Arsim

Sezoni i provimeve në Universitetin e Tiranës nis me rregullore të re, jo teza të unifikuara

Nga Gazeta Si – Sezoni i provimeve për vitin 2023 në Universitetin e Tiranës ka nisur me rregullore të re që duket se do të lehtësojë studentët sa i takon vlerësimit.

Në një prononcim për Gazetasi.al, dekani i fakultetit të Ekonomisë Dhori Kule thotë se bazuar në vendimin e Senatit të UT, të datës 27 korrik 2022 janë marrë masa që pedagogët ta zbatojnë me përpikmëri rregulloren sipas së cilës nuk do të ketë teza të unifikuara.

Dekani Kule tha se stafit pedagogjik i është bërë me dije më herët që të përgatitin pyetjet për provimet, siç e kërkon rregullorja, bazuar në nivelin e përgatitjes së studentit.

“Me rregulloren e re, nuk do të ketë vetëm një tezë pyetjesh për të gjithë studentët. Profesorët do të përgatisin bllok pyetjesh me qëllim që ti japim mundësi të gjithë studentëve të marrin provimet”, u shpreh dekani Dhori Kule.

Sipas tij, neni 58 i vendimit të Senatit të Universitetit të Tiranës thotë se teza duhet të përfshijë pyetje që përfaqësojnë të gjithë intervalin e notave kaluese në mënyrë proporcionale për tre kategori: nota  5-6, nota  7-8, nota 9-10 dhe u deklarohet studenteve para provimit.

Një tjetër risi e këtij viti të ri akademik është dhe e drejta që i është dhënë studentit të përmirësojë notën.

Me vendimin e Senatit nr.20 të datës 27.7.2022, Senati akademik i Universitetit të Tiranës vendosi që në rastet kur studenti rezulton i pakalueshëm disa herë në një lëndë, ka të drejtën të kërkojë ndryshimin e komisionit të vlerësimit.

“Duhet të respektohen të drejtat e studentëve për rishikim të provimit, marrje të fotokopjes së zgjidhjes që ka bërë (në rastet kur nuk është i bindur me sqarimet e komisionit) e deri në ngritjen e  komisionit të rivlerësimit të provimit në rast ankimimi të mëtejshëm, bazuar në këtë rregullore.  

Rregullorja e re i jep gjithashtu të drejtë studentit të ankohet për shkelje të rregullores nga ana e pedagogut, brenda 48-orëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë