Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës duket se kanë arritur kulmin ditët e fundit, për shkak të përpjekjeve të Beogradit për të orkestruar një krizë humanitare në veri të Kosovës, në mënyrë që të provokojë reagime nga bashkësia ndërkombëtare mbi taksën ndaj importeve serbe.
Sipas autoriteteve në Beograd, komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës po vuajnë një krizë humanitare si rezultat i rritjes së taksave prej 100% që autoritetet në Prishtinë kanë vendosur ndaj mallrave serbe.
Megjithatë, sipas qeverisë së Kosovës, ky është një plan i inskenuar nga Beogradi. Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova ka furnizuar Veriun me ushqimet dhe produktet e tjera por se dyqanet po zbrazen për shkak të skenarit të orkestruar nga Beogradi.
Haradinaj ka thënë se “në objekte dhe shtëpi të ndryshme në veri të Kosovës po mbahen produkte të caktuara ushqimore, ndërkohë që dyqanet po boshatisen”.

“Zbatimi i taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, nuk ka krijuar krizë humanitare në pjesën veriore të Kosovës, pasi gjitha pikat kufitare në Republikën e Kosovës janë të hapura për qarkullim të mallrave dhe tregtarët lejohen të furnizohen me produkte nga vendet të ndryshme”, ka thënë të mërkurën ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Endrit Shala. “Disa pika tregtare po mundohen të stimulojnë një krizë humanitare. Ne si Qeveri e kemi pasur shumë me herët këtë informacion. I kemi marrë hapat e nevojshme dhe nuk do të lejojmë që asnjë cep të territorit të Republikës së Kosovës, asnjë qytetarë i Republikës së Kosovës të ballafaqohet me mungesë të produkteve të nevojshme”, tha Shala.
Ai ka konfirmuar edhe njëherë se ky vendim do të qendrojë në fuqi derisa Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

“Vetëm në Veri, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka angazhuar mbi 30 inspektorë tregtare dhe shumica nga ta janë nga komuniteti serb. Nga informatat që kemi nga inspektorët, nuk ka asnjë shqetësim dhe nuk duhet të ketë asnjë shqetësim për mungesë të produkteve ushqimore në atë pjesë të Republikës së Kosovës”, tha ministri Shala.
Kriza humanitare në Veri është hedhur poshtë edhe nga Zëdhënësi i KFOR-it Vincenzo Grasso, duke deklaruar se sipas informatave të misionit të tij ushtarak, nuk ka rrezik të katastrofë humanitare.
Sipas tij, “situata e sigurisë është e qetë dhe nën kontroll”, transmeton zeri.info. “Asgjë e papritur nuk pritet të ndodhë dhe KFOR-i vazhdon të ruajë marrëdhëniet dhe komunikimin me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe Serbi”.
Nga ana tjetër, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç tha se qeveria serbe do të përpiqet të bëjë gjithçka që mundet “për t’u siguruar që mallrat serbe të mbërrijnë tek njerëzit në Kosovë”.
Sipas Beogradit, komunat veriore të Kosovës po vuajnë deri në përmasat e tragjedisë humanitare pasojat e taksës.
Brnabiq tha se shpreson që bashkësia ndërkombëtare të fillojë t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj çështjeje dhe se përveç thirrjes për heqjen e taksës, të sigurohet qarkullimi i lirë i mallrave. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se Beogradi do të bëjë çmos që të ndihmojë, siç ka thënë ai, popullatën serbe në veri të Kosovës.
“Nuk do të lejojmë që populli ynë të vdes urie edhe pse kjo është ajo që ata duan”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se këtë dëshirë nuk e kanë vetëm udhëheqësit në Prishtinë, por edhe disa liderë nga pjesë të ndryshme të botës.

Po ashtu edhe Ministri serb i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikacionit të Serbisë, Rasim Lajiç tha se Beogradi do të përpiqet të furnizojë serbët në Kosovë, së paku me ushqimet bazike.
“Në mëngjes, na njoftuan se ka mungesë qumështi, nuk ka fruta dhe perime në dyqane dhe rezervat e produkteve të tjera ushqimore po boshatisen”, tha Lajiç për Radio Televizionin Kombëtar.
Ai tha se pas aksionit të njësisë speciale të policisë së Kosovës në Veri, shumë më pak mallra kanë arritur të hynë në Veri të Kosovës.
“ 228 milionë më pak mallra janë dërguar në Kosovë nga 21 nëntori deri më 24 qershor. Çmimi i mallrave në Kosovë është rritur me 5.3 për qind. Përveç kësaj, Kosova ka rritur importin me 6.4 për qind, pavarësisht njoftimeve se prodhuesit vendas do të përdorin vendosjen e tarifës për të rritur prodhimin. Të vetmit që vërtetë kanë përfituar janë kontrabanduesit”, tha ministri serb.
Në anën tjetër, kryeministri Haradinaj ka bërë të ditur se ndërmarrë veprime konkrete në parandalimin dhe luftimin të gjitha aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare në zonën që kufizon Kosovën dhe Serbinë Ai ka thënë se “asnjë skenar ose lajm i rremë nuk do të bëjë që institucionet e ligjshme të Kosovës të heqin dorë nga misioni i tyre për zbatimin dhe sigurimin e sundimit të ligjit.
“Kemi prova të një skenari të tillë dhe njerëzve të përfshirë. Ne nuk do të lejojmë që të mungojë asnjë produkt, pasi serbët në Veri janë qytetarë të Kosovës. Ne do t’i dekonspirojmë projekte të tilla, që janë të çuditshme, që nuk i takojnë më këtij shekulli”, tha Haradinaj të martën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




