Gazeta Si - Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka paditur në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion për një përpjekje kriminale për ta intimiduar atë përmes dokumenteve të falsifikuara.
Ai i kërkon SPAK-ut të hetojë për disa mesazhe që i kanë mbërritur në telefon më datë 28 shtator në aplikacionin “Signal”, ku sipas tij sajohen ngjarje dhe përmenden personazhe të krimit të organizuar.
Gazment Bardhi, në letrën dërguar Prokurorisë së Posaçme, tregon se mesazhi i ka shkuar nga një numër i paidentifikuar, me emër përdoruesi, “Mbreti Zog”.
“Ervis Martinaj, Erigers Mihasi, të jesh mirë”, shkruhet në SMS-së dërguar kreut të Grupit të PD-së, mesazh që ia ka bashkangjitur letrës dërguar në SPAK.
Në letrën e tij, ku ka vënë në dijeni dhe ambasadat e SHBA, BE-së dhe Britanisë së Madhe, Gazment Bardhi thotë se pas kësaj ngjarje të fabrikuar persona publikë dhe figura të krimit të organizuar të denoncuar prej tij publikisht dhe në SPAK.
“Këto mesazhe intimiduese dhe me përmbajtje tërësisht të rreme vijnë pas seancës plenare të datës 12 Shtator 2024, ku gjatë një interpelance me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, unë në cilësinë e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë e përballa atë me disa të dhëna të platformës SKY/ECC që janë bërë publike, si dhe e paralajmërova se shumë shpejt do ta përball me të dhëna të tjera të të njëjtës natyrë që provojnë lidhjet mes funksionarëve të lartë publik dhe krimit të organizuar, gjithmonë pa cenuar dhe duke respektuar rregullat për ruajtjen e sekretit hetimor”, thotë Bardhi në letrën për Drejtuesin e SPAK-ut dhe për të cilën ka vënë në dijeni ambasadat e SHBA, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë.
Gazment Bardhi i kërkon SPAK që të hetojë dhe verifikojë në një kohë të shpejtë mesazhet me natyrë intimiduese ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim identifikimin e autorit/ëve të këtyre mesazheve, motiveve të dërgimit të tyre, dhe arsyet e prodhimit të një dokumenti të falsifikuar.
“Gjithashtu, për qëllime publike ju nxis të verifikoni edhe përmbajtjen e rrethanave konkrete të tyre”, - thuhet në letrën drejtuar SPAK-ut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.