Xherdan Shaqiri nuk është grumbulluar nga trajneri Jurgen Klop për ndeshjen e së martës me Crvena Zvezdën në Champions League. Klubi anglez e ka marrë këtë vendim, për shkak se nuk ka siguri fizike për futbollistin me origjinë kosovare. Ndeshja luhet në Beograd dhe, duke marrë në konsideratë edhe atë çfarë ndodhi me Shaqirin gjatë ndeshjes Zvicër-Serbi në Botërorin e Rusisë, ku ai e festoi golin me simbolin e shqiponjës së flamurit kuqezi, është menduar nga klubi anglez që futbollisti të mos shkojë me ekipin në Serbi.
Është një vendim i klubit, që kërkon të shmangë çdo problem të mundshëm, duke ditur që tifozët e Crvena Zvezdës, veçanërisht grupimet ultras, do ta sulmonin futbollistin kosovar të Zvicrës. Ndoshta vetë Shaqiri ka dashur të shkojë në Beograd, por ka respektuar vendimin e klubit të tij. Lajmi është bërë i ditur nga medie të ndryshme në Angli dhe më pas ka marrë vëmendje në Zvicër, Kosovë dhe Shqipëri.
Në të njëjtin grup të Championsit me Crvena Zvezdën, Liverpulin dhe PSG-në është edhe Napoli, por Elseid Hysaj shkoi në Beograd dhe luajti titullar ndaj skuadrës serbe. Për futbollistin shkodran të Kombëtares nuk pati asnjë problem serioz në atë ndeshje, duke përjashtuar ndonjë sharje sporadike të tifozëve vendas. Te Napoli nuk e menduan aspak rrezikun e sigurisë fizike për Hysajn, por ndryshe ka vepruar Liverpuli. Festa e Shaqirit me shqiponjën dykrenare në Rusi mund të jetë ende shkak për të sulmuar futbollistin kosovar të Liverpulit, kështu që klubi ka zgjedhur variantin më të sigurt për të, duke e lënë në shtëpi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.