Njihet si fshati i “çakullit” por njihet edhe për gështenjat e tij. Pjesë e Komunës Dajt, të shkosh për në fshatin Selbë nuk është shumë e thjeshtë.
Në Priskë, rruga djathtas, mbrapa Dajtit të Vogël, të çon pas 3.5 km te kthesa për në Darshen.
Aty ke hyrë në Selbë, por duhen edhe 1.5 km për të arritur deri në qendër.
Rruga e hapur më 1969 dhe e riparuar më 2006 është me çakull. Matanë guroreve të reja rruga është e vështirë.
Në fshat, rrugët, ledhet, muret mbajtëse dhe mbrojtëse, pa përmendur muret e kullave dhe të shtëpive dhe çatitë dhe oxhakët e tyre janë prej gurësh në formë petash të holla ose të trasha.
Vendi përreth është një “minierë” për këtë lloj guri. Ai është përdorur edhe për pllakat e gurit ku fërkoheshin rrobat kur laheshin ose edhe për gurët e varreve të stilit islam, që tregtoheshin dikur në Tiranë.
“Edhe sot e kësaj dite, banorët punojnë për nxjerrjen e këtyre gurëve, për të plotësuar nevoja të tregut sipas kërkesave të arkitekturës së sotme dhe ndërtimit.
Me gurë të tillë, që punohen lehtësisht me çekiç janë ndërtuar edhe disa shtëpi-kulla në fshat, siç është kulla e Dule Satës.”, rrëfen për Gazetën “Si”, Skëndër Farka, njohës i mirë i gjithë fshatrave të Tiranës dhe autor i disa librave për fshatrat turistikë të zonës.
Ai vijon se “Ky usta me emrin Abudalla para 120 vjetësh bashkë me dy ustallarë ideoi, punoi dhe ndërtoi për tre vjet rresht kullën e tij prej guri dhe druri. ”Ajo ka një stil të veçantë në zonën përreth dhe është vendosur në pjerrësinë e kodrës, e rrethuar me pemë, që edhe sot kanë fruta të shijshme.
Muret e fuqishëm, të gurtë, të punuar me kujdes, të lidhur me breza druri të fortë janë të mbuluar me një çati me rrasa guri të zgjedhura për nga madhësia e trashësia, të kuadratuara e të vendosura bukur.
“E gjithë ajo çati e madhe dhe e rëndë mbahet nga trarë të zgjedhur e unikë, të gdhendur me mjeshtëri. Ajo ka një hyrje me qemer të gurtë, të gdhendur bukur në katin e parë për miqtë dhe me derë dhe mjedise të tjera për gjënë e gjallë në katin përdhes. Pranë është pusi i kullës, i veçantë për nga thellësia dhe sasia e madhe e ujit. Emri i tij ruhet si toponim “Pusi i Dule Satës”. Pamja nga jashtë, me ato dritare me pak ornamente të punuara në gur është madhështore.”
Fatkeqësisht, sot kulla është e braktisur dhe e dëmtuar.
“Brenda, oxhaku i madh në krye të dhomës së miqve 5.5×8.5 metra, me kapakët e drunjtë të dritareve të vogla, me çardak dhe me arka-minderet e drunjta anash mureve me shilte e postiqe për t’u ulur dhe trarët e tavanit të ngarkuar me vargje misri dhe qepësh e mbushnin gjithë hapësirën me ngrohtësi.”
Sot, atje nën hijen e gështenjës së vjetër janë varret e dy çifteve, dy brezave që jetuan aty.
Nga rrjedh emri i fshatit?
Emri Selbë duket se rrjedh nga emri sllavisht Sel, që do të thotë fshat i vogël, që më vonë mori emrin Selb.
Ai është populluar ngadalë nga banorë të ardhur nga zonat e Veriut. Është i shtrirë në dy lagje: E sipërmja dhe e poshtmja.
“Në fillim të lagjes së sipërme është fisi Likaj ardhur prej shumë kohësh nga Mati dhe vijojnë disa fise të tjerë.
Në fillim të lagjes së poshtme është fisi Islami, ardhur prej shumë kohësh nga Dibra, për të vijuar me të tjerë fise mes të cilëve Leka, të ardhur nga malësia pranë Shkodrës dhe fisi Mema e Hidaj të ardhur nga Mati etj.”, – shpjegon Farka për “Si”.
Në Selbë kullat ose shtëpitë janë dykatëshe, të ndërtuara me gurë sipas stilit malor për njerëz dhe gjënë e gjallë, por sot shumica e tyre janë të riparuara dhe të përshtatura që nga koha e kooperativës.
Gjatë viteve të fundit disa shtëpi janë të boshatisura dhe po shemben, por ka dhe pak shtëpi që janë ndërtuar të reja.
Xhamia, kroi dhe rrapi si pika reference
Poshtë shkollës, në qendër të fshatit është xhamia e vjetër, e bukur, madhështore për kohën dhe vendin ku ishte ndërtuar, pranë Kroit të Madh.
Xhamia ka një hajat të madh, sallë të mirë me mofil (kati i dytë për gratë). Kjo xhami i shpëtoi shembjes sepse ishte e madhe dhe megjithëse minaren e saj e rrëzuan, ajo u kthye në magazinë dhe më vonë në shtëpi kulture.
