Nga Gazeta 'Si'-Serbët në veriun e Kosovës paralajmërojnë rikthimin e barrikadave në fund të kësaj jave, si shenjë reagimit pas aksionit të autoriteteve kosovare për të mbyllur 5 zyrat që shërbenin si struktura paralele.
I ashtuquajturi kryetar i Asociacionit të qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës, Rasha Rojeviç deklaroi se të premten do të fillojë bllokada e të gjitha vendkalimeve kufitare në Kosovë, teksa shtoi se ato do të qëndrojnë aty deri sa të tërhiqet policia e Kosovës dhe institucionet t’u kthehen serbëve.
“Bllokada do të fillojë të premten dhe do të zgjasë derisa forcat policore të Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe t’u kthehen serbëve institucionet e uzurpuara. Ne gjithashtu kërkojmë që KFOR-i, në përputhje me mandatin e Rezolutës 1244, të marrë kontrollin e veriut të Kosovës”, tha Rojeviç.
Rojeviç se bllokada do të ndihmohet nga qytetarët nga Serbia qendrore, Mali i Zi dhe Republika Srpska, duke përjashtuar qëllimisht serbët që banojnë në Kosovë për t’i mbrojtur ata nga një hakmarrje e mundshme nga Policia e Kosovës.
Aksioni i 30 gushtit, i kryer nga institucionet e Kosovës u cilësua si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe po ashtu u kundërshtua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve lokalë në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, dhe nga zyrtarët në Serbi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.