Kosova

Serbia kritikoi Kenian për njohjen, Kosova i përgjigjet: Po shpërfill hapur zotimet ndaj BE-së

Nga Gazeta ‘Si’– Pasi Serbia e konsideroi një akt armiqësor ndaj Beogradit njohjen e Kosovës nga Kenia, ka ardhur një reagim nga Qeveria e Kosovës.

Në një deklaratë, Ministria e Jashtme e Kosovës thekson sipas saj se Serbia tregoi sërish se nuk ka asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

“Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja.

Përkundrazi, Serbia vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar vendin tonë në rrugën drejt integrimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtare”.

Sipas Kosovës, Serbia po shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian, duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare.

“Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit”.

Më tej Kosova i kujton Serbisë luftërat në Ballkan dhe gjenocidin dhe thotë se nuk ka autoritet e moral për t’u diktuar vendeve të drejtën ndërkombëtare.

“Kjo është po e njëjta Serbi nën udhëheqjen e shumë prej të njëjtëve individë që filloi katër luftëra në Ballkan në vitet 90-të, që kreu gjenocid e spastrime etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Kjo është e njëjta Serbi që ende i glorifikon kriminelët e dënuar të luftës, të cilët urdhëruan vrasjen masive të civilëve, grave dhe fëmijëve.

Sot, Serbia vazhdon të mohojë dhe të kundërshtojë drejtësinë, siç dëshmohet në kundërshtimin e saj të turpshëm ndaj Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin e kryer në Srebrenicë. Serbia refuzon të hapë arkivat e saj shtetërore, duke e penguar botën të njohë të vërtetën e plotë për mizoritë sistematike të kryera nga policia, ushtria dhe forcat e saj paramilitare në Kosovë, masakra brutale si ato në Reçak, Izbicë, Krushë të Madhe, Poklek, Podujevë e Mejë, të cilat i kujtojmë çdo vit. Shumë nga udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë gjykuar dhe dënuar nga Tribunali i Hagës për rolin e tyre në vrasjet sistematike dhe dëbimet masive të shqiptarëve të Kosovës.

Kjo Serbi nuk ka asnjë autoritet moral për t’i dhënë leksione asnjë vendi mbi të drejtën ndërkombëtare e aq më pak Kenias, vendi që ka njohur Kosovën në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme”, thuhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë