Megjithëse protestuesit shpresojnë ende, edhe pas miratimit të ligjit mbi shembjen e teatrit, se ky i fundit do të arrijë të shpëtojë pa u prekur, Teatri Kombëtar u ka bërë të ditur të gjithë regjisorëve në thirrjen e hapur për të paraqitur projektet artistike që duan të jenë pjesë e kalendarit artistik për sezonin 2018-2019 se sallat e parashikuara për shfaqje janë dy sallat e “ArTurbina” ajo me kapacitet prej 400 vende dhe tjetra me 15 vende. Edhe pse në njoftimin e publikuar në muajin maj parashikohej edhe salla “Kadri Roshi” në godinën aktuale të teatrit, nuk dihet nëse do të ketë më premiera aty.
I pyetur nëse do të ketë më shfaqje në skenën e Teatrit Kombëtar, drejtori i këtij institucioni, Hervin Çuli ka preferuar të mos përgjigjet duke u mjaftuar vetëm me fjalinë “Jam jashtë Shqipërie”. Megjithatë më herët, Çuli ka bërë të ditur se deri në ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar, “ArTurbina” do të jetë vendi ku institucioni do të realizojë projektet.
Duket se historia e shfaqjeve në skenën e Teatrit Kombëtar do të mbyllet me shfaqjen “A vdiq ai”, me regji të Andis Gjonit, vepër e cila mbylli edhe kalendarin e këtij sezoni artistik. Kalendari për sezonin e ri, 2018-2019 nuk ka dalë ende, por gjasat janë që të çelet me komedinë “#Tag” të Bashkim Hoxhës.
“Nuk është ndarë ende kalendari. Po gjasat janë që të jetë shfaqja e Bashkim Hoxhes me regjisurën time” – sqaron regjisorja Andia Xhunga, e cila e ka nisur punën për këtë vepër në fillim të muajit qershor . Edhe autori, Bashkim Hoxha e ka ftuar publikun ta ndjekë komedinë “Tag” në mjediset e Turbinës, në muajin shtator.
Për shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar, Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro nga Berati, ku ndodhet për aktivitetet në kuadër të 10 vjetorit të përfshirjessë qytetit në mbrojtjen e UNESCO-s ka thënë se hapat do të jenë ato të parashikuara me ligj.
“Do të ecim me atë që parashikon ligji, ngritjen e komisionit dhe të tjera etapa administrative.”, ndërsa ka theksuar se “ArTurbina” do të strehojë përkohësisht projektet e Teatrit Kombëtar, “derisa të kryhen të gjitha procedurat dhe të shkojmë drejt realizimit të një projekti për një teatër të ri që pa frikë do ta quaj teatri i së ardhmes.”- ka përfunduar ajo.
Komuniteti i artistëve dhe qytetarëve për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kanë njoftuar se ditën e enjte, në orën 18:30 do të marshojnë drejt Kryeministrisë dhe Presidencës , për t’i kërkuar kryeministrit të tërhiqet dhe Presidentit të kthejë mbrapsht ligjin e miratuar të enjten e kaluar nga Parlamenti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.