje çmimesh,” tha ai, duke shtuar se këto masa do të ndihmojnë në “rikthimin e prodhimit në vendin tonë.”
Constellation njoftoi vitin e kaluar se do të ringjallw vendin e Three Mile Island, ku ndodhi aksidenti më i madh bërthamor në vend, për të ndihmuar në prodhimin e energjisë elektrike për Microsoft, e cila ka nevojë për më shumë energji për të furnizuar biznesin e saj të inteligjencës artificiale.
Marrëveshja parashikon që Constellation të rikthejë reaktorin e paprekur të centralit, i cili ishte shumë i shtrenjtë për tu operuar dhe u mbyll në vitin 2019. Energjia e prodhuar do të shitet te Microsoft nën një marrëveshje 20-vjeçare. Industria e teknologjisë ka një kërkesë pothuajse të pangopshme për energji 24 orë në ditë për qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale.
Administrata Trump është një përkrahëse e fortë e energjisë bërthamore dhe ka premtuar të katërfishojë prodhimin bërthamor të SHBA deri në vitin 2050. Plani përfshin rinisjen e reaktorëve ekzistues dhe zhvillimin e 10 reaktorëve të rinj në shkallë të gjerë, të cilët do të zgjerojnë kapacitetin bërthamor nga 100 gigavat aktualë në 400 gigavat.
Dritat po ndizen përsëri në Three Mile Island, vendi i shkrirjes më të madhe bërthamore në Amerikë. Në janar, WSJ vizitoi vendin për të mësuar më shumë rreth procesit delikat të rivendosjes së një centrali bërthamor.
SHBA ka shtuar vetëm tre reaktorë të mëdhenj të rinj që nga vitet 1990. Të fundit ishin me vite vonesë dhe mbi buxhet. Vitet e kërkesës së sheshtë për energji në SHBA krijuan një luftë për pjesën e tregut, dhe centralet bërthamore kishin vështirësi të konkurronin me shumë projekte të rinovueshme dhe centralet që përdorin gaz natyror, që përfitonin nga një burim i lirë i karburantit nga shpimi i gazit shale në SHBA.
Mbwshtetja për energjinë bërthamore wshtw rritur që pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe krizës energjetike në Europë që pasoi nga sanksionet ndaj energjisë ruse, si gaz natyror. Shtete përfshirë Francën, Japoninë dhe Mbretërinë e Bashkuar po shqyrtojnë gjithashtu shtimin e energjisë bërthamore në rrjetet e tyre kombëtare.
Wright tha se Three Mile Island do të shtojë rreth 800 megavat prodhimi energjie në rrjet. Constellation ka thënë se do të shpenzojë rreth 1.6 miliard dollarë për të rilindur centralin në vitin 2027.
Centrali kishte dy reaktorë, me njërin të mbyllur përfundimisht pas aksidentit, ndërsa tjetri u mbyll në vitin 2019. Është reaktori i dytë që Constellation synon të rivendosë.
Kompania ka riemërtuar vendin si Crane Clean Energy Center. Nën administratën Trump, Constellation tha se ka qenë e mundur “të përshpejtohet shumë kjo rivendosje pa kompromentuar cilësinë apo sigurinë. Është një shembull i shkëlqyer se si politikat ‘America First’ për energjinë krijojnë vende pune, rritje dhe mundësi dhe e bëjnë rrjetin më të besueshëm.”
Komisioni Rregullator Bërthamor po përqendrohet më shumë tek më pak burokraci dhe më shumë siguri, tha Wright. “Me gjeneratën e re të reaktorëve, kjo është edhe më e lehtë,” shtoi ai./Wall Street Journal – Gazetasi.al
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



