Kryeministri Edi Rama paralajmëroi ridërgimin në Presidencë të të njëjtit emër për dekretimin si ministër i Brendshëm. Sandër Lleshi do të jetë sërish në tryezën e Ilir Metës për të marrë “vulën” e ministrit, ose për t’u refuzuar sërish.
Njoftimin e dha vetë Edi Rama këtë të enjte i ftuar në emisionin Real Story.
“Nesër (të premten) do t’i dërgojmë Presidentit dekretin për Sandër Lleshin me një relacion shterues që të krijojë bindjen për të firmosur”, deklaroi Kryeministri Rama.
Se çfarë do të thotë “material shterues” i Kryeministrisë mbetet për t’u mësuar në ditët në vijim, por ajo që sinjalizoi shefi i Qeverisë ishte se nuk priste një refuzim të dytë për Lleshin.
“Presidenti do të bindet, sepse nëse nuk ka asnjë agjendë personale, nuk ka asnjë motiv që ta refuzojë dekretin”, u shpreh Rama.
Nëse emri i Sandër Lleshit shkon sërish për t’u dekretuar të premten, Ilir Meta ka sërish 7 ditë kohë, pra deri të premten e ardhshme për të vendosur nëse “relacioni shterues” e bind për ta firmosur, ose e i qëndron vendimit të parë për ta refuzuar.
Të shtunën e kaluar, Presidenti Ilir Meta refuzoi kandidaturën e Sandër Lleshit me argumentin se “nuk e bind” për detyrën e ministrit të Brendshëm. Refuzimi pasoi një takim të zhvilluar të dielën me Edi Ramën në Presidencë dhe të martën një seancë të jashtëzakonshme parlamentare të mazhorancës për të votuar dekretin që shkarkon Xhafajn dhe hapur rrugë Sandër Lleshit në krye të ministrisë, por si zv.ministër.
Por, me postin e zv.ministrit, Lleshi i ka duart e lidhura për shumë vendime. Ai nuk mund të votojë në mbledhjet e qeverisë dhe as të detyrojë Drejtorin e Policisë së Shtetit që të raportojë tek ai.
Kryeministri ritheksoi atë që tha të martën në fjalimin 25 minutësh të mbajtur para deputetëve socialistë, ku mburri punën e Ilir Metës si President…deri të shtunën në mbrëmje. Rama këmbëngul se refuzimi i dekretimit mbetet një vendim antikushtetues, që e quan “ekstravagancë”.
Por, për t’u sqaruar për këtë çështje, Rama premton se ditën e hënë, mazhoranca do të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese, megjithëse kjo gjykatë sot është jashtë funksionit të saj.
“Të hënën do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese. Pas disa muajve, kur ajo të krijohet si Gjykatë do të marrë vendimin e saj për të sqaruar Presidentët e ardhshëm”, u shpreh Rama.
Kryeministri u shpreh besimplotë se Ilir Meta këtë herë do të dekretojë Sandër Lleshin, ndërsa paralajmëroi rrëzimin e kandidaturës së Vitore Tushës për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, por jo se dyshon tek aftësitë e gjyqtares për këtë detyrë.
“Vitore Tusha ka 100 për qind mbështetjen time, por nuk sakrifikohet Reforma në Drejtësi”, tha ai.
Duke komentuar ngjarjen e ditës, atë të varrimit të ekstremistit grek, Konstandinos Kacifas në Bularat, Rama vlerëson qëndrimin e Qeverisë greke, ndërsa thirrjet raciste të një pjese të të pranishmëve në varrim i cilësoi folklorike.
“Nuk është kjo që pamë sot, as Bularati, as Greqia dhe as greku. Ajo që pamë ishte një segment folklorik dhe Greqia nuk ka qenë asnjëherë armiku ynë”, u shpreh Rama.
Kryeministri iu rikthye hetimeve për dosjen e Saimir Tahirit, një javë pasi ish-ministri i Brendshëm dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste doli para mediave për të njoftuar se drejtësia italiane kishte mbyllur hetimet ndaj tij.
Në Real Story ai kërkoi nga mediat që të kërkojnë falje, pasi i “bënë gjyqin me pa të drejtë”.
“Ju kërkuat arrestimin e Saimir Tahirit. Gjykata e Katanias mbylli hetimet për të. Jeni ju që duhet të kërkoni falje për llumin që hodhët”, u shpreh ai.
Kryeministri mohoi se ka diskutuar me Presidentin turk, Recep Taip Erdogan marrëveshjen e detit me Greqinë, thotë se marrëveshja nuk ka përfunduar dhe se Shqipëria nuk ka asnjë centimetër det për të falur.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




