Trashëgimi

Sfida e artizanatit shqiptar për t’i mbijetuar kohës dhe kostove

Nga Liridon Mulaj- Panairi i artizanatit “Zan’art”, mblodhi në ambientet e jashtme të “Rogner” artizanë nga e gjithë Shqipëria. Në një oborr të hapur mes gjelbërimit u ekspozuan stendat me veshje tradicionale, punime vazosh prej balte, maskat veneciane të Shkodrës, ornamente të punuara në qelq e shumë e shumë objekte të traditës të cilat përshfaqin një trashëgimi të pasur të vendit tonë.

Ajo që bie në sy mes të tjerash është “mbretëresha” e kostumeve tradicionale shqiptare ; xhubleta e malësisë së veriut, e cila simbolizon një traditë sa të vjetër po aq dhe të re, tashmë edhe si pasuri materiale e botës e pranuar në Unesco.

Meliha Zyberi, artizanja e cila e ka në pronësi xhubletën thotë për GazetaSi.al se kjo,  e ekspozuar në Zan’art  është një xhubletë mbi 100 –vjeçare.

“Kjo xhubletë është blerë në Dukagjin nga një zonjë e cila e kishte trashëguar nga e ëma e saj. Është një xhubletë  me shumë se 100 vjeçare. E ruaj me fanatizëm sepse sipas meje duke pasë vlera të padiskutueshme  të trashëgimisë, sot nuk ka çmim.

Po ashtu Melihaja, e cila zotëron mjeshtërinë e mëndafshit të punuar në tezgjah, e demonstron këtë proces në tezgjahun e vendosur në hyrjen e panairit, prej ku kuriozët dhe vizitorët ndalojnë dhe shohin me interes punën e saj.

Elida Çela: Qëllimi ynë është që artizanatin ta trashëgojmë edhe te të rinjtë

Elida Çela është artizane, dhe mësuese në profesion e cila e ushtron këtë zeje prej shumë vitesh. Ajo thotë për Gazetasi.al se në Krujë, aty ku jeton dhe punon është ndër të parat e cila zhvilloi pasionin e saj duke e kthyer në profesion.

“Kam një jetë që punoj kostumet tradicionale. Përveç profesionit tim si mësuese unë kam ndjekur dhe pasionin që lidhet gjithsesi me dashurinë për fëmijët dhe punën që unë bëj me ta. Qëllimi im është që të ruajmë traditën tonë kaq të bukur.

Unë vij nga Kruja dhe kur kam nisur të ushtroj artizanatin, kishte shumë pak interes pasi bëhet fjalë për shumë vite më parë. Dikur punoja nëpër dasma kryesisht ndërsa sot interesi ndaj kostumeve tradicionale është shtuar ku çdo familje kërkon të ketë nga një kostum tradicional në shtëpi dhe çdo dasëm përfshin edhe veshjen e kostumeve popullore” thotë Çela.

Ndërkohë ajo thekson se qëllimi i saj është që ky zanat të trashëgohet edhe tek të rinjtë, edhe me mbështetjen e institucioneve.

“Jam e kënaqur me punën që bëj por qëllimi mbetet i njëjtë, që tradita të mos shuhet dhe ne t’ua përcjellim brezave të rinj. Unë nuk kam qënë pjesë e thirrjeve të ministrisë për mbështetje pasi nuk kam pasur mundësi por edhe nuk kam pretenduar shumë. E di që ka politika mbështetëse dhe shpresoj që shumë zonja të cilat punojnë dhe jetojnë me këtë profesion të gjejnë mbështetje pasi kanë nevojë”

Maskat e Shkodrës që shiten në Vencia, Spanjë dhe Las vegas

Enton Rrokaj administrator i “Veniceartmask” dhe pjesmarrës në Zan’art thotë se maskat  prodhohen krejtësisht në mënyrë artizanale dhe pastaj eksportohen në Venecia, Marbella dhe Las Vegas.

“Ne kemi 28 vite që operojmë në Shkodër. Maskat krijohen nga kallëpet e ndryshme që ne kemi, ku mbi ta vendoset letra e lagur me ujë dhe miell dhe merr formën e kallëpit. Mandej maska dekorohet fillimisht duke u lyer me bojë të bardhë dhe pastaj me elementët e tjerë.  Ne kemi tetë dyqane në Venecia, një në Marbella në Spanjë dhe një në Las vegas ku maskat prodhohen në Shkodër dhe eksporohen në këto dyqane.  Edhe karnavalet e Shkodrës i mbulojmë ne me të gjitha llojet e maskave ku shpesh blihen nga institucionet ose merren me qera”

Punimet artistike prej druri nuk shiten për shkak të çmimit të lartë

Alberta Metallari është një tjetër sipërmarrëse, fokusi i së cilës është tek punimet artistike me dru, ku kryesisht përdoren lisi dhe arra. Ajo shprehet për GazetaSi.al se interesi nga shqiptarët është i paktë.

“Ne kemi në fokus përpunimin e drurit, kryesisht me lisin dhe drurin e arrës. Punët tona fokusohen kryesisht tek objektet artistike arreduese. Me thënë të drejtën tek pjesa e punimeve artistike të drurit nuk është se shohim shumë interes tek tregu i brendshëm. Interesin më të madh e kemi nga të huajt të cilët blejnë nga ne kur marrim pjesë në panaire të ndryshme. Ndoshta kërkesat e pakta nga tregu i brendshëm janë të ulëta edhe për arsye se këto punime artistike bëhen me mund dhe realisht kanë një kosto. Për sa i përket vlerësimit, nuk është se vlerësohen shumë punët artistike marrë parasysh edhe sa mund e punë duan të realizohen” thotë ajo.

Në një botë që rend drejt modernes dhe teknologjisë, tradicionalja na kujton se estetika dhe e bukura kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës së njeriut, pavarësisht vendit apo kohës ku ka jetuar.

Kjo pasuri, vazhdon e ruhet me fanatizëm nga artizanë pasionantë dhe punëtorë të cilët duke  mbajtur gjallë vlerat e padiskuteshme të kësaj trashëgimie, përpiqen ta përcjellin edhe te brezi i ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë