Ngjarje

Sekuestrohet pallati pa leje në Vlorë, Rama: I kalon shtetit! Këtë fat do kenë të gjitha objektet në shkelje

Nga Gazeta Si- Një pallat pa leje është sekuestruar ditën e sotme në Vlorë dhe sipas Kryeinspektores së IKMT-së Dallëndyshe Bici, ndërtesa do t’i kalojë shtetit.

Kreu i qeverisë Edi Rama në një postim në Facebook shprehet se këtë fat do të kenë të gjitha objektet me shkelje të lejes së ndërtimit, të cilat sipas rastit e nevojës do të shemben apo konfiskohen nga shteti për funksione publike.

“Së shpejti do të miratohet reforma e re e kontrollit mbi territorin, me masa të reja shtrënguese dhe përgjegjësi administrative e penale edhe për “symbyllurit” që paguhen me taksat e shqiptarëve, si inspektorë e shefa bashkie, punonjës e shefa policie dhe me radhë, – tha Rama. – Shqipëria 2030 në BE kërkon fundin e këtyre fenomeneve, ndërsa 99% e qytetarëve që respektojnë ligjin, meritojnë hapësira publike të pacënueshme më nga askush”, – shkruan Rama.

Paralajmërimin e Ramës e konfirmon Bici, e cila tha se pallati në fjalë do t’i kalojë shtetit për t’u përdorur në funksion të interesit publik. Drejtoresha e IKMT gjithashtu nënvizoi se fatin e ngjashëm do ta kenë edhe objekte të tjera, të ndërtuara në shkelje të ligjit në mbarë territorin e vendit.

“Në vazhdën e kontrolleve, ashtu siç ka ndodhur edhe me objekte të tjera më parë, ky objekt do të konfiskohet dhe do t’i kalojë shtetit për interes publik. Jam këtu për t’ju bërë me dije se të njëjtin fat do të kenë të gjitha ato objekte që rezultojnë me leje ndërtimi, por që kanë ndërtuar në shkelje brutale të lejes së ndërtimit duke cenuar interesin publik dhe pronën e përbashkët. IKMT do të vijojë punën në të gjithë territorin e Shqipërisë për të inspektuar objektet me apo pa leje ndërtimi, me qëllimin që të garantojmë respektimin e ligjit, sigurinë e komunitetit dhe interesin publik”, shprehet Bici.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë