Nga Gazeta ‘SI’ – Mungesa e stafit dhe profesionistëve është “thembra e Akilit” për bizneset turistike në vend, duke krijuar kosto në para, kohë dhe në imazh.
Rrahman Kasa, drejtues i Unionit Turistik Shqiptar thotë se për këtë vit, sektori ka nevojë urgjente për 20.000 punonjës, që bizneset po i sigurojnë nëpërmjet tregjeve të huaja, Azi dhe Afrikë, por rruga nuk është aq e lehtë.
“Bizneset ndeshen me barriera në zyrat lokale të emigracionit që zvarrisin pajisjen me leje qëndrimi për punonnjësit, që kontraktohen me kontrata të rregullta punësimi. Kjo ka bërë që bizneset, sidomos hotelet, të përballen me mungesë stafi dhe për pasojë mungesë shëbrimi”, shpjegon Kasa.
Edhe Riges Beqiri, ekspert i turizmit, përveç shqetësimit për mungesën e stafit të kualifikuar, flet edhe për mungesën e investimeve.
“Trafiku i rënduar gjatë sezonit është shumë problematik. Janë bërë investime në infrastrukturë, por nuk janë të mjaftueshme për të gjithë fluksin e turistëve gjatë sezonit. Problematikë shumë e madhe janë mbetjet urbane, në fshat, në qytet, të hedhura pa kriter. Në disa raste është faji i Bashkive dhe në disa raste të qytetarëve. Durrësi, Saranda dhe Vlora e vuajnë shumë, nuk kanë punonjës dhe nuk mblidhen mbetjet”, thotë Beqiri.

Kasa, përmend rastin e Golemit si një nga vendet e ndotura nga inertet dhe papastërtitë e krijuara nga ndërtimet, që kanë shqetësuar në masë të huajt. Bizneset në këtë zonë, por edhe në bregdetin e jugut kanë problematika dhe me ujin. Ai sugjeron që qeveria, nëpërmjet investimeve, t’i kthejë turizmi atë “çfarë i takon”.
“Aktualisht investimet në turizëm nuk janë në përpjestim të drejtë krahasuar me atë që prodhon turizmi për ekonominë, ne mendojmë që për të zgjeruar më tej potencialin turistik të vendit, por dhe për të zgjidhur një pjesë të problemeve të sipërpërmendura duhet që së paku investimet publike në këtë sektor të kapin vlerën 20% të të ardhurave të gjeneruara nga turizmi”, shprehet kreu i Unionit Turistik
“Sezon i ri, probleme të vjetra por edhe të reja. Përveç trinomit tonë tashmë klasik infrastrukturë rrugore – ujë – drita, informalitetit të lartë në treg dhe problemeve me burimet njerëzore, hoteleria ka dy probleme të reja, çmimet e referencës dhe vendosjen me detyrim të impianteve për pastrimin e ujërave”, thotë ekspertja Flora Xhemani Baba.

Beqiri përmend një problem më pak të ekspozuar, për fituesit dhe humbësit e turizmit.
“Një problem tjetër është mungesa e aksesit të bujqësisë vendase në tregjet turistike. Turistët konsumojnë produkte të importuara në Shqipëri. Nuk ka një zinxhir që ajo çfrë prodhohet në fshat të shkojë në restorante”.
Një analizë e mëhershme e Bankës Botërore gjeti se shtresa me të ardhura të ulëta e popullsisë fiton pak nga turizmi, apo aktivitetet të lidhura indirekt me të, si në këtë rast bujqësia.
Kasa rekomandon një bashkëpunim të autoriteteve me bizneset, nga rishikimi i politikave fiskale, Task-Forca dhe subvencioni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.