Pranë xhamisë është burimi i vjetër dhe më i madh i fshatit, “Kroi i madh”, me dy gryka uji, i betonuar dhe ku mund të mbushësh ujë normalisht.
Pranë kroit qëndron ende një rrap i madh shekullor që ndonëse me tregun të dëmtuar lulëzon sërish.
“Nga qendra, poshtë në rrugën këmbësore për në Dërshen ka qenë një kishë, themelet e së cilës janë parë në vitin 1940, kurse 30 vjet më pas u rrafshuan nga traktori. Vendi mbi përrua njihet si vendkalimi për në Darshen me emrin Qafa e Shën-Lisë, i cili tregon se dikur aty ka qenë si pajtor Shën Ilia. Aty poshtë shikohet edhe sot një mur mbajtës i madh dhe i bukur prej guri, ndërtuar me gurë në mënyrë të kujdesshme nga ushtarët italianë, të mbetur në fshat në kohën e luftës.”,- tregon Skënder Farka.
Lamat e Humbta dhe Kodra e Kuvendit
Midis toponimeve të shumta në Selbë për toka, kroje, varre, që më së shumti janë emra pronarësh, dy janë interesante.
“Lart, para se të zbresësh në fshat janë disa ara e kullota pranë ujëmbledhësit, që quhen Lamat e Humbta. Thuhet se dy vëllezër, njëri prej të cilëve i verbër, pasi kishin mbjellë bashkërisht tokën, vendosën të ndajnë prodhimin. I verbri i tha të vëllait ta ndante atë pa hile se ndryshe do të humbte. I vëllai bën hile dhe toka humbi. Humbi me të vërtetë, sepse gjatë kohëve uji e merrte dheun (erozioni) dhe e zbriste zgavrave të malit. Vendi atje është shumë i hapur në një lartësi të bukur afër kreshtës së vargmalit para se të zbresësh në Tiranë nëpër një rrugë këmbësore”, rrëfen Farka.
Po kështu thuhet edhe për Kodrën e Kuvendit.
“Poshtë në rrugën e ngushtë, dy palë krushq kanë luftuar e janë vrarë, duke u përpjekur secili të kalojë i pari. Më pas, të dëmtuar janë ulur në kodër në kuvend dhe kanë zgjidhur problemin. Mbi kodër, fshati duket si korridor i ngushtë, i zhytur nga veriu në jug në gjelbërimin e dendur, për shkak të pjerrësisë së terrenit të tij.”
Puset me gurë, mjeshtëri e burrave të Selbës
Dikur burrat e Selbës kanë qenë të njohur në zonën përreth, sidomos në qytet, për aftësinë dhe mjeshtërinë (që dinin ta ruanin për vete) e hapjes dhe veshjes me gurë të puseve.
“Në Tiranë mbahet mend mbiemri Shkalla i një ustai, që në vitin 1930 ka hapur pusin në ndërtesat e ministrive nga ku nxirrej me pompë ujë për kaldajat ngrohëse.
Po kështu, në Tiranë, çdo shtëpi që ndërtohej e kishte të padiskutueshme pusin në oborr dhe shumica e mjeshtrave kanë qenë nga Selba, si Qazim Hida e Mexhit Mema.”,- na bën me dije studiuesi Farka.
Në Tiranë nga Selba vinin pllakat e gurit të madhësive dhe formave të ndryshme, që shiteshin në Pazarin e Vjetër në një vend të veçantë ose që ishin të porositura nga blerës sipas qëllimit.
Çorapet e leshta të grave të Selbës
Gratë punonin çorapet e leshta me ornamente e ngjyra të ndryshme.
Nuset nga Selba, kur martoheshin çonin në pajë 100-120 palë çorape si peshqesh për njerëzit e shtëpisë ku shkonin, kryesisht për burrat.
Gryka e Skoranës
Në pjesën më fundore të fshatit është Gryka e Skoranës (Skoranit).
Atje, Erzeni me ujin e tij ka çarë vargmalin e Dajtit për të zbritur poshtë pranë fshatrave Pëllumbas dhe Kryezi. Aty janë dy vepra të mrekullueshme, njëra njerëzore dhe tjetra natyrore.
Diga prej betoni, 60 m e lartë dhe me kapërderdhje në grykë, pati krijuar një ujëmbledhës madhështor për nga bukuria dhe vlera.
Uji, nëpërmjet portave të veprës, me kanale e tunele në shkëmb kalonte matanë malit dhe përdorej për ujitjen e gjithë tokave në fshatrat poshtë.
Një pjesë e tij derdhej në lumin pranë Kamzës dhe liqeni i formuar kishte peshk.
Për më shumë se 35 vjet, Erzeni bashkë me ujin solli edhe llum. Ai mbushi rezervuarin duke zënë vendin e ujit, që arriti kuotën afër kapërderdhjes dhe gjatë verës krijon një fushë të madhe të sheshtë si aeroport, ku kullot bagëtia dhe rriten kallamishtet.
Matanë digës, gjatë shekujve ka krijuar veprën e vet natyrore një kanion i jashtëzakonshëm për nga bukuria, ku “jetojnë” parajsa, aventura dhe rreziku.
Fshatrat malorë pranë Tiranës, që nga Qafëmolla në Selbë janë perla natyrore, që duhet të eksplorohen nga kushdo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.