Në portin e Durrësit është bllokuar një konteiner me një sasi të madhe droge që vinte nga Ekuadori. Nga kontrolli brenda në kontenier u gjetën rreth 200 pako me rreth 143 kg kokainë që ishte fshehur në tavan.
Konteineri ku u gjet droga është shkarkuar nga anija e “Dance”, anije me flamur portugez që vinte në Durrës pas ndalesës në portin grek të Pireut. Anija është ankoruar paraditen e sotme në portin e Durrësit dhe nga kontrolli në njërin prej kontenierëve me ngarkesë bananesh të shkarkuar prej saj u zbulua ngarkesa e paligjshme.
Hetimet po drejtohen nga prokurorë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe prokurorë të SPAK-ut.
“Strukturat e Policisë së Shtetit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe hetimet e kryera se në një kontenier fshihej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe portuale, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “EL MEJOR”.
Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në një kontenier të ngarkuar me banane, i cili ishte nisur nga porti i GUAYAQUIL në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “GIOIA TAURO”, Itali, me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Tiranë, me administratorë shtetasit E. P. dhe K. X., shërbimet policore dhe ato doganore gjetën të fshehura në tavanin e kontenierit, pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë totale 143 kilogramë”, njoftoi policia.
Një javë më parë po në Portin e Durrësit u kap një sasi prej 49 kg kokaine, e cila ishte fshehur në kontejnerin me banane që vinte nga Ekuadori.
Në pranga u vu 72-vjeçari Selim Çekaj, babai i Arbër Çekajt i arrestuar në 2018-n dhe dënuar me 14 vite burg për trafik droge. Kontejneri kishte bërë një ndalesë në Mersin të Turqisë përpara se të mbërrinte në Durrës.
72-vjecari Çekaj nuk e ka pranuar akuzën duke u shprehur se ka porositur vetëm bananet në Ekuador dhe se nuk ka lidhje me drogën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.